Kulturë

“Art Therapy” kërkon tjetër qasje nëpërmjet veprave të komuniteteve

E organizuar nga qendra kulturore “Akvarijus”, kjo ekspozitë paraqitet si një synim për të eksploruar fuqinë terapeutike të artit dhe të nxisë shkëmbimin kulturor në një klimë të shënuar nga kompleksitete historike. Në hapjen e ekspozitës “Art Therapy” në qendrën “Barabar”, duke paraqitur vepra të artit multimedial nga artistë të rinj serbë e boshnjakë nga Mitrovica e Veriut, të pranishmit bënë thirrje për qasje tjetër edhe nga politika

Skena e artit në Prishtinë u pasurua me hapjen e ekspozitës “Art Therapy” në qendrën “Barabar”, duke paraqitur vepra të artit multimedial nga artistë të rinj serbë e boshnjakë nga Mitrovica e Veriut. E organizuar nga qendra kulturore “Akvarijus”, kjo ekspozitë paraqitet si një synim për të eksploruar fuqinë terapeutike të artit dhe të nxisë shkëmbimin kulturor në një klimë të shënuar nga kompleksitete historike.

Kjo ngjarje tërhoqi një numër të vogël entuziastësh të artit nga Prishtina, ku përbërja kryesore e të pranishmëve ishte nga organizatorët, nga vetë artistët dhe disa të ftuar ndërkombëtarë. Pavarësisht kësaj, qendra “Barabar” u bë hapësirë e krijimtarisë dhe shprehjes duke hedhur hapa drejt njoftimit të skenës artistike të kryeqytetit me artin që po bëhet në veriun e vendit. Kështu, muret e “Barabar” janë zbukuruar me një pasqyrë të pasur të pikturave, skulpturave, instalacioneve digjitale dhe formave të tjera inovative të shprehjes artistike. Pavarësisht sfidave me të cilat ata ballafaqohen, këto talente të reja kanë gjetur një mesazh të tyre përmes të cilit mund të komunikojnë përvojat e tyre, emocionet dhe aspiratat për të ardhmen.

Ekspozita, e kuruar nga Miljana Bulatoviq, njëherësh drejtore e “Akvarijus”, shpërfaq mundësinë e shfaqjes së këtyre artistëve të rinj në publikun e Prishtinës, si mënyrë e mirë për të parë se si po funksionojnë njerëzit në Mitrovicën e Veriut, duke theksuar rolin e artit dhe të artistëve në ndryshimin e narrativave shoqërore.

“Mendoj se është shumë me rëndësi për njerëzit që ta dinë se arti është një dimension shumë serioz, edhe pse artistët janë një njësi e vogël në shoqëri, ata janë më të fuqishmit me mesazhet që përçojnë nga veprat e tyre”, ka thënë ajo. Ekspozita u ka bërë vend veprave të artistëve si Vuk Gjuriq, Petar Aleksiq, Aida Camoviq, Gjorgje Bashçareviq, Konstantions Petroviq, Stefan Stefanoviq, Joshkin Shilan, Kristina Klajiq, Jasmina Popoviq, Vesel Sali, Mihailo Ristiq, Fatmir Brezhani, Igor Stanoeski e të tjerë.

“Art Therapy” prezanton një krijimtari nga viti 2015 deri në vitin 2023 të krijuar në qendrën kulturore “Akvarijus” në Mitrovicë. Veprat e shfaqura në të ishin vetëm një pjesë nga koleksioni i galerisë së kësaj qendre kulturore. E veçanta e saj ishte një përbërje përmes dy pjesësh: “Dhoma e Lirisë” dhe “Korridori i Bashkëveprimit”, të cilat rrëfenin se si arti krijohet në një marrëdhënie të veçantë midis artistit dhe audiencës së tij. Ky ambient i krijuar thyen paragjykimet, çon në një horizont të tradhtuar të pritshmërive dhe ofron një këndvështrim edhe intelektual mbi artin, në të cilin vërehet një hije që bën thirrje për të ndryshuar botën me art.

Kur shikohen veprat e tyre si kolazhet me lloje të ndryshme letrash, pikturat, grafikat, fotografitë, videoinstalacionet, e skulpturat, shihet se inspirimin këta artistë e marrin nga vetë historia e trazuar e Kosovës dhe realiteti të cilin e jetojnë. Ata nëpërmjet artit dokumentojnë përjetimet e tyre autentike që pasqyrojnë të sotshmen si mënyrë provokuese dhe moderne e të shprehurit.

“Jam shumë falënderuese që kam mundësinë të jem këtu dhe më vjen mirë që të gjithë miqtë e mi janë pjesë e kësaj ekspozite. E vlerësoj tashmë artin tim, sepse kam përfunduar dhe studimet, di si të punoj dhe të thellohem në art”, ka thënë Angjela Rankoviq, njëra ndër artistet pjesëmarrëse.

Në ceremoninë e hapjes, Jelena Cvetanoviq, koordinatore e programit në organizatën “Casa”, e cila bashkë me “Integran” kanë krijuar hapësirën “Barabar” që ishte nikoqire e këtij eventi, shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen që ekspozita ka marrë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe ka folur mbi rëndësinë që ka “Barabar” për skenën artistike të vendit.

”‘Barabar’ nuk është vetëm për artin, por shërben dhe si një hapësirë përmes së cilës promovohen gjithëpërfshirja, diversiteti dhe dialogu nga arti dhe kultura, ku mundësohet krijimi i urave mes njerëzve, duke rrënuar barrierat e shoqërisë”, ka thënë.

Një gjë të tillë e paraqitën dhe gjatë ekspozitës, si për ta dëshmuar efektin terapeutik që ofron pikturimi. Në mes të dhomës ishte e vendosur një tavolinë me dy kanavace boshe dhe shumë ngjyra të cilat ftonin të pranishmit të linin shenjat e tyre.

Qëllimi është të afrojë njerëzit me procesin e krijimit të një vepre artistike, ekspozitën, interpretimin dhe reflektimin kritik, me qëllim të forcimit të lidhjes midis artistit-krijues dhe audiencës si perceptuese, lidhjes së tyre dhe përfshirjes në prodhimin artistik.

Albert Heta, artist, i pranishëm në hapje të ekspozitës, dhuroi shkurtimisht një analizë të tijën mbi rëndësinë e kësaj ekspozite në Prishtinë.

“Shkollat në Kosovë e rrjedhimisht dhe shkolla e artit janë ndarë qe 30 vjet, andaj nuk kanë komunikim me njëra-tjetrën, është mundësi e jashtëzakonshme për me pa programin e kësaj qendre e cila vepron në Mitrovicën e Veriut, dhe me i vërejt tendencat e tyre në art, shpeshherë jo të ngjashme me artistët e tjerë kosovarë. E kisha sugjeru patjetër me ardhë me e pa një pjesë të vendit që zakonisht është vështirë me u pa, mundësia për qarkullim është e vështirë, jo gjithkush e merr mundin me shku, pastaj është e jashtëzakonshme që ata kanë pranu ftesën me ardhë këtu”, ka thënë ai.

Pas hapjes së ekspozitës të pranishmit patën mundësinë që përveç artit vizual nga të rinjtë e Mitrovicës së Veriut të shijojnë dhe muzikë nga grupi muzikor “Gruv Hyena” i përbërë nga Emir Hasani në vokal dhe kitarë, Vanja Kostiq në bas kitarë dhe Filip Milovanoviq në bateri. “Art Therapy" do të jetë e hapur për vizitorët deri më 14 dhjetor, si një mundësi e rrallë për t’u bërë pjesë e një ekspozite që shtron pyetje, shpërthen me krijimtari dhe synon bashkimin e njerëzve nëpërmjet artit.