Gërmimet arkeologjike në Kalanë e Gjirokastrës pas 30 vjetësh po vijojnë nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka përcjellë të enjten në rrjetet sociale momente nga puna e arkeologëve duke shtuar se “zbulimet e para përfshijnë gjurmë të një kulle të periudhës së antikitetit të vonë (shekujt V–VI pas Kr.)”.
“Punimet gjithashtu kanë nxjerrë në dritë skeletin e një kali dhe të një luftëtari pranë tij dhe po ashtu janë zbuluar objekte arkeologjike të periudhës së Bronzit të Mesëm dhe të Vonë, që dëshmojnë për fazat më të hershme të ndërtimit dhe funksionit të Kalasë”, ka shkruar Rama.
Sipas kryeministrit, “gërmimet vijojnë dhe zbulimet që priten në javët në vijim mund të sjellin dimensione të reja mbi historinë e qytetit dhe trashëgiminë tonë kulturore”.
Kalaja e Gjirokastrës ndodhet e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 metra mbi nivelin e detit.
Gjerësia e saj është 75 metra dhe gjatësia 500 metra. Për t’ua shtuar rezistencën mureve të Kalasë janë ngritur pesë kulla të fuqishme.
Javën e kaluar në fazën përmbyllëse të gërmimeve arkeologjike ishin identifikuar mbetjet skeletore të një mashkulli, të pozicionuar brenda një muri të periudhës së antikitetit të vonë, së bashku me skeletin e një kali të zbuluar në afërsi. Sipas arkeologëve, struktura ku është kryer zbulimi i përket një faze më të hershme fortifikimi rreth shekullit VI të erës sonë, e cila më pas është dëmtuar dhe ripërdorur si bazament për ndërtimet mesjetare.
Pamela Llapaj, drejtuese e gërmimeve, kishte sqaruar se është gjetur një mur i antikitetit të vonë, që ka qenë një nga fortifikimet më të hershme, i cili më pas është prishur dhe përdorur si themel për muret e mesjetës. Ndërkaq pozicioni i skeletit ngre hipoteza për një formë të pazakontë varrimi, ndoshta me funksion ritual apo simbolik, tipik për figura ushtarake të kohës.
Ky zbulim pason punën e mëparshme të arkeologut Damian Komata, i cili kishte identifikuar një pjesë muri brenda galerisë së Kalasë.
Edhe pse konkluzionet përfundimtare do të varen nga analizat e mëtejshme antropologjike dhe stratigrafike, vetë fakti që një individ, ndoshta luftëtar, dhe kali i tij janë gjetur në këtë pozicion, e pasuron mozaikun historik të zonës dhe nxit pyetje të reja mbi zakonet dhe praktikën funerale të kohës.
Sipas shënimeve të deritanishme Kalaja e Gjirokastrës është një nga monumentet më të rëndësishme historike dhe kulturore të Shqipërisë. Kalaja është ndërtuar në shekullin XIII si një fortifikim i hershëm dhe ka pësuar zgjerime të rëndësishme gjatë periudhave osmane dhe të Ali Pashë Tepelenës në shekullin XIX. Ajo është e pozicionuar mbi një kodër që dominon qytetin dhe Luginën e Drinos, duke ofruar pamje mbresëlënëse.
“Kalaja e Gjirokastrës si histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336. Në këto vite ajo ishte qendra e feudalëve shqiptarë Zenevisë. Më vonë, gjatë sundimit të Gjin Bue Shpatës, ajo u përfshi në Despotatin e Epirit. E megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë se ekzistenca e kalasë së gurtë është më e hershme. Sipas tyre, kalaja ka pasur dy faza ndërtimi, të cilat lidhen me periudhën para dhe pas Pashallëkut të Janinës dhe fortesave të Ali Pashë Tepelenës. Nga Kalaja mesjetare, ajo e parapushtimit osman-shqiptar të Ali Pashës, ruhen vetëm pak gjurmë pasi muret janë veshur deri në lartësi nga ndërtimet e reja. Ndërsa kullat pjesërisht janë rrënuar dhe ripërshtatur”, shkruhet në shënimet për të. E, sipas kronikanit turk, Çelebiu, i cili vizitoi qytetin më 1672, “kalaja ishte ndërtuar në kohë të moçme, krejt prej guri të gdhendur”.