“Global Campus of Human Rights” e ka vazhduar traditën e vizitave në Kosovë, e që nuk janë thjesht turistike. Sivjet janë bashkuar rreth 150 studentë, njëra prej mbrëmjeve të vizitës njëjavore është ndarë edhe për ta parë shfaqjen “Gadjo (evropianët e rinj)”. Motivi kryesor i krejt këtij rrugëtimi: ballafaqimi me idenë se si funksion një shtet i ri në spektrin politik, social dhe atë kulturor
Është bërë tradicionale tash e dy dekada, që një grup studentësh nga vende të ndryshme të botës të vijnë në Kosovë, jo thjesht si turistë a për vizita rutinore, por ta njohin realitetin nga afër, e të reflektojnë për të edhe nëpërmjet ngjarjeve kulturore si shfaqje teatri. Janë studentë të programit master për të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizimin si Proces, nën ombrellën e “Global Campus of Human Rights” (Kampusi Global për të Drejtat e Njeriut) me seli në Vjenë e Venecie.
Sivjet janë bashkuar rreth 150 studentë, njëra prej mbrëmjeve të vizitës njëjavore është ndarë edhe për ta parë shfaqjen “Gadjo (evropianët e rinj)” me tekst të Jeton Nezirajt nën regji të Blerta Nezirajt, të enjten mbrëma në teatrin “Oda”. Ka qenë nata e fundit e vizitës së tyre. Motivi kryesor i krejt këtij rrugëtimi: ballafaqimi me idenë se si funksion një shtet i ri në spektrin politik, social dhe atë kulturor. Shkon përtej studimit akademik dhe përgatitjes paraprake në kampus rreth rastit të Kosovës së pas luftës së vitit ’99 dhe procesit të shtetndërtimit.
Marijana Grandits, bashkëthemeluese e programit studimor “Vienna Master” dhe këshilltare ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e drejton këtë vizitë studimore në Kosovë, tash e njëzet vjet. Në atë kohë, ajo e kishte konsideruar Kosovën si një shembull për ta studiuar një vend të dalë nga lufta. Ka treguar se studentët që vijnë në Kosovë, krahas vizitave dhe takimeve me personalitete të ndryshme të fushës së politikës dhe të drejtave të njeriut, vizitojnë qytete të ndryshme, ekspozita, njihen edhe me trashëgiminë kulturore, takohen me qytetarët e këtushëm, si një përpjeke e tyre për të kuptuar në thelb problematikën dhe këndvështrimet e popullit të Kosovës.
Veçanti tjetër e këtij aktiviteti është qëndrimi i këtyre studentëve në familje lokale kosovare, edhe kjo si një përpjekje për të depërtuar edhe më thellë në botëkuptimet kulturore të vendit, të cilin ata e kanë rast studimi përgjatë një semestri. Prejse ka filluar në program, ajo ka sjellë këtu rreth dy mijë e 500 studentë. Krahas studimeve mbi të drejtat e njeriut, thotë se mundohet të përfshijë edhe artin si element përforcues.
“Kemi dashur të eksplorojmë të drejtat e njeriut dhe demokracinë, ndërsa arti ka qenë përgjatë këtyre njëzet vjetëve një komponent shumë i rëndësishëm. Studentët mund të kuptojnë realitetin nëpërmjet artit, teatrit e arteve vizuale. Ato e ngritin kuptueshmërinë e çfarëdo teme”, ka thënë Grandits.
Qëndresa Mejzini, koordinatore e këtij programi në Kosovë, vite më parë ishte dhe vetë studente e programit të njëjtë të studimeve.
“Përgjatë kësaj vizite ideja është të shihet se si funksion një shtet i ri, mandej aty trajtohet dhe roli i artistëve në thyerjen e disa barrierave sa u përket temave sociale, ndërsa theksi vihet te lufta e Kosovës dhe rindërtimit i raporteve mes komuniteteve në Kosovën e pas luftës”, ka thënë Mejzini.
Shfaqja “Gadjo” – e cila thekson fuqisë shkatërruese që ka një treg medial, kaotik e i pakontrolluar, e dhënë premierë në majin e vjetëm – është një rast ideal për ta bërë këtë.
Për protagoniste ka një personazh që personifikon një grua rome që është viktimë e racizmit në Kosovë, e cila në dështim për të gjetur shpëtimin dhe strehën tek institucionet shtetërore, u kthehet riteve të moçme si një ndërlidhje mes kulturës shekullore rome.
Trajtimi i këtij fenomeni shoqëror nëpërmjet artit për Florent Mehmetin, drejtor i teatrit “Oda”, njëherësh nikoqir i kësaj mbrëmjeje, nuk është diçka e re pasi që sipas tij, teatri me çdo shfaqje përçon mesazhe sociale.
“Unë qe 17 vjet tradicionalisht u organizoj një natë kulturore që këta studentë ta kenë një ide për artin dhe kulturën që zhvillohen në Kosovë. Çdo vit ua ndërrojmë, herë ka prezantime të artistëve, sivjet ishte koincidencë e mirë shfaqja ‘Gadjo’, e propozuam këtë shfaqje, sepse kemi vlerësuar që këtyre u intereson me e pa shfaqje me një temë të tillë të cilat lidhen në një mënyrë ose tjetrën me të drejtat e njeriut ose lidhen më shumë, sepse unë konsideroj që krejt veprat teatrale kanë të bëjnë me problematika sociale”, ka thënë Mehmeti.
Rozita, studente “Global Campus of Human Rights” e cila mori pjesë në këtë vizitë studimore, pas ligjëratave në kampus dhe raportimeve mbi gjetjet e tyre për rastin e Kosovës, ka thënë se ardhja në Kosovë është si një kurorëzim i këtij procesi të gjatë hulumtimi.
“Fatmirësisht kemi takuar shumë institucione dhe organizata që veprojnë në fushën tonë të studimeve, për arsye se ishim shumë studentë. Jemi ndarë në grupe dhe disa nga ne kemi pasur fatin të takohemi me presidenten e Kosovës, disa të tjerë me kryeministrin, UNICEF-in dhe disa OJQ që punojnë për shoqërinë civile. Kemi vizituar dhe qytete të tjera përveç Prishtinës, si në Prizren dhe Mitrovicë. Kështu patëm mundësinë të zgjerohemi në perspektiva të ndryshme sa i përket jetës në Kosovë, dhe kam kuptuar se këtu, këndvështrimet janë shumë më komplekse se sa që kam menduar”, ka thënë ajo duke shtuar se ishte e impresionuar për shfaqjen pavarësisht se nuk arriti të kuptonte çdo detaj të portretizuar aty, si shkak i konteksteve unike, pavarësisht gjuhës universale të teatrit.
“Po mendoja me vete derisa po e shikoja shfaqjen, të gjithë këta njerëz që ishin ulur me mua dhe po shikonim shfaqjen ndoshta pas 10 apo 20 vjetëve do të drejtojnë vende të ndryshme të botës dhe do ta kujtojnë këtë shfaqje dhe mesazhin që ajo përcolli, krahas kuptimit të faktit se si ndikon lufta te dikush që nuk e ka përjetuar atë kurrë”, ka thënë ajo. Me vizitën në Kosovë ka thënë të ketë marrë një këndvështrim më real.
Orla Ní Chellacháin, drejtuesja e programit të studimeve për të Drejtat e Njeriut dhe Demokratizimin në Kampusin Global për të Drejtat e Njeriut, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm inkuadrimin e artit në këtë vizitë studimore, duke marrë për shembull vizitën që kishin realizuar në ekspozitën “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë”, me gjësendet e fëmijëve të vrarë në luftën e fundit në Kosovë, një ekspozitë unike kuruar prej Blerta Hoçias, në “Qendrën e Dokumentimit” në bibliotekën “Hivzi Sulejmani”.
“Studentet tanë kanë një program akademik shumë të ngjeshur, por çka mendoj se është shumë e vlefshme për këtë vizitë këtu në Kosovë. Krahas vizitave me akterë të ndryshëm, është fakti sepse ata konfrontohen me realitetin në mënyra të ndryshme sikur kjo shfaqje sonte ose ekspozita që e pamë gjatë ditës, dhe ti mund ta ndieje në atmosferë kur hynë studentët në ekspozitë. Ata dinin gjithçka rreth statistikave, konsekuencave rreth luftës së fundit në Kosovë, por ti mund ta vëreje se me të hyrë tek ata, diçka ndryshoi menjëherë në fytyrat e tyre, dhe kjo e shpreh më së miri fuqinë që ka ndërveprimi me artin. Të hap mendjen në një mënyrë tjetër, ndryshe nga librat apo qasja akademike”, ka thënë ajo.