Kulturë

Bekim Fehmiu kujtohet vetëm me hedhje lulesh në Lumbardh, harrohet dokumentimi i jetës

Bekim Fehmiu kujtohet vetëm me hedhje lulesh në Lumbardh, harrohet dokumentimi i jetës

“Në këtë tubim simbolik, u hodhën lule në lumin Lumbardh – pikërisht aty ku është shpërndarë hiri i tij, në nderim të jetës dhe veprës së një prej figurave më të shquara të artit”, shkruhet në njoftimin e Teatrit të Prizrenit, “Bekim Fehmiu”

Organizimi i Teatrit të qytetit në Prizren që mban emrin e Fehmiut ka mbledhur një grup të vogël njerëzish në nderim të aktorit. Janë hedhur lule në Lumbardh. Institucionet e tjera s’janë marrë fare me këtë përvjetor. Nuk është ndarë çmimi “Bekim Fehmiu”, simbolika e vetme me të cilën është nderuar aktori një herë në vit nga Ministria e Kulturës. E planet e mëdha për figurën e Fehmiut të prezantuara katër vjet më parë nga kryeministri tash në detyrë Albin Kurti, kanë mbetur premtime e propozime në sirtarët e Ministrisë së Kulturës

Hedhja e luleve në Lumbardhin e Prizrenit, ku para 15 vjetësh ishte shpërndarë urna e aktorit nga Kosova me nam botëror, Bekim Fehmiu është i vetmi kujtim e nderim që i është bërë atij në 15-vjetorin e vdekjes. Organizimi i Teatrit të qytetit në Prizren që mban emrin e Fehmiut ka mbledhur një grup të vogël njerëzish në nderim të aktorit. Institucionet e tjera s’janë marrë fare me këtë përvjetor.

Nuk është ndarë çmimi “Bekim Fehmiu”, simbolika e vetme me të cilën është nderuar aktori një herë në vit nga Ministria e Kulturës. E planet e mëdha për figurën e Fehmiut të prezantuara katër vjet më parë nga kryeministri tash në detyrë Albin Kurti kanë mbetur premtime e propozime në sirtarët e Ministrisë së Kulturës.

Hedhja e luleve në Lumbardhin që ndan Prizrenin në dysh tashmë është bërë organizim tradicional. 

“Në këtë tubim simbolik, u hodhën lule në lumin Lumbardh – pikërisht aty ku është shpërndarë hiri i tij, në nderim të jetës dhe veprës së një prej figurave më të shquara të artit”, shkruhet në njoftimin e Teatrit të Prizrenit, “Bekim Fehmiu”. Aty bëhet me dije se të pranishëm në ceremoni ishin miq, familjarë dhe bashkëpunëtorë të afërt të artistit, të cilët ndanë kujtime dhe nderuan me respekt figurën e tij të paharrueshme.

Drejtori i këtij Teatri, Burim Mustafa, ka thënë se sikurse çdo vit edhe kësaj radhe e kanë kujtuar aktorin e  madh me lule në vendin ku është shpërndarë urna e tij. 

“Këtë vit nëpërmjet faqes së Teatrit kemi bërë thirrje për të na u bashkuar qytetarë e artdashës, por përgjigjja ishte minimale. Asnjë nga institucionet apo përfaqësues të organizatave kulturore apo artistë nuk kane qene prezent. Përveç pjesëtarëve të Teatrit ishte publicisti Fahri Musliu, disa shkrimtar prizrenas dhe dy zonja me lidhje familjare me Bekimin”, ka thënë ai. Mustafa ka thënë se do të vazhdojnë të punojnë edhe më tej për të kujtuar figurën e tij. 

“Në plan si institucion kemi pasur edhe aktivitete disaditore, plan të cilin e kemi diskutuar me fondacionin arkivor ‘Bekim Fehmiu’, por që për shkak të buxhetit të vogël që ka teatri nuk mund ta realizojmë”, ka thënë ai. Planifikimet institucionale ishin të tjera. 

Në ditën e parë të qershorit të vitit 2021, Ministria e Kulturës kishte organizuar një alamet ngjarje. Ceremonia e dhënies së çmimit kombëtar për vepër jetësore për kinematografi “Bekim Fehmiu” ishte zhvendosur nga kabineti i ministrit të Kulturës, tash në detyrë, Hajrulla Çeku, në “Kino Armatë”. Aty udhëheqësit institucionalë, në krye me kryeministrin tash në detyrë, Albin Kurti, kishin treguar se shteti do të kthejë kokën nga krijimtaria e aktorit të pashoq në këto anë. Por realisht derivati i deritashëm është veç një listë propozimesh për të dokumentuar veprimtarinë e Bekim Fehmiut, e cila ka mbetur në sirtarët e Ministrisë së Kulturës. Procesi nuk ka ecur më, siç ka ngjarë me shumë nisma të tjera kulturore që Qeveria i prezanton me pompozitet. 

Në 85-vjetorin e lindjes së aktorit shqiptar me nam botëror, Bekim Fehmiu, kryeministri Albin Kurti kishte bërë përmbledhje të biografisë së artistit nga Kosova. Por kishte shkuar edhe më tej. 

“Qeveria e Kosovës së bashku me institucionet e kulturës me kujdes do të kurojë një program vjetor dhe të përhershëm për nder të Bekim Fehmiut”, kishte thënë ai. Por katër vjet më vonë, lëre që nuk ka pasur “program vjetor dhe të përhershëm”, por as nuk është ndarë çmimi “Bekim Fehmiu”, simbolika e vetme me të cilën është nderuar aktori një herë në vit. 

Në ditën e premtimeve të mëdha ishte bërë me dije se ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka marrë vendim për emërimin e grupit punues për hartimin e planit shtetëror për nderimin, mbrojtjen, dokumentimin dhe promovimin e veprimtarisë së aktorit kosovar me famë botërore. Fadil Hysaj, Milazim Salihu, Fahri Musliu, Melihate Qena, Agon Fehmiu, Vlora Nikqi, Jehona Shyti, Bislim Bislimi, Ilir Gjocaj, Lum Çitaku dhe Burim Susuri, qenë anëtarët e grupit punues. 

Ky grup në fund të vitit 2021 do t’i propozonte Ministrisë së Kulturës që të themelohej kinoteka e Kosovës, “Bekim Fehmiu”, pjesë e saj të jetë Pavijoni i Bekim Fehmiut, një festival ndërkombëtar studentor i filmit dhe tetarit “Bekim Fehmiu”, përkthimi në anglisht i vëllimeve autobiografike “Shkëlqim dhe tmerr” e po ashtu monografisë “Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës”, me autor gazetarin veteran Fahri Musliu. Më pas propozohej që Presidenca t’i japë dekoratën më të lartë shtetërore post mortum Bekim Fehmiut, një fondacion me emër të aktorit që do të mbështeste edukimin e studentëve jashtë vendit, si dhe shfaqja e filmave ku luan Fehmiu në televizionin publik, përfshirë “Odisenë”. 

Gazetari veteran, Fahri Musliu, në shtatorin e vitit 2023, dy vjet pas propozimeve që kanë bërë, kishte njoftuar kolegët e grupit punues se më nuk do të jetë pjesë e këtij formacioni. Të dielën ka konfirmuar se nuk ka lëvizuar asgjë. 

“Jo që nuk ka, por MKRS-ja as vjet as sivjet nuk e ka ndarë çmimin vjetor ‘Bekim Fehmiu’ i themeluar me ligj dhe duhet të ndahet çdo vit më 1 qershor në ditëlindjen e Bekimit. Para katër vjetësh kryeministri Kurti pati premtuar publikisht se shteti do të kujdeset për figurën e aktorit Bekim Fehmiut, por vetëm rrena e mashtrime se as filmin nuk e ndihmoj qeveria as MKRS-ja”, ka thënë ai. Sipas tij, ngjashëm po vepron edhe Komuna e Prizrenit. 

“Përkundër premtimeve publike të kryetaritTotaj gjatë fushatës më 2021 dhe premtimeve që m’i ka dhënë mua, dhe përkundër kërkesës që atij me shkrim t’ia dërgoj propozimet për projektet që ka të bëjnë me Bekimin, nuk e kanë realizuar asnjë”, ka thënë ai. Muslia i ka dërguar propozime konkrete Komunës së Prizrenit. 

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku ka thënë se në Kinemanë ABC do të bëhet një kënd i Bekim Fehmiut. 

“Tashmë janë duke u krijuar kushtet që në kinemanë ABC të kemi këndin e Bekim Fehmiut pasi ndërtesa po bartet te Ministria e Kulturës. Nëpërmjet këndit me disa prej gjësendeve të aktorit të madh do të kemi një hapësirë për të kujtuar e nderuar trashëgiminë e tij prej aktori të përmasave botërore”, ka thënë Çeku të dielën. Po ashtu ka përmendur edhe restaurimin e veturës së Fehmiut, tash pronë e fotografit Burim Myftiu. Bëhet fjalë për një “Peugot 404” prodhuar në vitin 1967. 

Në ceremoninë e vitit 2021 ishte shfaqur filmi “Mbledhësi i puplave” nën regji të Aleksandar Petroviqit, fitues i çmimit “Grand Prix” në Festivalin Cannes, 1967. Me Bekim Fehmiun si protagonistin kryesor (Beli Bora), filmi ka shpalosur tensionet e një komuniteti rom, ku një shitës lokal i puplave dashurohet me një vajzë shumë më të re në moshë.

Bekim Fehmiu u lind në Sarajevë në vitin 1936 nga një familje e njohur gjakovare, ndërkohë që fëmijërinë e kaloi në Prizren. Ai u bë i famshëm në vitin 1966 pikërisht me filmin “Mbledhësit e puplave” dhe më pas pasuroi karrierën me filmat si: “Aventurieri”, “Të kuq dhe të zinjtë”, “Odiseu” dhe “Përgjithmonë Julia”, duke interpretuar në disa gjuhë dhe përkrah artistëve më të mëdhenj të kohës. Në vitin 1987 Fehmiu braktisi në mënyrë demonstrative shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin, duke ia dhënë lamtumirën aktivitetit artistik në Jugosllavi.

Në vitin 2010, ai kishte kryer vetëvrasje në banesën e tij në Beograd, derisa bashkëshortja Branka Petriq, bashkë me dy djemtë, Uliksin dhe Hedonin, dhe familjarë të tjerë, patën çuar në vend amanetin e aktorit të ndjerë me hedhjen e hirit të tij në Lumbardhin e Prizrenit.