Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Berlinalja” përballë akuzave për heshtje lidhur me luftën në Gazë

“I bëjmë thirrje ‘Berlinales’ të përmbushë detyrimin e saj moral dhe të shprehë qartë kundërshtimin ndaj gjenocidit të Izraelit...”, shkruhet në letrën e cila “Berlinalen” e ka vënë përballë akuzave për heshtje e censurë

“I bëjmë thirrje ‘Berlinales’ të përmbushë detyrimin e saj moral dhe të shprehë qartë kundërshtimin ndaj gjenocidit të Izraelit...”, shkruhet në letrën e cila “Berlinalen” e ka vënë përballë akuzave për heshtje e censurë

I cilësuar si njëri prej festivaleve më politike, “depolitizimi” i tij për luftën në Gazë, ka nxitur akuza për heshtje e censurë. “Jemi të tronditur nga përfshirja e “Berlinales” në censurimin e artistëve që kundërshtojnë gjenocidin e vazhdueshëm të Izraelit ndaj palestinezëve në Gazë dhe rolin kyç të shtetit gjerman në mundësimin e tij”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të më shumë se 80 personazheve të industrisë së filmit

Më shumë se 80 aktorë, regjisorë dhe skenaristë, që po marrin pjesë ose kanë marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin kanë nënshkruar një letër të hapur duke e dënuar “heshtjen institucionale” dhe “censurën” e “Berlinales” lidhur me luftën në Gazë.

Letra e hapur, e publikuar fillimisht nga revista dhe uebfaqja e njohur amerikane “Variety” më 17 shkurt, u nënshkrua nga emra si aktorja britanike Tilda Swinton, aktori spanjoll Javier Bardem, regjisori brazilian Fernando Meirelles dhe kineasti britanik Mike Leigh.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vjen si reagim ndaj komenteve të bëra nga kryetari i jurisë së festivalit, regjisori gjerman Wim Wenders, i cili javën e kaluar, duke iu përgjigjur një pyetjeje të një gazetari për mungesën e një deklarate publike për Gazën, ka thënë “duhet të mbesim jashtë politikës”.

Autorja dhe kineastja indiane e vlerësuar me çmime, Arundhati Roy u tërhoq nga pjesëmarrja në “Berlinale” këtë vit si reagim ndaj komenteve të Wendersit.

“Jemi të tronditur nga përfshirja e “Berlinales” në censurimin e artistëve që kundërshtojnë gjenocidin e vazhdueshëm të Izraelit ndaj palestinezëve në Gazë dhe rolin kyç të shtetit gjerman në mundësimin e tij”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Organizata të shumta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe një komision hetimor i OKB-së kanë konstatuar se lufta e Izraelit në Gazë, e nisur si përgjigje ndaj sulmeve të udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor 2023, përbën gjenocid. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) po shqyrton gjithashtu një çështje të ngritur nga Afrika e Jugut, e cila akuzon Izraelin për shkelje të Konventës për Gjenocidin të vitit 1948. Izraeli i ka mohuar vazhdimisht akuzat për gjenocid. Gjermania ka ndërhyrë zyrtarisht në GJND në mbështetje të Izraelit, duke hedhur poshtë akuzat për gjenocid të ngritura nga Afrika e Jugut.

Aktorët dhe kineastët që kanë nënshkruar letrën e hapur argumentojnë se në Gjermani ekziston një kulturë më e gjerë që ka mbytur zërat në favor të të drejtave të palestinezëve.

“Ne nuk pajtohemi fuqishëm me deklaratën e bërë nga presidenti i jurisë së “Berlinale” 2026, Wim Wenders, se filmbërja është ‘e kundërta e politikës’”, thuhet në letrën e hapur. “Nuk mund t’i ndash njërën nga tjetra”.

Në letër theksohet se “Berlinalja” në të kaluarën ka bërë “deklarata të qarta” për “mizoritë” e kryera kundër civilëve në Ukrainë dhe Iran.

“I bëjmë thirrje ‘Berlinales’ të përmbushë detyrimin e saj moral dhe të shprehë qartë kundërshtimin ndaj gjenocidit të Izraelit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës ndaj palestinezëve, si dhe të ndërpresë plotësisht përfshirjen e saj në mbrojtjen e Izraelit nga kritikat dhe thirrjet për llogaridhënie”, shkruhet në letër.

Drejtoresha e “Berlinales”, Tricia Tuttle, i ka hedhur poshtë akuzat për censurë.

“Nuk është e vërtetë që ne po i heshtim kineastët. Nuk është e vërtetë që programuesit tanë po i frikësojnë kineastët. Në fakt, është e kundërta”, ka thënë Tuttle për “Deutsche Welle”. “Ne duam të krijojmë një platformë në ‘Berlinale’ për lirinë e shprehjes. Duam të mbrojmë të drejtën e njerëzve për të folur”.

Drejtoresha e festivalit ka thënë se letra ishte e dhimbshme për t’u lexuar, veçmas pasi ajo i njeh personalisht disa nga nënshkruesit. “Do të doja shumë që ata të vinin fillimisht te ne për të biseduar për këtë çështje”, ka thënë ajo duke vënë në dukje se konflikti Izrael-Gaza është “ndoshta çështja politike më urgjente e kohës sonë”, por shtoi se përtej atyre që bëjnë fushatë për të drejtat e palestinezëve, ka edhe “njerëz që kërkojnë më shumë kompleksitet në bisedë”.

“Është kaq polarizuese sa është shumë e vështirë të zhvillohet ajo bisedë në një festival filmi”, ka thënë ajo.

Një nga argumentet e atyre që i kërkojnë “Berlinales” të ketë një qëndrim zyrtar për këtë çështje është se festivali e ka bërë këtë edhe për konflikte të tjera në të kaluarën, për shembull duke kundërshtuar pushtimin rus të Ukrainës dhe duke mbështetur protestuesit antiqeveritarë në Iran.

Por Tuttle, e cila ka qenë drejtoreshë e “Berlinales” në dy vjetët e fundit ka thënë se nga përvoja e saj e mëparshme si drejtoreshë e Festivalit të Filmit në Londër ka kuptuar se kur merret një qëndrim për çështje madhore gjeopolitike që nuk lidhen me filmat në festival, ajo bëhet histori e festivalit.

“Dua që platforma e festivalit t’u jepet 287 zërave, kineastëve që janë në festival dhe që shprehin lloj-lloj mendimesh komplekse për botën ku jetojmë, disa drejtpërdrejt dhe disa tërthorazi, disa në mënyrë të nënkuptuar, disa jo aq të nënkuptuar. Vërtet dua që ajo hapësirë të jetë për ta”, ka thënë ajo.

Drejtoresha e festivalit tha se këtë vit u befasua nga qasja e gazetarëve që bënin pyetje politike që nuk kishin lidhje me filmat për të marrë përgjigje “që mund të përmblidheshin në një frazë të shkurtër dhe më pas të shndërroheshin në një moment viral”.

Sipas saj, fraza e shkurtër e Wim Wenders e keqinterpreton atë që regjisori në të vërtetë ka thënë, si dhe vlerat që ai ka promovuar gjatë karrierës së tij pesëdekadëshe.

“Është jashtëzakonisht e dëmshme, jo vetëm për festivalin, por për të gjithë kulturën, që njerëzit detyrohen të flasin. Dhe nëse nuk flasin, kjo shihet si fyerje për disa. Nëse flasin dhe nuk thonë atë që ai i cili pyet dëshiron të dëgjojë, kjo është po ashtu fyerje. Dhe nëse thonë gjënë e gabuar, atëherë bëhet një problem i madh”, ka thënë ajo.

Edicioni i 76-të i “Berlinales” u hap të enjten e kaluar me filmin “No Good Men”. Komedia e parë romantike nga Afganistani, që sfidon zhanret, shfaqet jashtë konkurrencës në festival, dhe zhvillohet në Afganistan pak para kthimit të talebanëve në pushtet në vitin 2021. “Filmat mund të ndryshojnë botën”, kishte thënë presidenti i jurisë së “Berlinales”, Wim Wenders, para hapjes zyrtare.