Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Bienalja e Venecias mbetet pa juri, intensifikohen përplasjet për Rusinë e Izraelin

Në një deklaratë të mëparshme, organizatorët e Bienales së Venecias kishin mbrojtur pavarësinë e jurisë, duke e përshkruar qëndrimin e saj si “një shprehje natyrore e lirisë dhe autonomisë” që institucioni garanton

Në një deklaratë të mëparshme, organizatorët e Bienales së Venecias kishin mbrojtur pavarësinë e jurisë, duke e përshkruar qëndrimin e saj si “një shprehje natyrore e lirisë dhe autonomisë” që institucioni garanton

Lejimi i pjesëmarrjes së Rusisë dhe Izraelit në Bienalen e Artit në Venecie kanë kulmuar me dorëheqjen e jurisë. Fituesit do t’i përzgjedhë vota e publikut përderisa përplasjet janë intensifikuar edhe në qarqet politike

Bienalja e 61-të e Venecias ka humbur jurinë e saj ndërkombëtare vetëm disa ditë para hapjes paraprake – pika më e mprehtë deri tani në një debat të tejzgjatur mbi pjesëmarrjen e Izraelit dhe Rusisë në edicionin e këtij viti.

Juria prej pesë anëtarëve, e kryesuar nga kuratorja braziliane, Solange Farkas, kishte njoftuar më 22 prill se do të “përmbahej nga shqyrtimi” i vendeve, udhëheqësit e të cilave janë subjekt i urdhërarresteve nga Gjykata Ndërkombëtare Penale – një referencë e drejtpërdrejtë ndaj Benjamin Netanyahut, kryeministër i Izraelit dhe Vladimir Putinit, president i Rusisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Më 30 prill, anëtarët e jurisë dhanë dorëheqje kolektive duke deklaruar: “Ne, juria ndërkombëtare e përzgjedhur nga Koyo Kouoh, drejtoreshë artistike e edicionit të 61-të të Bienales ‘In Minor Keys’, kemi dhënë dorëheqje. E bëjmë këtë në përputhje me deklaratën tonë të lëshuar më 22 prill 2026”.

Nuk është e qartë nëse jurisë iu kërkua të tërhiqej nga Fondacioni i Bienales. Në një deklaratë të lëshuar të njëjtën ditë, organizatorët e Bienales pranuan dorëheqjen e jurisë dhe njoftuan se ceremonia e ndarjes së çmimeve do të shtyhet nga 9 maji në 22 nëntor, dita e fundit e ekspozitës.

Në mungesë të një jurie tradicionale, Bienalja ka hapur për herë të parë procesin e votimit për publikun.

“Kjo është në përputhje me frymën themeluese të Bienales, e bazuar në hapje, dialog dhe refuzimin e çdo forme mbylljeje apo censurimi”, ka njoftuar Fondacioni. “Bienalja e Venecias synon të jetë – dhe duhet të mbetet –  një vend armëpushimi në emër të artit, kulturës dhe lirisë artistike”.

Juria kryesohej nga Solange Oliveira Farkas, themeluese dhe drejtoreshë artistike e shoqatës kulturore “Videobrasil”, dhe përfshinte Zoe Butt, kuratore dhe themeluese e institutit “in-tangible” dhe drejtoreshë artistike e “Decentral” në Chiang Mai, Elvira Dyangani Ose, kuratore dhe drejtoreshë artistike e Bienales së Artit Publik në Abu Dhabi, Marta Kuzma, kuratore dhe profesoreshë në shkollës së artit “Yale” dhe Giovanna Zapperi, historiane arti dhe profesoreshë në Universitetin e Gjenevës.

Bienalja njoftoi se vizitorët do të zgjedhin fituesit e dy çmimeve: “Luani i Artë”: “Pjesëmarrësi më i mirë” në ekspozitën e 61-të “In Minor Keys” dhe “Pjesëmarrja më e mirë” ndër 100 pavijonet kombëtare. Çmimet do të jepen në ditën e mbylljes, më 22 nëntor.

Koyo Kouoh, e cila ishte zgjedhur si kuratore kryesore — gruaja e parë afrikane që mbante këtë rol — kishte hartuar kornizat e ekspozitës “In Minor Keys”, përpara se të diagnostikohej me një kancer agresiv nga i cili vdiq vitin e kaluar në moshën 57-vjeçare.

Këto zhvillime të fundit vijnë ndërsa bota e artit përgatitet të mblidhet në Venecia për ditët paraprake që fillojnë më 5 maj, përpara hapjes publike të ekspozitës më 9 maj.

Reagimi ndaj qëndrimit të mëparshëm të jurisë ishte i menjëhershëm. Ministria e Jashtme e Izraelit e kritikoi këtë veprim si politizim të ekspozitës, ndërsa artisti izraelit, Belu-Simion Fainaru, ka thënë se kjo krijoi një “mjedis armiqësor dhe degradues” dhe e vendosi vendin e tij në disavantazh.

Belu-Simion Fainaru, një skulptor që përfaqëson Izraelin këtë vit, kishte konsultuar avokatë lidhur me vendimin e jurisë së Bienales. Të mërkurën, ministri i Kulturës i Italisë e telefonoi Fainarun për të shprehur mbështetjen e tij, sipas një njoftimi për shtyp.

Fainaru, 66 vjeç, ka thënë në një intervistë se ishte i kënaqur që juria kishte dhënë dorëheqje.

“Vendimi i tyre më diskriminonte në bazë racore”, ka thënë ai. “Unë jam artist dhe kam të drejta të barabarta dhe nuk mund të gjykohem nga përkatësia ndaj një vendi apo race. Duhet të gjykohem vetëm nga cilësia dhe mesazhi i artit tim”, ka thënë Fainaru.

Fainaru ka thënë se vendimi fillestar i jurisë i kujtoi atij veprimet e ndërmarra kundër babait të tij në Rumani gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në atë kohë, sipas Fainarus, babait të tij iu ndalua të jepte mësim në universitet dhe më pas u dërgua në një kamp pune të detyruar për tre vjet.

“Nuk e mendoja që diskriminimi do të më ndodhte mua apo ndonjë artisti tjetër që punon sot në Itali”, ka thënë Fainaru.

Edhe figura tjera politike italiane reaguan. Kryeministrja Giorgia Meloni përsëriti se qeveria nuk e kishte mbështetur vendimin e marrë nga presidenti i Bienales, Pietrangelo Buttafuoco, për të lejuar pjesëmarrjen e Rusisë, ndërsa njohu autonominë e Bienales.

“Unë vetë nuk do ta kisha bërë këtë zgjedhje”, ka thënë ajo në një konferencë për shtyp. “Por Bienalja është një organ i pavarur”.

Zëvendëskryeministri Matteo Salvini ka mirëpritur vendimin për kalimin në votim publik, duke e përshkruar si një alternativë pozitive ndaj vendimeve të marra nga juria.

Në një deklaratë të mëparshme, organizatorët kishin mbrojtur pavarësinë e jurisë, duke e përshkruar qëndrimin e saj si “një shprehje natyrore e lirisë dhe autonomisë” që institucioni garanton.

Dorëheqjet dhe prezantimi i çmimeve të udhëhequra nga vizitorët shënojnë një devijim të rëndësishëm nga traditat e kahershme të Bienales së Venecias – e cila daton nga viti 1895, kur u organizua Ekspozita e parë Ndërkombëtare e Artit – duke shtuar më tej pasigurinë në një edicion tashmë të formësuar nga tensionet politike dhe trazirat institucionale.

Ekspozita bashkëkohore e artit e Bienales është më e vjetra dhe më e rëndësishmja në botë, duke përfshirë një ekspozitë kryesore të kuruar së bashku me pavijone kombëtare, të cilat kurohen veçmas nga vendet pjesëmarrëse.  Bienalja e artit zakonisht tërheq më shumë se 600 mijë vizitorë gjatë shtatë muajve të saj.

Ky tekst bazohet në raportimet e mediave botërore. Përgatiti: Edona Binaku