Një komedi situatash e karakteresh e shtrirë brenda një teksti dramaturgjik e ka bërë regjisorin Agim Sopi fitues të sivjetmë në konkursin tashmë tradicional për Dramën Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”.
Sipas jurisë pesëanëtarëshe, drama e tij “Cari i Carave” është vlerësuar me çmimin e parë në konkursin e sivjetshëm.
Të mërkurën paradite, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka nënshkruar vendimet për tri çmimet vjetore për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020.
Kështu, bazuar në vendimin nr. 3672/2020, të datës 28 tetor, sipas konkursit të shpallur publik, fillimisht juria i kishte publikuar rezultatet me shifra.
Në vendimin e porsashpallur, pos çmimit të parë për laureatin Agim Sopi, çmimi i dytë i është ndarë dramës “Shtëpia e të humburve” të autorit Zgjim Baraliu, kurse çmimi i tretë i është akorduar dramës “Era” të autores Albana Muja.
Gjatë nënshkrimit të tri vendimeve, ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ndërsa ka uruar fituesit e sivjetmë për kontributin e tyre në krijimtari artistike, vlerësoi punën e jurisë profesionale.
“Si Ministri, përmes këtyre çmimeve, ne e tregojmë mirënjohjen për autorët që shkruajnë drama si dhe nxisim krijimtarinë e vlerat e mirëfillta”, ka thënë ministrja Dumoshi, siç përcjell kumtesa e afishuar në faqen e MKRS-së.
Në bazë të vendimit, çmimi i parë është shoqëruar me shpërblim financiar prej 3600 eurosh, i dyti me 2400 euro dhe i treti me 1200.
Juria e sivjetme kishte në përbërje Selman Jusufin si kryesues, kurse anëtarë Arian Krasniqin, dramaturg, Ilir Bokshin, regjisor, Naser Shatrollin dramaturg dhe përfaqësues i MKRS-së si dhe Adrian Morinën, aktor.
Në fakt, çmimi do të duhej të ishte ndarë më 9 tetor, pikërisht në ditëlindjen e Katarina Josipit. Por, infektimi me korovavirus i njërit prej fituesve është përmendur nga MKRS-ja si arsye që ka pamundësuar organizimin e një ceremonie.
Siç ka mësuar KOHA, fituesi i çmimit të parë, Agim Sopi, është shtruar prej ditësh në Klinikën Infektive.
Artisti i ri Zgjim Baraliu, që ishte fitues i çmimit të dytë, e ka vlerësuar si nder të madh këtë çmim që jepet për një zhanër të papërkrahur si drama. Ai ka treguar se pas diplomimit në Akademinë Amerikane të Arteve në New York ishte kthyer përkohësisht në vendlindje për të krijuar një projekt për të cilin nuk shkruhej edhe shumë.
“Temën që zgjodha vjen nga eksperienca dhe vendosa ta ktheja në dramë”, ka thënë Baraliu për KOHËN.
Me çmimin e porsamarrë, ai ka bërë të ditur se dramën “Shtëpia e të humburve” synon ta përkthejë në gjuhën angleze.
“Do ta dërgoj në Shtetet e Bashkuara, ku edhe pres me shumë vetëbesim krijimin e një projekti në format filmi të bazuar po në këtë dramë”, ka thënë Baraliu.
Edhe fituesja e çmimit të tretë, Albana Muja, ka thënë se çmimi e ka motivuar që të fillojë menjëherë me punën e radhës.
“Në këto kohë jo të lehta për secilin nga ne, më e mira që do mund të ndodhte është të të vlerësohet puna, aq më shumë kur vlerësohesh me ndonjë çmim dhe sigurisht që renditet ndër çmimet më të rëndësishme, duke kujtuar që nuk ka ndonjë më të madh për dramë origjinale shqipe në vend”, ka thënë Muja.
Rreth 30 autorë kishin shprehur interesim për konkursin e shpallur më 22 korrik nga MKRS-ja.
Sipas Naser Shatrollit, i cili ishte njëri nga anëtarët e jurisë, në garë kanë aplikuar tekste të mira.
“Pjesa dërmuese e tyre kanë bërë përpjekje, sikundërqë nuk ishte aspak e lehtë për t’u përcaktuar”, ka thënë Shatrolli, i cili ka bërë të ditur se juria kishte diskutuar për dy ditë radhazi deri në shpalljen e fituesve.
Ndonëse ka vlerësuar se prurjet në përgjithësi ende nuk janë në piedestalin e kërkuar, sipas tij, konkursi i Ministrisë për Dramë Origjinale Shqipe “ngelet vlerë unike për dramën kombëtare shqipe”.
Ndërkaq, duke folur për dramën fituese “Cari i Carëve”, ai ka vlerësuar se ajo ishte projekt madhor e me brumë cilësor.
“Drama fituese e vendit të parë është format i komedisë së situatave, format i komedisë së karakterit”, ka shtuar Shatrolli.
Sipas kritereve të përmendura në konkursin e sivjetmë, drama fituese konsiderohet si dramë potenciale për t’u inskenuar në një nga sezonet e ardhshme në Teatrin Kombëtar të Kosovës, kurse dy dramat e tjera, fituese të çmimit të dytë dhe të tretë, fitojnë të drejtën për lexime skenike në TKK. Po ashtu, tri dramat fituese do të botohen në një edicion të veçantë në gjuhën shqipe.
Ndërkaq, për konkursin e vitit 2019, ku kishin aplikuar 22 tekste dramatike, ceremonia e ndarjes së çmimeve u bë me 13 korrik të këtij viti.
Sipas jurisë me përbërje të Ekrem Kryeziut, si kryesues, dhe anëtarëve Getoarbë Mullqi, Vlorë Nikçi, Ardian Morina dhe Jehona Shyti, dramaturgut Osman Goranci i ishte akorduar çmimi i parë për komedinë “Gratë dhe Napoloni”. Po ashtu, sipas vendimit të jurisë, çmimin e dytë e kishte marrë Ibush Arifi me dramën “Lufta e gruas”, kurse të tretin drama “Sose”, autori i të cilës nuk ishte lajmëruar për ta tërhequr çmimin.