Kulturë

Daka: Artistët janë të ndjeshëm si fëmijë

“Artistët janë të ndjeshëm si fëmijë, por me kalimin e viteve bëhen edhe më të ndjeshëm”. Këto ishin fjalët e profesorit dhe regjisorit Luan Daka, teksa mbante në duar Çmimin për Vepër Jetësore të ndarë nga institucioni më i lartë kulturor në vend.

Paraditen e së premtes, gjatë një ceremonie solemne, MKRS ka bërë ndarjen e çmimeve vjetore për teatër.

Në mungesë të ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi, e cila nuk ishte e pranishme për shkak të mbledhjes së dy qeverive shqiptare në Tiranë, zëvendësministri Engelbert Zefaj ka përshëndetur laureatët e pranishëm.

“Kam kënaqësinë që jam mesh jush në këtë ditë të rëndësishme për teatrin”, ka thënë ai.

Fill pas kësaj, kryesuesja e jurisë pesëanëtarëshe që përzgjodhi fituesit e sivjetmë, Marigona Bekteshi, ka lexuar vlerësimet për secilin nga laureatët.

Kështu, sipas vendimit të jurisë, Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore iu akordua profesorit dhe artistit Luan Daka. Sipas vlerësimit, ai është një nga gjeneratat e para të atyre që kanë studiuar për aktrim në Shkollën e Lartë Pedagogjike, pastaj ndër të vetmit nga Kosova që ka studiuar në Moskë për regji filmi.

“Ky çmim i ndahet artistit Daka, duke u bazuar në kreativitetin e thellë, inovacionin dhe origjinalitetin që ai përfaqëson në fushën e artit demokratik si në teatër, film, televizion dhe radio”, është thënë në motivimin e çmimit.

Sipas jurisë, Daka është autor tekstesh skenike, regjisor shfaqjesh, radiodramash, aktor i suksesshëm në teatër e film, ekspert në fushën teatrore e filmike si dhe anëtar i jurive profesionale.

“Në rrafshin akademik, që nga viti 1988, me përkushtimin e profesionalizmin e tij ka nxjerrë me dhjetëra gjenerata të suksesshme të aktorëve. Kontributi i tij për ngritjen e nivelit artistik në Kosovë është i jashtëzakonshëm dhe pak artistë të kalibrit të tij kanë pasur kapacitetin që veprimtarinë e tyre ta shtrijnë si në nivelin artistik, ashtu edhe në nivelin akademik”.

Sipas Rregullores së Ministrisë, Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore u ndahet personaliteteve të shquara të fushës së teatrit, për suksesin, të arriturat gjatë karrierës, risitë dhe kontributin e veçantë në avancimin e fushës së teatrit. Ky çmim shoqërohet edhe me shpërblimin prej 5 mijë eurosh.

Duke pranuar çmimin, profesor Daka ka falënderuar Ministrinë për, siç ka thënë, përkrahjen morale, financiare e profesionale të artistëve.

“Këto vitet e fundit artistët janë dëshmuar me vlera të shkëlqyera artistike si brenda, ashtu edhe jashtë”, ka thënë profesori 69-vjeçar.