Është edhe një lloj përpjekjeje për të dokumentuar atë që lehtë ikën. E publikut i sjell përballë atë që ka mbetur. Në kafe-galerinë “Lavjerrs” fotografitë e Arben Llapashticës qëndrojnë si relikte kujtese që marrin frymë nëpërmjet imazhit. Fotografitë e tij kanë përjetësuar imazhe objektesh, hapësira e njerëzish. Disa prej protagonistëve në ato nuk jetojnë më, e disa peizazhe kanë ndryshuar a janë zhdukur krejtësisht. Por imazhi ka mbetur. Ai ka rikrijuar fotografitë duke u kthyer dhjetë vjet pas, duke shkrepur po të njëjtat fotografi me të njëjtët njerëz
Ekspozita “Dostat e Janjevës” e fotografit të njohur, Arben Llapashtica, nuk është thjesht rikthim në arenën e shkrepjeve të tij artistike, por edhe rikthim në kohë. Është edhe një lloj përpjekjeje për të dokumentuar atë që lehtë ikën. E publikut i sjell përballë atë që ka mbetur. Në kafe-galerinë “Lavjerrs” fotografitë e tij qëndrojnë si relikte kujtese që marrin frymë nëpërmjet imazhit.
Fotografitë e tij kanë përjetësuar imazhe objektesh, hapësira e njerëzish. Disa prej protagonistëve në ato nuk jetojnë më, e disa peizazhe kanë ndryshuar a janë zhdukur krejtësisht. Por imazhi ka mbetur.
Ai ka rikrijuar fotografitë duke u kthyer dhjetë vjet pas, duke shkrepur po të njëjtat fotografi me të njëjtët njerëz.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë thelb të kësaj ekspozite qëndron një ide sa e thjeshtë aq edhe tronditëse. Po ajo që ngjan me dallimin dhe të tashmen që ndryshon pa kuptuar. Vendet ndryshojnë dhe njerëzit ikin. Por kujtimet bëjnë të kuptohet diferenca.
Edhe rikthimi i Llapashticës pas dhjetë vjetësh në të njëjtat hapësira, me të njëjtit njerëz – ose me mungesën e tyre – ka qenë si dialog midis dy kohësh. Nostalgjia flet me zë në këto imazhe dhe kjo është pjesa poetike e fotografive profesionale pa i ngarkuar ato.
Një grup miqsh pranë një veture të vjetër janë imazhi në një fotografi. Pranë saj qëndron një tjetër identike. E para e shkrepur më 2010, e tjetra dhjetë vjet më pas. Miqësia është e njëjta, por rrethanat jo. Në të njëjtin vend ku në prapavijë shihej një shtëpi tashmë nuk është më. As vetura pranë së cilës grupi gjendet. Një tjetër rikrijim i fotografisë janë dy imazhe të tre të rinjve. Dy fotografitë janë shkrepur në të njëjtën periudhë.
Autori i fotografive ka shpjeguar sesi jo rastësisht fotografitë janë rikrijuar.
“Nuk është menduar të jetë një ekspozitë kështu, por në vitin 2010 kam takuar disa fëmijë të cilët i kam bërë shokë shumë të afërt. Janë shumë më të ri se unë por kur shkoj në njohin, më respektojnë, më shoqërojnë. Nga pak edhe më ruajnë nga qentë. Sebastianin e kam takuar pas dhjetë vitesh dhe e kam lutur t’i mbledh shokët e tij në fotografinë e para dhjetë viteve dhe e kemi rikrijuar. Jemi munduar ta bëjmë të njëjtën, por për fat të keq, vetura dhe shtëpia prapa nuk ekzistojnë, janë shkatërruar”, është shprehur fotografi i mirënjohur, Arben Llapashtica.
Imazhet janë një lloj metafore e fëmijërisë që nuk njeh rrënim – ndërkohë që hapësira përreth ngadalë zhduket.
Në një tjetër fotografi, tre djem ecin në borë duke mbajtur mjete të thjeshta loje punëdore. Por kur kjo fotografi vendoset përballë versionit të saj pas një dekade nxit nostalgjinë për të kaluarën.
“Ka edhe momente tjera prej Janjevës. Janë edhe dy pleq që për fat të keq nuk janë më në jetë, por kur i kam pyetur se sa vjeç janë ata thonin se ishin nga njëqind vjeç. Shoh shumë momente të paraluftës aty sidomos ajo fotografia ikonike me saja të vjetra që rrallë sheh më kështu. Kjo është arsyeja pse vazhdoj të shkoj atje dhe të kap këso lloj momentesh”, ka thënë Llapashtica i cili me këtë art merret për mbi dy dekada.
Ai është një prej vizitorëve të shpeshtë të Janjevës, nja njëzet minuta larg prej kryeqytetit. Me shkrepjet e tij ka promovuar qytezën e cila para luftës ishte e banuar kryesisht me kroatë. Edhe sot njihet për diversitetin e ndërtesat e vjetra të një arkitekture të veçantë.
Boshatisjen e tij e vëren qartë Llapashtica për të cilin hapësirat e braktisura janë prej objekteve që i interesojnë jo veç për t’i vizualizuar në korniza fotografish, por edhe për të bërë thirrje me imazhet e tij.
“Më pëlqen t’i vizitoj dhe dokumentoj hapësirat e braktisura e t’i prezantoj, ndoshta me kushtin që dikush ndërmerr ndonjë iniciativë për t’i ribërë. Një prej vendeve më të dashura të miat është padyshim Janjeva, pas Novobërdës. Prej kur kam qenë për herë të parë para shumë vitesh vazhdimisht kam shkuar. Është afër Prishtinës, por për fat të keq është një fshat i lënë anash. Për fat edhe më të keq ka qenë e banuar nga komuniteti kroat dhe serbët u kanë bërë presion e ata e kanë lëshuar vendin. Rikthehen kohë pas kohe për festa, por fshati ka qenë i banuar në shtëpi unike të cilat kanë filluar të shkatërrohen”, është shprehur ai për KOHËN.
Ka thënë se vendi është i lënë anash.
“Fshati është multietnik me shqiptarë, kroatë e romë. Vërehet qartë që është i lënë anash. Kohëve të fundit janë marrë disa iniciativa dhe janë restauruar disa shtëpi me idenë që ndoshta të kthehen kroatët. Por kur i pyes se a do të kthehen, thonë se e kanë të vështirë të kthehen pas kaq kohësh. Ata kthehen për festa”, është shprehur Llapashtica.

Si fotograf me audiencë të gjerë në rrjetet sociale, fotografia e tij edhe ka pasur ndikim. Ka theksuar restaurimet e shtëpive në atë zonë, por ai është shprehur skeptik se ndërhyrjet do të kenë efekt.
“Ideja e shtetit me organizata si UNDP dhe BE i kanë restauruar për ta shndërruar hapësirën në një lloj turizmi i cili nuk di sa do të funksionojë. Duhet më shumë punë dhe promovim sepse është afër dhe shumë vend atraktiv. Shtëpitë janë unike duke qenë se shumica e bizneseve, si zanatlinj që kanë qenë, kanë qenë në shtëpitë e tyre. Kanë punuar shumë lodra prej plastikës dhe aty vazhdojnë të gjenden makinat e vjetra për modifikimin e lodrave”, ka vazhduar Llapashtica, i cili e ka filluar karrierën profesionale në vitin 2001 si kameraman dhe në pozitën e drejtorit të fotografisë në televizion, në Kohavision.
Si pjesë e ekipit të KTV-së, si kameraman dhe drejtor fotografie, ka realizuar dhjetëra dokumentarë. Përmes xhirimeve ka dokumentuar proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova, deri në pavarësi. Për së afërmi, me video dhe foto ka ndjekur periudhën transitore të pasluftës, trazirat, proceset negociatore, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.
Me fotografi merret që nga viti 2008 dhe është i angazhuar si fotograf dhe kameraman në disa institucione. Ka fituar me shumë se njëzet çmime dhe shpërblime për video dhe fotografi, kurse imazhet e shkrepura nga ai janë ekspozuar brenda dhe jashtë Kosovës.
Ekspozita e tij “Dostat e Janjevës” ishte ekspozuar edhe në shtator të vitit 2022 në Shtëpinë e Evropës në Kosovë.
Ekspozita vjen në “Lavjerrs” si rrëfim për zhdukjen graduale të peizazhit fizik e atij njerëzor. Është dëshmi se hapësirat ndryshojnë, njerëzit ikin por fotografia i reziston harresës. Kësisoj arti ka fuqinë të ndalojë kohën, qoftë edhe për një çast.