Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“ë” me personazhin e pafjalë të gjuhës së shtypur

Jehona Kicaj

“Unë parimisht kam vendosur që të shkruaj një roman e jo një libër publicistik, pasi në roman kam më shumë liri. Liri në zhanër dhe në përmbajtje. Kam dashur ta kem këtë liri për këtë temë. Jam shërbyer me kujtimet që kam, e po ashtu me përvojat e të tjerëve. Kam hulumtuar shumë. Fragmente të hulumtimit ka edhe në roman. Ka deklarata dëshmitarësh, materiale të Tribunalit të Hagës e pastaj materiale të tjera”, ka thënë Jehona Kicaj, e cila ka prejardhje nga Komuna e Suharekës

“Baza e romanit tim të parë është pafjalësia”, ka thënë prerazi Jehona Kicaj. Studiuesja e letërsisë gjermane, në romanin e saj të parë që ka bërë bujë në botën gjermanofolëse bashkon përvojat personale, studimet për popullin prej nga vjen e të dhëna të tjera historike. Duke u dhënë ngjyrën e fiksionit, historitë reale ajo i sjell në letërsinë e një gjuhe që s’është marrë aq me atë që ka ngjarë në Kosovë. Vepra e saj “ë” vjet qe midis pesë më të vlerësuarave në Gjermani. Vepër që hyri në listën e ngushtë për Çmimin Gjerman të Librit

Në vitin 1999 personazhi është rreth 9 vjeç. Vjen nga një vend i shkatërruar nga lufta. U lind në një shtëpi që e dogji lufta dhe ka dëgjuar ninulla në një gjuhë të shtypur. Personazhi është një vajzë shqiptare që si foshnjë në fillim të viteve ’90 bashkë me familjen u zhvendos në Gjermani pasi Kosova nga regjimi serb po përjetonte shtypje të krejt formave, e edhe të drejtës së fjalës. Shtypje që rezultoi me luftë. Dhe personazhi konsideron se origjinën e ka në pafjalësi. Është personazhi i romanit “ë” të Jehona Kicajt, vepër kjo midis pesë më të vlerësuarave në Gjermani vitin e kaluar. Vepër që hyri në listën e ngushtë për Çmimin Gjerman të Librit. 

Jehona Kicaj të hënën është ulur në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Historia autofiksionale që ajo e paraqet në roman ka të përbashkëta edhe me ndërtesën dhe institucionin ku Kicaj bashkëbisedoi për romanin e saj. Në vitet ’90 regjimi serb uzurpoi edhe këtë institucion ku zë vend kujtesa e shkruar e Kosovës. Në kuadër të pastrimit etnik të institucioneve të asaj kohe, nga Biblioteka u përjashtuan punëtorët shqiptarë dhe librat shqip që botoheshin atyre viteve institucioni nuk i koleksiononte. Bëhej fjalë për një gjuhë e kulturë që pushteti i konsideronte të pavlera. Një gjuhë të shtypur. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kicaj, studiuese e letërsisë gjermane, në romanin e saj të parë që ka bërë bujë në botën gjermanofolëse bashkon përvojat personale, studimet për popullin prej nga vjen e të dhëna të tjera historike. Duke u dhënë ngjyrën e fiksionit, historitë reale ajo i sjell në letërsinë e një gjuhe që s’është marrë aq me atë që ka ngjarë në Kosovë. Në ngjarjen e organizuar në bashkëpunim me “Goethe Zentrum”, me mbështetjen e Ambasadës Gjermane dhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës nën moderimin e Blertë Ismajlit e Uridije Lajçit, Kicaj është përgjigjur në disa pyetje dhe ka lexuar pak fragmente nga libri. 

Ka zgjedhur të nisë me fragmentin ku personazhi është në kontroll te dentisti pasi ka një hall: kërcëllon dhëmbët thuajse pavetëdijshëm. E kjo e bën të jetë edhe fjalëpak. Pastaj është fjalëpak në shkollë, pasi në shtëpi fliste shqip e në ambiente mësimore flitej në gjermanisht. E pafjalësia e saj ka edhe anën tjetër, shtypjen e gjuhës amtare. S’kishte fotografi si foshnjë për ta dërguar në shkollë pasi i janë djegur në vendlindje dhe edhe në këtë rast qe e pafjalë derisa shokët komentonin shkrepjet që kishin dërguar në ambientet mësimore. E në një tjetër rast kur në klasë flitet për prejardhje, për atë thuhet se vjen nga Jugosllavia dhe i kërkohet të lexojë pak në serbisht. Edhe aty është e pafjalë. Kicaj gjermanishten tash e ka gjuhë që e zotëron fort. E zotëron aq sa mjeshtërisht ka sjellë një kontrast të madh: nëpërmjet fjalës së shkruar i jep zë pafjalësisë që e ka ndjekur në vitet e para të jetës. Jo veç atë, krejt emigrantët shqiptarë të asaj kohe. E dhëmbët janë mesele më vete në romanin e saj. Këto kocka shërbejnë edhe për identifikimin e shqiptarëve të zhdukur me forcë nga trupat serbe në Kosovë. I zhdukur është edhe gjyshi i saj. 

“Baza e romanin tim të parë është pafjalësia”, ka thënë ajo prerazi. Shkronja “ë” në shqip përshkruhet si “e” pa zë. Dhe në këtë rast ka simbolikë me peshë si titull libri. Kicaj ka sqaruar se ballafaqimi me gjuhë është një gjë që ndanë me protagonisten e romanit. 

“I zotëroj dy gjuhët, jam rritur me të dyja. Por kjo edhe ka lënë pasoja. Raporti gjuhësor ndryshon. Në vitet e para mbizotëron shqipja dhe më pas njeriu socializohet gjithnjë e më shumë me gjuhën gjermane pasi shkon parashkollor, në shkollë e në studime. Gjermanishtja ka marrë më shumë rëndësi për nga niveli e fjalori dhe shqipja një rëndësi gjithnjë e më të vogël”, ka thënë ajo. Për Kicajn, gjuha amtare është shqipja, por është rritur me një gjuhë tjetër dhe tash gjermanishtja është gjuha që e mbizotëron më shumë dhe e konsideron si gjuhë amtare. 

“Kam një raport emocional me shqipen, por ajo ka mbetur në nivel të mendimeve të mia që s’është e lehtë të shprehet. Kjo perspektivë është edhe në roman”, ka thënë ajo. Derisa ka folur për librin ka sqaruar se  tema e luftës dhe e pafjalësisë i është imponuar. Ka thënë se material e ka zgjedhur atë dhe jo anasjelltas. 

“S’do të mund të shkruaja gjë tjetër në romanin tim të parë”, ka thënë Kicaj. Ka sqaruar se romani s’paraqet krejt çfarë ka përjetuar ajo, duke shtuar se bëhet fjalë për një libër autofiksion. 

“Unë parimisht kam vendosur që të shkruaj një roman e jo një libër publicistik pasi në roman kam më shumë liri. Liri në zhanër dhe në përmbajtje. Kam dashur ta kem këtë liri për këtë temë. Jam shërbyer me kujtimet që kam, e po ashtu me përvojat e të tjerëve. Kam hulumtuar shumë. Fragmente të hulumtimit ka edhe në roman. Ka deklarata dëshmitarësh, materiale të Tribunalit të Hagës e pastaj materiale të tjera”, ka thënë Kicaj që ka prejardhje nga Komuna e Suharekës. 

Autorja që vjet ka lënë nam edhe në Panairin e Frankfurtit, ka treguar se gjatë viteve të studimit të letërsisë gjermane ka lexuar zëra të Ballkanit në gjuhën gjermane dhe ka parë se perspektiva nga Kosova është diçka që mungon. Ka konstatuar se trajtimi i perspektivës kosovare të luftës ka mangësi në letërsinë gjermane. 

“Edhe nëse kam parë libra për luftën në Kosovë, perspektiva e Kosovës ka munguar. Ky zë është i përfaqësuar në letërsinë gjermane. Ky është një roman shqiptar me perspektiven shqiptare. Plotësohet një mangësi e deritanishme”, ka thënë ajo. E ka konsideruar paradoks kur gjuha flet e sqaron pafjalësinë.

Profesoresha universitare e gjuhës gjermane, Blertë Ismajli, qysh në hapje të ngjarjes ka thënë se që në titull vërehet një shenjëzim gjuhësor dhe kulturor, i cili ngre pyetje mbi identitetin, përkatësinë dhe shprehjen. Sipas saj, teksti i veprës lëviz në një fushë tematike që ka rëndësi të madhe si në aspektin letrar, ashtu edhe në atë shoqëror.

“Shkrimi i Jehona Kicajt dallohet për një gjuhë të saktë dhe reflektuese, që ndërthur përvojën individuale me diskurse më të gjera. Tekstet e saj hapin perspektiva mbi marrëdhënie komplekse dhe ftojnë për të vënë në pikëpyetje kategori të vendosura. Veçanërisht interesante është mënyra se si teksti punon me shumëgjuhësinë, semantikën dhe boshllëqet – pra me atë që thuhet, por edhe me atë që i shmanget të thënit. Në këtë tension shpaloset një poetikë që u reziston kategorizimeve të thjeshta dhe, në vend të kësaj, e shfrytëzon në mënyrë produktive ambivalencën”, ka thënë Ismajli. Sipas saj, romani “ë” është i veçantë edhe sepse hap një perspektivë mbi luftën e Kosovës, e cila deri më tani është dëgjuar rrallë në letërsinë bashkëkohore gjermanofolëse. 
“U jep zë përvojave që shpesh janë margjinalizuar ose trajtuar vetëm në periferi në kanonin letrar. Nuk bëhet fjalë për një rindërtim dokumentar të ngjarjeve historike, por për pyetjen se si lufta vazhdon të jetojë në kujtesë, në gjuhë dhe në identitet. Romani krijon kështu një hapësirë ku përvojat individuale shndërrohen në një dëshmi letrare dhe bëjnë të dukshme një rrëfim që për një kohë të gjatë ka mbetur i nënpërfaqësuar”, ka thënë midis të tjerash ajo. 

Vlerësim të lartë për librin Kicaj ka marrë edhe nga kritika gjermane. 

Juria e Çmimit Gjerman të Librit në përbërje të kryetares Laura de Weck dhe anëtarëve Maria Carolina Foi, Jürgen Kaube, Friedhelm Marx, Kathrin Matern, Lara Sielmann dhe Shirin Sojitrawalla, derisa veprën e futën në listën e ngushtë prej pesë romanesh, arsyetuan se me “ë”, shkrimtarja e re lë një shenjë të fortë në letërsinë gjermane. 

“Duke nisur nga një sëmundje e nofullës që e mundon rrëfimtaren – e cila mund të çojë në humbjen e aftësisë për të folur – ajo eksploron origjinën e saj kosovare nga këndvështrimi i diasporës, në nivele të ndryshme rrëfimi dhe kohe, duke përfshirë edhe padijen dhe mungesën e njohurive të bashkëqytetarëve të saj gjermanë për vendin e saj”, shkruhej në arsyetim. Sipas jurisë, nëpërmjet dhëmbëve dhe kockave – që, siç dihet, mund të shërbejnë edhe për identifikimin e viktimave të vrasjeve – ajo ndjek gjurmët e historisë së saj të copëtuar. 

“Një roman i jashtëzakonshëm, i cili, duke nisur nga një nofull që kërcet dhe nga shkronja e vogël, por formësuese e identitetit, “ë” në gjuhën shqipe, hap një botë shumështresore dhe e bën atë të prekshme”, shkruhej në arsyetim. Vepra e Kicajt është botuar nga shtëpia botuese “Wallstein Verlag” me seli në Göttingen. Simbolikisht dhe për arsye përmbajtjesore Kicaj në gjermanisht rrëfen për pafjalësinë e një individi dhe një populli që bazë e ka shqipen. Dhe në këtë rrëfim ajo përdor edhe fjalë shqipe. Si për të thënë se sado e shtypur, gjuha gjen rrugën e rrëfimit. Madje, edhe në rastet kur pafjalësia është baza.