Shfaqja “Gërrdia” me tekst dhe regji të Astrit Kabashit do të jepet premierë sot (e hënë) në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Në provën e përgjithshme të së dielës mbrëma, treshja në skenë ka testuar veten për herë të fundit para se të përballen me publikun. Nga ajo që është parë në provë, debutimi i Kabashit si dramaturg por edhe si regjisor në institucionin më të larë teatror në vend, sjell një dramë psikologjike ku personazhit kryesor s’i zihet vendi vend. Hyn te konvencionalja teatrore pa eksperimentuar e pa shkuar te shfaqjet “pamflet”, që janë shpeshtuar kohëve të fundit
Një krismë arme krejt në fillim të shfaqjes vjen si intro e një krisme të madhe: asaj psikologjike. Por kjo merret vesh pas pak, kur aktori në rolin kryesor nis të manifestojë telashet që i trashëgon që nga periferia. Roli kryesor ka barrë të rëndë. Por, Bujar Ahmeti është i zoti ta bartë atë. Ashtu siç bëjnë edhe Majlinda Kosumoviq e Rebeka Qena, ku e para në cilësinë e bashkëshortes dhe e dyta si mjeke janë përballë një realiteti të vështirë.
Shfaqja “Gërrdia” me tekst dhe regji të Astrit Kabashit do të jepet premierë sot (e hënë) në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Në provën e përgjithshme të së dielës mbrëma, treshja në skenë ka testuar veten për herë të fundit para se të përballen me publikun. Nga ajo që është parë në provë, debutimi i Kabashit si dramaturg, por edhe si regjisor në institucionin më të larë teatror në vend, sjell një dramë psikologjike ku personazhit kryesor s’i zihet vendi vend. Hyn te konvencionalja teatrore, pa eksperimentuar e pa shkuar te shfaqjet “pamflet”, që janë shpeshtuar kohëve të fundit. TKK-ja me këtë dramë i kthehet inskenimit të dramave fituese të konkursit për dramë origjinale shqipe, “Katarina Josipi”, gjë që e ka për obligim dhe është dashur ta bënte edhe më herët.
“Gërrdia” e ka fituar vendin e parë të konkursit që organizohet nga TKK-ja dhe Ministria e Kulturës më 2023. Asokohe juria në përbërje të udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, regjisorit Florent Mehmeti, aktores Ilire Vinca, dramaturgut Agron Shala dhe dramaturgut Naser Shatrolli e kishin vlerësuar këtë dramë si më të mirën e të paraqiturave për atë vit.
Juria asokohe ka vlerësuar se “Gërrdia” vjen si një eksplorim thelbësor dhe të ndërlikuar të një teme që shpeshherë është tabu.
“Për nga stili hyn tek drama psikologjike. Autori shpalos me mjeshtri të kaluarën dhe të tashmen, duke i kombinuar ato në një mënyrë që i bën lexuesit dhe shikuesit të reflektojnë mbi jetën dhe vendin e tyre në shoqëri”, shkruhej në arsyetim.
Sipas jurisë, përmbajtja e veprës përqendrohet rreth marrëdhënies midis burrit dhe gruas, babait dhe djalit, nënës dhe djalit, vëllait dhe motrës, por kjo krejtësisht me vetëm tri personazhe, duke transmetuar mesazh e ide dhe duke krijuar një ngërç emocional dhe psikologjik.
“Kjo bën që lexuesi të bjerë në thellësi të shpirtit dhe të ndihet pjesë e një historie që shkel në zonat e errëta të shpirtit dhe të ndjenjave njerëzore. Personazhet janë të realizuara me thellësi dhe finesë, duke u përshkruar me detaje të mprehta dhe duke sjellë përpara lexuesit një imazh të qartë të secilit prej tyre. Nuk ka shkëputje të linjës së ngjarjeve dhe struktura e veprës është e rregullt dhe e qëndrueshme, pa i ikur konvencionales letrare”, shkruhej në arsyetim.
TKK-ja ka provuar goxha që të kontraktojë një regjisor për këtë shfaqje, por nuk ia ka dalë për shumë arsye. Në fund është marrë vesh me vetë autorin, aktorin e profesorin universitar, Astrit Kabashi, që ta bëjë regjinë, pa kërkesë të tij. Dhe, nga ajo që është parë në provë të përgjithshme, Kabashi ia ka dalë që të nxjerrë në skenë një dramë me të cilën TKK-ja edhe mund të lëvizë nëpër teatro e festivale.
Me skenografi të Arben Shalës, kostumografi të Yllka Bradës dhe me muzikë të Memli Kelmendit, “Gërrdia” sjell përballjen e një individi me të bërat e tij të mëhershme. Personazhi kryesor ka telashe të mëdha me ndërgjegjen. “Fshihet” pas trillimeve dhe sikur i ka borxh e gjithë bota. Drama psikologjike e shpërndarë nëpër “episode” për rreth një orë ngacmon secilin që e mundon diçka.
Me këtë shfaqje Teatri Kombëtar i Kosovës e nis vitin kalendarik sivjet, përderisa në 80-vjetorin e themelimit planet i ka të mëdha. Synimet e institucionit që është tkurrur në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, shkaku i restaurimit të ndërtesës ku ka funksionuar mbi 7 dekada, janë për inskenime të veprave të mëdha të dramës botërore.
“Gërrdia” kësaj radhe vjen pas “dramës” që TKK-ja kishte me drejtorin e përgjithshëm në ditët e fundit të vitit të kaluar, kur brenda pak ditësh ish-drejtori i institucionit u dërgua në procedurë disiplinore, paralajmëroi dorëheqjen, u pezullua nga detyra dhe u dorëhoq. Edhe te “Gërrdia” personazhi kryesor paralajmëron emocionalisht shumë, para se të rrëfejë për tragjedinë që e mundon.