Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Gjilani i jep lamtumirën e fundit gazetarit Nexhmedin Ymeri

Nexhmedin Ymeri

Familjarë, miq e kolegë e kanë kujtuar Nexhmedin Ymerin si zë unik të qytetit (Foto: LumiPress)

Me ceremoni përkujtimore të mërkurën, i është dhënë lamtumira e fundit, Nexhmedin Ymerit, një figurë e jetës gazetareske në qytetin e Gjilanit, i njohur edhe për kontributin në skenën kulturore. Gazetari shumëvjeçar i Radio Gjilanit, vdiq të martën. Ishte 77 vjeç. Në ceremoni, familjarë, miq e kolegë e kanë cilësuar si zë unik e dokumentues i ngjarjeve të qytetit. 

U lind më 24 mars 1949 në Gjilan. Rrugëtimin në gazetari e nisi me kontribute në gazetat “Rilindja” dhe “Zëri i Rinisë”. Pas përfundimit të studimeve në fushën e gjuhës dhe letërsisë, iu përkushtua profesionit të gazetarit. Sipas biografisë së tij, në vitin 1974, vetëm disa muaj pas themelimit të Radio Gjilanit, Ymeri iu bashkua këtij mediumi pas ftesës së drejtorit të parë të radios, Nexhip Bejtës. 

“Fillimi i tij në këtë institucion shënoi edhe nisjen e një kapitulli të rëndësishëm në historinë e gazetarisë gjilanase. Me punën, profesionalizmin dhe përkushtimin e tij, ai shumë shpejt u bë një nga figurat kryesore të Radio Gjilanit, ndërsa në vitin 1977 u emërua redaktor përgjegjës. Për vite me radhë ai udhëhoqi emisione të ndryshme radiofonike, duke komunikuar drejtpërdrejt me qytetarët dhe duke trajtuar tema nga jeta shoqërore, kultura, sporti dhe zhvillimet politike”, ka shkruar media lokale “RajoniPress”. 

Për kontributin e tij shumëvjeçar në gazetari është nderuar me mirënjohje dhe çmime të ndryshme, ndërsa në vitin 2014, para pensionimit, iu nda Çmimi i Karrierës për Vepër Jetësore.

Po aty shkruhet se ai nuk u kufizua vetëm në gazetari. Ai ishte edhe një emër i njohur në jetën kulturore të Gjilanit, veçanërisht në teatrin e qytetit. Me një prirje të veçantë për skenën, ai interpretoi dhjetëra role në shfaqje teatrale, duke lënë gjurmë edhe si aktor. Aktiviteti i tij në teatër nisi që në vitet e hershme me shfaqjen ‘Familja e peshkatarit’ në vitin 1971, ndërsa ndër rolet më të spikatura ishte ai në shfaqjen ‘Monserati’ dhe ‘Aradha qiellore’, ku u vlerësua edhe me çmimin prestigjioz ‘Maska e Artë’ për lojën më të mirë kolektive në festivalin federativ në Trebinje”, shkruhet aty duke shtuar se dhjetë vitet e fundit të karrierës profesionale i kaloi si menaxher i Teatrit të Gjilanit, duke vazhduar kontributin e tij në zhvillimin e jetës kulturore të qytetit.