Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

65 persona dyshohet se u helmuan nga ushqimi në Han të Elezit

helmim

Të paktën 65 persona dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në disa lokale në Han të Elezit, ndërsa rreth 100 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore me simptoma si diarre dhe të vjella. Pesë pacientë janë dërguar për trajtim në QKUK, ndërsa Prokuroria ka nisur hetimet për rastin. E Klinika Infektive ka bërë të ditur se 31 persona po marrin ende trajtim mjekësorë, ndërsa është konfirmuar se 11 pacientë të shtruar kanë rezultuar pozitivë me bakterin Salmonella

Ilirjana Thaqi

Të paktën 65 persona dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në disa lokale të gastronomisë në Han të Elezit, ndërkaq rreth 100 persona kanë kërkuar trajtim mjekësor me simptoma të diarresë dhe të vjellave.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Han të Elezit, Kimete Kuka, ka bërë të ditur se personat e prekur kanë kërkuar ndihmë mjekësore fillimisht në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare e më pas edhe në Qendrën Klinike Universitare (QKUK).

“Rreth orës 16:00 janë paraqitur rastet e para që janë dyshuar për helmim. Deri më tani, sipas një raporti jo përfundimtar, janë 100 raste, por jo të gjitha janë raste helmimi, pasi mund të ketë edhe viroza. Ende nuk kemi një raport final nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike lidhur me dyshimet për rastet e helmimit. Natën e parë kanë qenë tri raste që janë referuar në QKUK dhe pas trajtimit në QMF, nuk u është lehtësuar gjendja. Sipas informatave që i kam, ata janë liruar edhe nga QKUK-ja”, ka thënë Kuka.

Ai u ka bërë apel qytetarëve që të kenë kujdes nga ushqimi sidomos kur temperaturat janë të larta.

Edhe 11 nga 31 të dyshuarit për helmim nga ushqimi në QKUK rezultojnë pozitivë me salmonella Arbëri 5 o. më parë 11 nga 31 të dyshuarit për helmim nga ushqimi në QKUK rezultojnë pozitivë me salmonella

“Apeli ynë për qytetarët është që të jenë të kujdesshëm. Po ashtu, për shkak të temperaturave të larta, të mos i frekuentojnë lokalet që shërbejnë ushqime fast-food”, ka thënë Kuka.

E Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me këtë rast.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj ka pranuar informacione lidhur me dyshimet për helmimin e disa personave në Han të Elezit. Prokurori i Shtetit, pas njoftimit për këtë rast, ka udhëzuar dhe autorizuar policinë për ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, si dhe është njoftuar edhe Inspektorati Sanitar. Rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale ‘Prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë’, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

E, zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka thënë se për këtë rast janë njoftuar të gjitha institucionet përkatëse.

“Lidhur me këtë situatë janë njoftuar edhe institucionet përkatëse, përfshirë Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, të cilat janë duke e trajtuar rastin”, ka thënë ai.

Që nga java e kaluar rreth 150 persona janë helmuar nga ushqime, e 31 prej tyre po vazhdojnë të marrin trajtim mjekësor në Klinikën Infektive. Rreth 80 raste janë raportuar të infektuar, pas ushqimit që kanë konsumuar në një piceri.

QKUK-ja ka njoftuar se, pas analizave të hollësishme laboratorike të pacientëve të shtruar ditët e fundit, 11 raste kanë rezultuar pozitive me bakterie.

“Pas analizave të hollësishme laboratorike, 11 raste kanë rezultuar pozitive me bakterin Salmonella Enteritidis. Ekipi shëndetësor konfirmon se të gjithë pacientët e shtruar janë duke marrë trajtimin e duhur dhe gjendja e tyre po shkon drejt përmirësimit”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Edhe Dyshohet se 65 persona janë helmuar në Han të Elezit, tre u dërguan në QKUK Arbëri 7 o. më parë Dyshohet se 65 persona janë helmuar në Han të Elezit, tre u dërguan në QKUK

QKUK-ja ka bërë të ditur se në kuadër të këtyre rasteve, gjatë kësaj periudhe treditore janë pranuar edhe pesë pacientë nga komuna e Hanit të Elezit me simptoma të ngjashme. 

“Sipas deklaratave të vetë pacientëve, numri i personave që kanë konsumuar ushqim në të njëjtin lokacion dhe që dyshohet se mund të jenë helmuar është më i madh”, thuhet në njoftim.

E, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka bërë të ditur se është duke e përcjellë nga afër situatën e krijuar pas paraqitjes së rasteve me simptoma të gastroenteritit në këtë komunë.

Sipas Ballazhit, nga 13 korriku deri më datën 15, në QKMF janë trajtuar 110 persona me simptoma të gastroenteritit, ndërsa vetëm pesë prej tyre janë referuar për trajtim të mëtejmë në Spitalin Rajonal të Ferizajt dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ai bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë administruar rreth 300 terapi venoze për pacientët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, duke theksuar se QKMF-ja ka terapi dhe materiale të mjaftueshme për trajtimin e rasteve.

Kryetari i Hanit të Elezit njoftoi se janë marrë mostrat përkatëse dhe janë dërguar për analiza në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ndërsa institucionet janë në pritje të rezultateve zyrtare që do të sqarojnë shkakun e paraqitjes së rasteve.

Ballazhi u bëri thirrje qytetarëve të mos u besojnë spekulimeve apo informatave të pakonfirmuara, duke theksuar se çdo informacion i ri do të publikohet nga institucionet përgjegjëse.

Edhe AUV: Rezultatet laboratorike do të përcaktojnë shkakun e rasteve të raportuara Arbëri 1 o. më parë AUV: Rezultatet laboratorike do të përcaktojnë shkakun e rasteve të raportuara

Ai gjithashtu apeloi që qytetarët të respektojnë rregullat bazë të higjienës, të kenë kujdes të shtuar gjatë temperaturave të larta dhe, në rast të shfaqjes së simptomave, të paraqiten menjëherë në QKMF për ndihmë mjekësore.

Në ditët e fundit është raportuar për helmime të qytetarëve nga ushqimi në një lokal në Prishtinë e në dy lokale në Han të Elezit. Megjithëse, institucionet ende nuk kanë dalë me raport zyrtar.