Pasditen e së martës kur ekipi i KOHËS ka qenë i pranishëm te konaku – ndërtimi i vrazhdë i të cilit ka arritur deri në kulm – nuk janë zhvilluar punime. Paraprakisht ndërtesa është rrethuar me shirit dhe është vendosur shenja: “Ndalohen punimet”. Deri te ky vendim Inspektorati ka ardhur pasi ka konstatuar se punimet kanë nisur dhe zhvilluar brenda perimetrit të monumentit, Manastiri i Graçanicës pa leje të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Investitori, në këtë rast Kisha Ortodokse Serbe bashkë me Komunën e Graçanicës që ka lëshuar leje për ndërtim, kanë shpërfillur Ligjin për trashëgimi kulturore
Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka shqiptuar masën e ndalimit të punimeve për konakun e murgjve te Manastiri i Graçanicës. Prej sot (e martë) largimi i shenjës zyrtare për ndalimin e punimeve dhe vazhdimi i tyre përbëjnë vepër penale. Deri te ky vendim Inspektorati ka ardhur pasi ka konstatuar se punimet janë nisur dhe zhvilluar brenda perimetrit të monumentit pa leje të institucioneve të trashëgimisë kulturore. Investitori, në këtë rast Kisha Ortodokse Serbe bashkë me Komunën e Graçanicës që ka lëshuar leje për ndërtim, kanë shpërfillur Ligjin për trashëgimi kulturore.
Pasditen e së martës kur ekipi i KOHËS ka qenë i pranishëm te konaku – ndërtimi i vrazhdët i të cilit ka arritur deri në kulm – nuk janë zhvilluar punime. Paraprakisht ndërtesa është rrethuar me shirit dhe është vendosur shenja: “Ndalohen punimet”.
“Largimi apo dëmtimi i kësaj shenje zyrtare me qëllim të vazhdimit të punimeve është përcaktuar si vepër penale sipas dispozitave të Kodit penal të Republikës së Kosovës”, shkruhet në shenjën e vendosur në një prej shtyllave të ndërtesës nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore që vepron në kuadër të Ministrisë së Kulturës. Të pranishmëve aty u është dorëzuar edhe Procesverbali ku shqiptohet masa e ndalimit të punimeve e po ashtu jepet edhe arsyetimi. Ndërkohë, Manastiri i Graçanicës si investitor do të pranojë edhe një vendim zyrtar për ndalimin e punimeve nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.
Në pjesën juglindore të murit rrethues të Manastirit të Graçanicës është rrënuar një pjesë e një objekti ekzistues. Edhe ky veprim është bërë pa kurrfarë pëlqimi nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Më pas ka nisur një ndërtim i planifikuar si konak për murgjit e Manastirit, i cili prej vitit 2016 është aset i trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme, kategoria më e lartë me të cilën shteti mbron një monument.
KOHA të hënën ka raportuar mbi bazën e një numri korrespodencash zyrtare institucionale nëpërmjet të cilave konstatohet se punimet janë bërë pa leje. Ky konstatim vjen nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës. Nëpërmjet një raporti zyrtar është njoftuar Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Inspektorët kanë zhvilluar një takim me zyrtarët e Komunës së Graçanicës. Pas takimit ku zyrtarëve komunalë u janë sqaruar detajet se si veprohet në këto raste, nëpërmjet postës elektronike u është kërkuar pezullimi i lejes për ndërtim.
Sipas shkresës, inspektorët dhe zyrtarët komunalë në takim janë pajtuar që me qëllim të respektimit të dispozitave të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, të pezullohet leja për ndërtim në hapësirën e caktuar. Manastiri po ashtu është edhe zonë e veçantë e mbrojtur dhe është i listuar në Ligjin për zonat e veçanta të mbrojtura.

Por Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit në Komunën e Graçanicës po nëpërmjet postës elektronike ka refuzuar të përfillë rekomandimin. Sipas drejtoreshës, Aleksanda Djekiç, ata për lëshimin e lejes janë orientuar në Planin Zhvillimor të Komunës së Graçanicës për periudhën 2014–2029, Ligjin për Ndërtim dhe në Ligjin për zonat e veçanta të mbrojtura. Por ky ligj në asnjë nen nuk përcakton se intervenimet duhet të bëhen pa lejen e institucioneve të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Përkundrazi ky Ligj përcakton se: “Zonat e Veçanta të Mbrojtura gjithashtu gëzojnë plotësisht mbrojtjen e përcaktuar nga Ligji mbi Trashëgiminë kulturore dhe ndryshimet e tij të mëtutjeshme”. Po ashtu edhe Aneksi 5 i Planit të Ahtisaarit prej nga buron ky ligj, përcakton se Kisha Ortodokse Serbe ushtron përgjegjësi në pajtim me legjislacionin e Kosovës. Drejtoria për Urbanizëm e Komunës së Graçanicës nëpërmjet shkresës, i ka thënë Inspektoratit se kërkesa e tyre bazohet në informata të pasakta dhe se injoron dispozitat ligjore për zonat e veçanta të mbrojtura dhe bazuar në këtë, e kanë kërkuar tërheqjen e urdhrit për pezullim, derisa çështja të shqyrtohet para Këshillit për Zbatim dhe Monitorim. Ky Këshill është derivat i Ligjit për zonat e veçanta të mbrojtura. Por është forum lehtësues i komunikimit dhe marrëveshjeve ndërinstitucionale dhe nuk ka mandat të miratojë projekte e as të japë leje.
Inspektorati më pas nëpërmjet një tjetër shkrese, në fund të ditëve të punës së javës së kaluar ia kanë sqaruar situatën edhe një herë Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit në Komunën e Graçanicës. U është kërkuar përfillja e legjislacionit në fuqi, përfshirë Ligjin për trashëgimi kulturore.
Ligji për Trashëgimi Kulturore përcakton se në situata ku zhvillohen punime brenda perimetrit të monumenteve ose në zonën e mbrojtur të tyre duhet leje me shkrim.
“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore, kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9. Madje ky Ligj përcakton edhe se institucioni kompetent ka të drejtë vetoje në raste të tilla. Manastiri mbrohet si aset i trashëgimisë arkitekturore përderisa ajo hapësirë është edhe lokalitet arkeologjik.
Për dallim nga rasti i Manastirit të Graçanicës – i cili është edhe nën mbrojtje të UNESCO-s në Listën e trashëgimisë kulturore në rrezik – Kisha Ortodokse Serbe para rreth një muaji ka kërkuar leje për një ndërhyrje në Kishën Ortodokse në Ferizaj. Projekti i është miratuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore viteve të fundit disa herë ka shqiptuar masën e ndalimit të punimeve në zona të veçanta të mbrojtura, midis tyre edhe Ura Mesjetare në Vushtrri.
KOHA nga mëngjesi i së hënës ka provuar të marrë përgjigje nga drejtoresha e Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Graçanicës, Aleksandra Djekiç por ajo nuk është përgjigjur. Përgjigje nuk ka kthyer as Kisha Ortodokse Serbe.
Manastiri i Graçanicës gjendet në bregun e lumit “Graçanka”, në jug të Prishtinës. Sipas databazës së trashëgimisë kulturore, Manastiri i sotëm është rikonstruktim i një kishe të shekullit XIV kushtuar së Virgjërës Mari, e cila kishë ishte ndërtuar në themelet e një bazilike të hershme të krishterë të shekullit VI.
“Sipas konceptit të saj hapësinor i takon tipit të kishave me pesë kupola mbi bazë katrore me kryq të brendashkruar, karakteristike për arkitekturën bizantine. Në eksterier është arritur një marrëdhënie ideale në proporcionet dhe volumin e manastirit. Ngritja graduale e harqeve dhe kupolave duke shkuar kah pjesët e sipërme si dhe ndarja e fasadës ballore në tri pjesë përmes harqeve, i japin kishës një harmoni të jashtëzakonshme dhe vlerë të veçantë arkitekturore”, shkruhet në databazë. Sipas përshkrimit, ramburi i kupolës kryesore është origjinal, mbi të takohen harqet, duke e theksuar kështu bazën katrore të kryqit të brendashkruar. Aty qartësohet se katër kupolat anësore ngrihen mbi tamburet mjaft të larta, të cilat e theksojnë vertikalen e ndërtesës, që nuk ishte karakteristikë tipike e asaj periudhe.
“Restaurimi më i madh në manastir është bërë kah fundi i shek. XVI, ku të gjitha hapjet në narteksin e jashtëm janë murosur dhe janë pikturuar afreske të reja. Manastiri pësoi dëme të mëdha gjatë fundit të shek. XVII, kurse pas Luftës së Dytë Botërore u rinovua nga murgeshat dhe që nga ajo kohë ka shërbyer si kuvend i tyre. Enterieri i manastirit është i pasur me afreske”, shkruhet në databazë. Sqarohet se piktorët e famshëm nga Selaniku Mihajli dhe Evtihije i përfunduan afresket në kishën kryesore deri më 1321, prej të cilave “Cikli i Festave të Mëdha”, “Mundimet dhe Mrekullitë e Krishtit” janë më të njohurat.