Masë sigurie dhe hedhje poshtë e vendimit të ministres në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, është kërkesa me të cilën Instituti Albanologjik i Prishtinës pritet që sot (e mërkurë) t’i drejtohet Gjykatës Themelore në Prishtinë. Një hap si ky është akti i radhës i dramës së drejtorit, zanafilla e të cilit është vendimi i MASHTI-t që e lë pa drejtor këtë institucion, por të cilin ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, kërkon që ta shqyrtojë Prokuroria Speciale e Kosovës
Prejse ka dalë në skenë, drama e drejtorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës s’ka javë që s’e shpalos së paku nga një akt. I radhës është ai në të cilin IAP-ja ka paralajmëruar sërish se do t’i drejtohet Gjykatës. Këtë do ta bëjë sot (e mërkurë). Në fakt, ky hap vjen edhe si kundërpërgjigje ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, e cila fiks një javë më parë, të mërkurën e kaluar, kishte bërë të ditur se për këtë rast e ka njoftuar Prokurorinë Speciale të Kosovës. Ka qenë ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci, e nëpërmjet një shkrese i është drejtuar institucionit – i cili në mandatin e tij kryesisht merret me raste të rënda – duke e njoftuar “për shkeljet ligjore” dhe ka kërkuar “fillimin e procedurës penale në lidhje me procesin e zgjedhjes së drejtorit”. Pjesa tjetër ka qenë akuzë, IAP-ja është shfaqur e befasuar me qasjen e MASHTI-t, ka përmendur edhe kërcënimin dhe tentimin për frikësim.
Nëse e ka marrë kërkesën, Prokuroria nuk është përgjigjur tash e gjashtë ditë.
“Do t’i drejtohemi Gjykatës Themelore në Prishtinë”, ka konfirmuar IAP-ja të martën vonë. Kërkesa është e qartë.
“Do të kërkohet masë sigurie dhe hedhje poshtë të vendimit të ministres në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit”, ka sqaruar IAP-ja për KOHËN.
Vendimi i ministres në detyrë, Nagavci, për anulimin e vendimit për zgjedhjen Naim Berishës drejtor të IAP-së është fitili i përplasjeve midis dy institucioneve. U bë publik në Facebook, pasuan kundërpërgjigjet po aty, por përplasjet u thelluan edhe më kur u përmend Prokuroria Speciale e Kosovës.
Pasditen e së hënës së 26 janarit, gati dy muaj pas zgjedhjes së drejtorit nga Këshilli Drejtues i IAP-së, ishte vetë ministrja në detyrë që plasoi vendin e nxjerrë nga kabineti i saj. “Anulohet vendimi me nr. IAP/127, i datës 04.12.2025, për zgjedhjen e drejtorit të Institutit Albanologjik të Kosovës. Obligohet Këshilli Drejtues që pa e kaluar afatin ligjor prej dy (2) vjetësh, nga koha që Instituti nuk ka zgjedhur drejtor, duke përjashtuar kohën nga zgjedhja e drejtorit deri në anulimin e konkursit, mandatin e drejtorit t’ia kalojë ushtruesit të detyrës nga radhët e punonjësve të Institutit, të njoftojë Ministrinë për shpalljen e konkursit të ri për drejtor të Institutit, si dhe të marrë parasysh edhe rekomandimet e Ministrisë lidhur me kushtet dhe kriteret e konkursit për ndërkombëtarizimin e shkencës”, shkruhet në pikën e parë të vendimit. Në pikën e dytë obligohet Këshilli Drejtues i Institutit Albanologjik të Prishtinës që të ndërmarrë veprimet e nevojshme që të përfillë legjislacionin në fuqi.
Qysh se u plasua vendimi, Këshilli Drejtues i IAP-së kishte dhënë shenja se nuk do ta përfillë vendimin. Pasoi postimi i radhës i ministres në detyrë me Prokurorinë Speciale.
“Ndër të tjera, Prokurorinë e kam informuar se personat e dyshuar, në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore, kanë kryer së paku këto vepra penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 414, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës; Cenimi i të drejtave në marrëdhëniet e punës, sipas nenit 218 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës; Bashkëkryerja, sipas nenit 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, kishte shkruar ajo, por në rrjete sociale, pas orarit zyrtar të punës.
Sipas ministres në detyrë të MASHTI-t, në bazë të raporteve dhe dokumenteve zyrtare të pranuara deri më tani, “është konstatuar se kemi të bëjmë me veprime të kundërligjshme me qëllim të përfitimit të pozitave të caktuara dhe beneficioneve të pozitës, duke mos respektuar dispozitat ligjore në fuqi dhe në tejkalim të autorizimeve dhe kompetencave ligjore”.
Pas kësaj, me ton më të rreptë qe edhe përgjigjja i IAP-së. “Presion politik dhe publik mbi Institutin Albanologjik”, e kishte cilësuar IAP-ja këtë postim të ministres Nagavci. U përgjigj në rrjete sociale.
“Ministrja në detyrë e MAShTI-t, znj. Arbërie Nagavci, është duke ushtruar presion politik dhe publik mbi Institutin Albanologjik të Prishtinës, si një institucion i pavarur kërkimor-shkencor që duhet të mbahet larg politikës. Në një postim në faqen e saj në rrjetin social Facebook, pas orës 16:00, ajo ka pohuar se i është drejtuar Prokurorisë Speciale të Kosovës lidhur me atë që ajo e cilëson si ‘shkelje ligjore dhe kërkesë për fillimin e procedurave penale në lidhje me procesin e zgjedhjes së drejtorit të Institutit Albanologjik’”, shkruhej në postimin e këtij institucioni shkencor. Sipas postimit, Instituti Albanologjik, gjegjësisht drejtuesit e tij, “ndihen nën presion publik, psikologjik dhe politik në kryerjen e detyrave pas këtij veprimi befasues të ministres në detyrë, meqë një çështje që është dhe do të duhej të cilësohej tërësisht administrative, ajo synon t’ia veshë petkun penal”.
Cilido të jetë “petku” i çështjes së drejtorit ai tashmë ka marrë kahe si subjekt organesh të drejtësisë: për Ministrinë e Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit, si rast për Prokurori Speciale, për Institutin Albanologjik të Prishtinës për Gjykatën Themelore të Prishtinës. Aktet e radhës do të zhvillohen edhe aty.