Kulturë

Izraeli në garë, disa shtete nisin bojkotin e “Eurovisionit”

Yuval Raphael e Izraelit në edicionin e vitit 2025

Yuval Raphael e Izraelit në edicionin e vitit 2025

Foto: Associated Press

Irlanda, Spanja, Holanda dhe Sllovenia do ta bojkotojnë edicionin e vitit të ardhshëm të “Eurovisionit”, pasi Izraelit iu lejua të garojë edhe një herë. Ato ishin në mesin e një numri shtetesh që kanë bërë thirrje për përjashtimin e Izraelit për shkak të luftës në Gazë dhe akuzave për shkelje të praktikave të votimit.

Por Izraelit do t’i lejohet të garojë në Garën Evropiane të Këngës, kanë vendosur transmetuesit.

Pavarësisht thirrjeve për votim mbi pjesëmarrjen e Izraelit, pjesëmarrësit në mbledhjen e transmetuesve të “Eurovisionit” kanë miratuar disa rregulla të reja për të mbrojtur integritetin e garës.

Transmetuesi holandez, “Avrotros”, ka njoftuar menjëherë bojkotimin e garës së vitit të ardhshëm, që do të mbahet në Vjenë në maj.

Edhe transmetuesi spanjoll, RTVE, ka bërë të ditur se ka qenë qëndrim i mëhershëm se Spanja do të tërhiqet sapo që Izraeli të konfirmohet si pjesëmarrës. Pritet që edhe Islanda të tërhiqet.

Unioni i Transmetuesve Evropianë ka thënë se “shumica e madhe” e anëtarëve të saj kanë votuar për “masat e reja mbrojtëse”, që synojnë “të forcojnë besimin, transparencën dhe neutralitetin” e Eurovisionit.

Dy javë më parë organizatorët e garës evropiane të këngës “Eurovision” kishin njoftuar se planifikojnë të ndryshojnë sistemin e votimit të garës më të famshme muzikore në Evropë për të siguruar drejtësi, lëvizje kjo që vjen pas pretendimeve për ndërhyrje nga qeveria e Izraelit.

Unioni Evropian i Transmetuesve që organizon garën kishte bërë të ditur se ndryshimet ishin bërë “me qëllim për të forcuar besimin, transparencën, por edhe angazhimin e audiencës”. Transmetuesi gjerman ARD ka thënë se mirëpret vendimin e EBU-së, njëjtë siç ka deklaruar edhe BBC-ja.

E drejtori i “Eurovisionit”, Martin Green, ka thënë se është i lumtur që anëtarëve u ishte dhënë mundësia për debat për vendin e Izraelit në garë. Ai ka thënë se “Eurovisioni” nuk duhet të përdoret si arenë politike.

Izraeli ka garuar në “Eurovision” për më shumë se 50 vjet dhe e ka fituar katër herë. Por thirrjet që Izraeli të përjashtohet u shtuan pas nisjes së luftës në Gazë. Pretendimet që qeveria e Izraelit ka ndërhyrë i frynë edhe më shumë debatit.

Në shtator, transmetuesi publik holandez AVROTROS – duke cituar vuajtjet e njerëzve nga lufta në Gazë – pati thënë se nuk mund ta justifikojë më gjatë pjesëmarrjen e Izraelit në garë. Edhe shtete të tjera shprehën të njëjtin qëndrim. Transmetuesi holandez asokohe kishte deklaruar se “ka prova të ndërhyrjes nga qeveria e Izraelit gjatë edicionit të fundit të garës, dhe se ngjarja ishte përdorur si instrument politik”. Po atë kohë, Golan Yochpaz, shefi ekzekutiv i transmetuesit publik të Izraelit, pati thënë se “nuk ka arsye përse të mos jenë pjesë e rëndësishme e ngjarjes kulturore, që nuk duhet të bëhet politike”. Po ashtu pati thënë atëkohë se ishte i bindur që EBU-ja “do të vazhdojë të ruajë karakterin apolitik, profesional e kulturor të garës, sidomos në prag të edicionit jubilar të 70-të të ‘Eurovisionit’” vitin e ardhshëm.