Kulturë

John Lodge – figura unike e “The Moody Blues”

John Lodge ishte anëtar i grupit “The Moody Blues” i njohur për hitin “Nights In White Satin”

John Lodge ishte anëtar i grupit “The Moody Blues” i njohur për hitin “Nights In White Satin”

Në historinë e muzikës rock, “Nights In White Satin” është hit i pashmangshëm njësoj sikurse edhe grupi “The Moody Blues”. E ai që i dha formë grupit, ishte edhe John Lodge i cili ka vdekur të premten në moshën 82-vjeçare. Familja e tij ka konfirmuar se vdekja e tij ka qenë “e papritur”. Basisti dhe “burri zemërgjerë” i ishte bashkuar bendit më 1966 krahas këngëtarit Justin Hayward, pas shkëputjes së Denny Lainet dhe Clint Warwickut. I lindur në Birmingham, Lodge, pos “Nights In White Satin” ka luajtur edhe në hite të tjera si: “Question” dhe “Isn’t Life Strange”.

Familja ka raportuar se “bashkëshorti i dashur”, babai, gjyshi, njerku dhe vëllai “ka ikur nga jeta paqësisht, rrethuar nga më të dashurit e tij dhe me tingujt e ‘The Everly Brothers’ dhe Buddy Hollyt”. Lodge ishte pjesë e veprave më të njohura të bendit “The Moody Blues”, duke përfshirë albumin psikedelik “Days Of Future Passed” të vitit 1967, pasuar nga “In Search Of The Lost Chord” të 1968-s, albume këta që kanë çuar bendin drejt eksperimentimeve të mëtutjeshme.

Ka qenë edhe pjesë e albumeve “On The Threshold Of A Dream”, “To Our Children's Children's Children”, “A Question Of Balance”, “Every Good Boy Deserves Favour” dhe “Seventh Sojourn”, që grupin e kanë futur në rock progresiv. Me pjesëmarrjen e tij në albumin “Octave” të vitit 1977, grupi ka ngërthyer një zhanër që më shumë shkon drejt popit. Si pjesë e grupit ka qenë deri në albumin e fundit të grupit, “December”, një koleksion me këngë krishtlindjesh, publikuar më 2003.

Familja ka thënë se “me trishtimin më të thellë” njofton se muzikanti është “larguar papritur dhe në mënyrë të paimagjinueshme nga kjo jetë”.

“Siç e di kushdo që e ka njohur këtë njeri me zemër të madhe, dashuria e tij e palëkundur për të shoqen Kirsten dhe për familjen ishte gjëja më e rëndësishme për të, krahas pasionit për muzikën dhe besimi i tij”.

Lodge ka folur disa herë për besimin e tij si një i krishterë ungjillor, duke thënë se të besuarit e kishte ndihmuar të shmangte tepricat e jetës së “rock and rollit”.

“Do të na mungojnë përgjithmonë dashuria, buzëqeshja, mirësia dhe mbështetja e tij e pakushtëzuar dhe e pafund. Zemrat tona janë të thyera, por do të ecim përpara drejt paqes, të rrethuar nga dashuria që kishte për secilin prej nesh”, ka thënë familja në deklaratë.

John Lodge ka lindur në Erdington, Birmingham, dhe ka ndjekur shkollën fillore “Birches Green Junior School”, më pas “Central Grammar School”, dhe “Kolegjin e Teknologjisë së Avancuar në Birmingham”. Ka qenë i martuar prej shtatorit 1968 me Kirsten, me të cilën ka pasur dy fëmijë. Familja ka thënë se ai s’ka qenë “kurrë më i lumtur sesa në skenë” dhe “e ka adhuruar performancën me bendin dhe dhëndrin Jon, si dhe vazhdimin e shpërndarjes së muzikës me adhuruesit e tij”.

Kanë shtuar se akoma më shumë gëzim i ka ofruar puna me të bijën Emily dhe me të birin Kristian. E para është përmendur këngën “Emily’s Song” të “The Moody Blues”, nga albumi “Every Good Boy Deserves Favour”. Grupi ka vazhduar të performojë live deri më 2018, kur është futur në “Rock And Roll Hall Of Fame”.