Nën titullin “Lufta”, drama që merret me pasojat e luftës ka marrë vlerësimin maksimal sivjet, duke iu ndarë Çmimi i parë për dramë origjinale shqipe, “Katarina Josipi”. Autorit të kësaj drame, Astrit Kabashi, i është ndarë edhe Çmimi i dytë për dramën “Pse ke frikë”. E Çmimi i tretë në konkurrencën prej 20 dramash i është ndarë Florent Kurtalanit për dramën “Kurora”. Një zhgënjim i jurisë me cilësinë e përgjithshme të dramave, bashkë me kërkesën e laureatëve për inskenime kanë rrumbullakuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve të hënën në kabinetin e ministrit të Kulturës në detyrë, Hajrulla Çeku
Pasojat e luftës në shoqërinë e sotme kosovare vijnë nëpërmjet personazheve të dramës së Astrit Kabashit, e cila për sivjet ka marrë vlerësimin maksimal të jurisë së konkursit për dramë origjinale shqipe, “Katarina Josipi” duke u shpërblyer me Çmimin e parë. Nën titullin “Lufta”, kjo nuk është drama e vetme e Kabashit që është vlerësuar këtë vit. I është ndarë edhe Çmimi i dytë për dramën “Pse ke frikë”. E Çmimi i tretë në konkurrencën prej 20 dramash i është ndarë Florent Kurtalanit për dramën “Kurora”. Një zhgënjim i jurisë me cilësinë e përgjithshme të dramave, bashkë me kërkesën e laureatëve për inskenime kanë rrumbullakuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve të hënën në kabinetin e ministrit të Kulturës në detyrë, Hajrulla Çeku.
Ceremonia e zakonshme e ndarjes së çmimeve vjetore – kësaj radhe për dramë – e ka kthyer Astrit Kabashin për të tretin vit radhazi në këtë ngjarje. Kabashi aktor i njohur e profesor universitar i këtij profesioni, viteve të fundit i është rrekur edhe penës. Sivjet, nga vlerësimi i jurisë në përbërje të Kushtrim Mehmetit, Ilire Vincës, Kushtrim Koliqit, Florent Mehmetit dhe Zoga Çetës, ai ka merituar dy çmime. Vlerësimi bëhet duke lexuar dramat që paraqiten me shifra. Përtej leximeve të jurive, Kabashi aktualisht është duke bërë regjinë e një drame të tij në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Drama “Gërdia” që më 2023 kishte marrë Çmimin e parë në konkursin e MKRS-së, tani po inskenohet nga vetë Kabashi. Në premierë, ngelet të shihet edhe shkathtësia e tij prej dramaturgu e regjisori. Të hënën në ceremoni ka kërkuar inskenim të dramave dhe vlerësim të publikut, duke aluduar se është vonë që inskenimi i dramës fituese të bëhet pas dy vjetësh. Ka reaguar pasi Kushtrim Mehmeti e Florent Mehmeti kanë thënë se kualiteti i prurjeve të konkursit lë për të dëshiruar. E aktorja Ilire Vinca ka ndërhyrë duke bërë të ditur se kur flitet për mungesë kualiteti, nuk bëhet fjalë për dramat fituese, por për prurjet në përgjithësi.
“Këto tri drama kanë qëndruar shumë larg arritjeve të prurjeve të tjera që i kemi parë, kështu që është një lloj fryme e re dramaturgjike e cila vërtet synon dhe hap një horizont të ri”, ka thënë Vinca. Kurse Kabashi ka pasur një kërkesë karshi konsensusit të përgjithshëm se dramaturgjia shqipe është duke çaluar.
“Shpesh dëgjojmë se dramaturgjia kombëtare pak po çalon. Unë e kisha lënë me provu këtë dramaturgji njëherë, le ta vlerësojë publiku njëherë, a ia vlen apo nuk ia vlen, mos të paragjykohet”, ka thënë Kabashi në kostumin e dramaturgut të cilin të hënën e ka mbajtur goxha me krekosje. Kurse dramat fituese të tij janë vlerësuar si shumështresore.
“’Lufta’ është një dramë psikologjike e shtruar, e vendosur në minimalitet hapësinor dhe me numër minimal personazhesh, ku konflikti zhvillohet përmes marrëdhënies komplekse mes babait dhe të birit. Dialogu i ndërtuar me kujdes dramaturgjik shpalos disa shtresa njëkohësisht: përplasjen gjeneratash, raportin familjar dhe mënyrën se si lufta rrëfehet, vihet në dyshim dhe shndërrohet në narrativë morale”, shkruhet në arsyetimin e jurisë që para të pranishmëve është lexuar nga kryesuesi, Kushtrim Mehmeti njëherësh udhëheqës artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Sipas jurisë, teksti reflekton jo vetëm epokat historike që ka kaluar Kosova, por edhe pasojat e luftës në shoqërinë e sotme, duke e trajtuar luftën si konflikt të brendshëm dhe etik, e jo vetëm si ngjarje historike.
Kurse për dramën “Pse ke frikë”, juria ka vlerësuar se ajo e zhvendos fokusin nga trauma kolektive në përjetimin individual.
“Përmes figurës së Lekës, i cili jeton i izoluar pas një aksidenti, drama eksploron frikën si gjendje psikologjike të pashëruar. Dialogët e ndërtuara me invencion dhe monologët dramaturgjikisht të qëndrueshme krijojnë kompaktësi strukturore dhe shpalosin marrëdhëniet nder njerëzorë përreth personazhit kryesor. Qeni funksionon si metaforë e lirisë së munguar dhe si kontrapunkt dramaturgjik ndaj izolimit, duke forcuar dimensionin simbolik të veprës”, shkruhet në arsyetim.
Kurse për dramën e Florent Kurtalanit, “Kurora”, juria ka ardhur në përfundim se ajo e trajton temën e frikës dhe pushtetit përmes një komedie alegorike me situata kreative dhe dialogë të mprehtë.
“Sarkazmi i marrëdhënies mes pushtetit dhe popullit shtresohet përgjatë gjithë tekstit, duke zbuluar zbrazëtinë e autoritetit dhe iluzionin e madhështisë. Skulptura e mbretit, e paraqitur si “e sinqertë” por e zhveshur nga kurora dhe fuqia reale, bëhet metaforë e pushtetit të rremë dhe e frikës së institucionalizuar”, shkruhet në arsyetim.
Kryesuesi i jurisë, Kushtrim Mehmeti, ka treguar se TKK është në proces të botimit të dramave fituese të vitit të kaluar, e njëjtë planifikon të veprojë edhe me ato të sivjetme. Ka përmendur planet për lexime skenike e inskenime.
“Shumë shpejt po mendojmë që të bëjmë një lexim skenik për tri drama”, ka thënë ai.

Kurse laureati i dyfishtë, Astrit Kabashi, ka thënë se çmimet janë motiv shtesë.
“Unë mendoj që është veç një motiv shtesë për mua, për Florentin, edhe për dramashkruesit, por edhe për gjeneratat e reja që vijnë. Besoj që ka me i motivu shumë. Motiv edhe më i madh kish me qenë për ne nëse këto tekste inskenohen, veç se kanë filluar pas dy vjetësh”, ka thënë ai.
Vjet me “Udhëtimin e Familjes Müller në Unmikistan”, një ironi e hollë midis Ballkanit dhe Evropës, dramaturgu Jeton Neziraj e kishte marrë çmimin e parë për dramë origjinale shqipe, “Katarina Josipi”, të dytin e kishte marrë Astrit Kabashi me dramën “Fridrih Fluturaku” e të tretin Hyjno Vitia për dramën “Zelus”.
Çmimet që mbajnë emrin e një prej aktoreve të para shqiptare në Kosovë, Katarina Josipi, kanë edhe vlerë financiare. Çmimi i parë 3600 euro, i dyti 2400 kurse i treti 1200.


