Një shtresë dheu përshkon cep më cep hapësirën katërkëndëshe të një dhome modeste me ndriçim të neont. Me t’u hapur dera sakaq përftohet ndjesia e një përplasjeje: është erëmimi i dheut që bëhet gjithnjë më i rëndë dhe vrushkujt e ajrit të freskët nga jashtë.
E gjithë kjo artistikisht merr përfytyrimin e një përplasjeje mes ndjesisë dhe pandjesisë me atë që është “depozituar” në shoqëri. Varfëria, politikat e përditshme dhe pandemia globale bëjnë që të fillojë kalbëzimi, shkruan KOHA.
Kështu, ekspozita “Kalbja e rrënjëve” nga artisti e skulptori Burim Berisha – që u hap të premten në mjediset e “Paper Gallery” – është shpalosur si ngacmim për të vënë në pah përditshmërinë e shoqërisë në Kosovë mes izolimit, kufizimeve dhe varfërisë.
Zërat e të pranishmëve nuk cenonin instalacionin e vendosur në dhomën e parë në korridorin që merr në të djathtë të galerisë, e cila u hap në shkurt të këtij viti.
“Ideja është që të afrohesh brenda dheut pa shkelur në të”, shpjegonte Rina Statovci, koordinatore e Galerisë.
Dhoma tjetër ndriçohej but prej projektorit në të cilën shfaqej një video-instalacion treminutësh.
“Është bërë qëllimisht pa zë, ashtu që të vishet me interpretim nga publiku”, shpjegonte Statovci teksa videoja sillte me nuancime alla-Tarkovskyane skulptura të Berishës të gjysmëzhytyra në dhé.
Ndonëse puna për konceptualizimin e ekspozitës kishte nisur në fillim të këtij viti, ideja e saj ishte veçse vazhdimësi e veprave të mëparshme të autorit.
“Ideja është te përdorimi i dheut si simbolikë mbi atë që e vlerësojmë si të rëndësishme për ne”, ka thënë Berisha për KOHËN.
“Kalbja e rrënjëve”, ka shpjeguar ai, sjell temën e ngufatjes së shoqërisë. Dhe me të asociohet një rrafsh edhe më i gjerë sesa kaq: kufiri, lëvizja e kufizuar dhe pashpresa.