Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Komuna e Graçanicës detyrohet ta pezullojë lejen për konakun e murgjve, kërkon pëlqim

Konaku

Foto: Driton Paçarada

Komuna e Graçanicës është detyruar që ta pezullojë lejen e ndërtimit për konakun e murgjve që do të jetë në shërbim të Manastirit. Këtë veprim e ka ndërmarrë pasi Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i ka ndaluar punimet që janë zhvilluar pa pëlqimin e institucioneve qendrore të trashëgimisë kulturore, siç kërkon Ligji për trashëgimi kulturore. Komuna e Graçanicës, të hënën, po ashtu ka përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore duke dorëzuar projektin për miratim në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. I njëjti do t’i dërgohet në shqyrtim Institutit Arkeologjik të Kosovës, pasi hapësira është zonë arkeologjike nën mbrojtje.

Komuna e Graçanicës e ka pezulluar lejen e ndërtimit për konakun e murgjve që do të jetë në shërbim të Manastirit. Institucioni lokal është detyruar që ta ndërmarrë këtë veprim, pasi Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore i ka ndaluar punimet që janë zhvilluar pa pëlqimin e institucioneve qendrore të trashëgimisë kulturore, siç kërkon Ligji për trashëgimi kulturore. Komuna e Graçanicës, të hënën, po ashtu ka përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore duke dorëzuar projektin për miratim në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. I njëjti do t’i dërgohet për shqyrtim Institutit Arkeologjik të Kosovës, pasi hapësira është zonë arkeologjike nën mbrojtje.

“Pezullohet zbatimi i lejes ndërtimore nr. II 571/25 të datës 06.03.2025, të lëshuar nga Komuna e Graçanicës për ndërtimin e konakut të murgjve në parcelën kadastrale nr.1749/7 ZK Graçanicë, në pronësi të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit”, shkruhet në pikën e parë të Aktvendimit të nxjerrë nga Drejtoria e Urbanizimit e cila udhëhiqet nga drejtoresha Aleksandra Djekiç. Në Aktvendimin të cilin KOHA e ka siguruar nga ky institucion lokal, shkruhet se pezullimi është i karakterit të përkohshëm dhe vlen deri në marrjen e pëlqimit nga institucionet kompetente për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Aktvendimi mban datën 9 shkurt. Por është zyrtarizuar duke u protokolluar me 13 shkurt, tri ditë pasi Inspektorati ka ndaluar punimet për ndërtimin e konakut. Në arsyetim nuk përmendet fare se Inspektorati i ka ndaluar punimet. Përmendet vetëm takimet që kanë pasur përfaqësuesit komunalë me ata të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. KOHA në bazë të korrespodencave që posedon ka raportuar se zyrtarët komunalë pas takimit kishin refuzuar që të pezullojnë lejen. Dhe, deri te ky vendim kanë ardhur pasi janë ndaluar punimet. KOHA të hënën po ashtu ka konfirmuar nga Komuna e Graçanicës e po ashtu nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë se kërkesa për miratim të projektit është dorëzuar në QRTK. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në ditën e 10-të të shkurtit, inspektorët e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore do të ndalnin punimet në vendpunishte. Të pranishmëve aty u qe dorëzuar edhe Procesverbali ku shqiptohet masa e ndalimit të punimeve e po ashtu jepet edhe arsyetimi. Më pas u është dërguar edhe vendimi. 
Në pjesën juglindore të murit rrethues të Manastirit të Graçanicës është rrënuar një pjesë e një objekti ekzistues. Edhe ky veprim është bërë pa kurrfarë pëlqimi nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Më pas ka nisur një ndërtim i planifikuar si konak për murgjit e Manastirit, i cili prej vitit 2016 është aset i trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme, kategoria më e lartë me të cilën shteti mbron një  monument. 

KOHA para dy javësh ka raportuar mbi bazën e një numri korrespodencash zyrtare institucionale nëpërmjet të cilave konstatohet se punimet janë bërë pa leje. Ky konstatim vjen nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës. Nëpërmjet një raporti zyrtar është njoftuar Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Inspektorët kanë zhvilluar një takim me zyrtarët e Komunës së Graçanicës. Pas takimit ku zyrtarëve komunalë u janë sqaruar detajet se si veprohet në këto raste, nëpërmjet postës elektronike u është kërkuar pezullimi i lejes për ndërtim. 

Sipas shkresës, inspektorët dhe zyrtarët komunalë në takim janë pajtuar që me qëllim të respektimit të dispozitave të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, të pezullohet leja për ndërtim në hapësirën e caktuar. Manastiri po ashtu, është edhe zonë e veçantë e mbrojtur dhe është i listuar në Ligjin për zonat e veçanta të mbrojtura. 

Por Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit në Komunën e Graçanicës po nëpërmjet postës elektronike kishte refuzuar të përfillë rekomandimin. Sipas drejtoreshës, Aleksandra Djekiç, ata për lëshimin e lejes janë orientuar në Planin Zhvillimor të Komunës së Graçanicës për periudhën 2014–2029, Ligjin për Ndërtim dhe në Ligjin për zonat e veçanta të mbrojtura. Por ky ligj në asnjë nen nuk përcakton se intervenimet duhet të bëhen pa lejen e institucioneve të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Përkundrazi, ky Ligj përcakton se: “Zonat e Veçanta të Mbrojtura gjithashtu gëzojnë plotësisht mbrojtjen e përcaktuar nga Ligji mbi Trashëgiminë kulturore dhe ndryshimet e tij të mëtutjeshme”. Po ashtu, edhe Aneksi 5 i Planit të Ahtisaarit prej nga buron ky ligj, përcakton se Kisha Ortodokse Serbe ushtron përgjegjësi në pajtim me legjislacionin e Kosovës. Drejtoria për Urbanizëm e Komunës së Graçanicës nëpërmjet shkresës, i ka thënë Inspektoratit se kërkesa e tyre bazohet në informata të pasakta dhe se injoron dispozitat ligjore për zonat e veçanta të mbrojtura dhe bazuar në këtë, e kanë kërkuar tërheqjen e urdhrit për pezullim, derisa çështja të shqyrtohet para Këshillit për Zbatim dhe Monitorim. Ky Këshill është derivat i Ligjit për zonat e veçanta të mbrojtura. Por është forum lehtësues i komunikimit dhe marrëveshjeve ndërinstitucionale dhe nuk ka mandat të miratojë projekte e as të japë leje. 

Inspektorati më pas nëpërmjet një tjetër shkrese ia kanë sqaruar situatën edhe një herë Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit në Komunën e Graçanicës. U është kërkuar përfillja e legjislacionit në fuqi, përfshirë Ligjin për trashëgimi kulturore. 

Ligji për Trashëgimi Kulturore përcakton se në situata ku zhvillohen punime brenda perimetrit të monumenteve ose në zonën e mbrojtur të tyre  duhet leje me shkrim. 

“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore, kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.

“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9. Madje ky Ligj përcakton edhe se institucioni kompetent ka të drejtë vetoje në raste të tilla. 

Manastirit të Graçanicës është edhe nën mbrojtje të UNESCO-s në Listën e trashëgimisë kulturore në rrezik. 

KOHA qysh para dy javësh ka provuar të marrë përgjigje nga drejtoresha e Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Graçanicës, Aleksandra Djekiç, por ajo nuk është përgjigjur. Përgjigje nuk ka kthyer as Kisha Ortodokse Serbe. 

Manastiri i Graçanicës gjendet në bregun e lumit “Graçanka”, në jug të Prishtinës. Sipas databazës së trashëgimisë kulturore, Manastiri i sotëm është rikonstruktim i një kishe të shekullit  XIV kushtuar së Virgjërës Mari, e cila kishë ishte ndërtuar në themelet e një bazilike të hershme të krishterë të shekullit VI. 

“Sipas konceptit të saj hapësinor i takon tipit të kishave me pesë kupola mbi bazë katrore me kryq të brendashkruar, karakteristike për arkitekturën bizantine. Në eksterier është arritur një marrëdhënie ideale në proporcionet dhe volumin e manastirit. Ngritja graduale e harqeve dhe kupolave duke shkuar kah pjesët e sipërme si dhe ndarja e fasadës ballore në tri pjesë përmes harqeve, i japin kishës një harmoni të jashtëzakonshme dhe vlerë të veçantë arkitekturore”, shkruhet në databazë.  Sipas përshkrimit, ramburi i kupolës kryesore është origjinal, mbi të takohen harqet, duke e theksuar kështu bazën katrore të kryqit të brendashkruar. Aty qartësohet se katër kupolat anësore ngrihen mbi tamburet mjaft të larta, të cilat e theksojnë vertikalen e ndërtesës, që nuk ishte karakteristikë tipike e asaj periudhe.