Kulturë

Komuna reprizon ndërhyrje të paautorizuara, ndalen punimet te “Qamil Hoxha”

Ndalen punimet te “Qamil Hoxha”

Punimet në rrugën “Qamil Hoxha” në kryeqytet kanë nisur këtë javë. Kontrata për implementimin e punimeve, ku përfshihet edhe rruga “Rexhep Luci”, peshon mbi 1.3 milionë euro. Sipas vendimit të Ministrisë së Kulturës të vitit 2020 edhe rruga “Qamil Hoxha” është pjesë e zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Po ashtu në këtë rrugë ka dalje edhe monumenti “Shtëpi banimi – Ismail Sahatçiu”

“Ndërhyrjen e paautorizuar” nga organet e trashëgimisë kulturore, Komuna e Prishtinës e ka reprizuar edhe në rrugën “Qamil Hoxha”. Por për dallim prej dy rasteve të tjera, ndalimi i punimeve është bërë pa shumë bujë, e përplasjet janë zhvilluar në zyra. “Është bërë gërryerja e asfaltit dhe po planifikohet ndërrimi i gypave të ujësjellësit, si dhe largimi i tarracave ekzistuese të lokaleve. Për këto punime nuk është parashtruar kërkesë për pëlqim në institucionet e trashëgimisë kulturore”, shkruhet në procesverbalin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. “I ngjan më shumë një cirku sesa një arsyeje reale”, ka thënë për ndaljen e punimeve drejtori i Drejtorisë së Transformimit në Komunën e Prishtinës, Gëzim Kastrati

Komuna e Prishtinës dhe institucionet e trashëgimisë kulturore kanë hyrë në një cikël përplasjesh që s’u shihet fundi. Tash Komunës i janë ndaluar punimet në projektin e tretë me radhë si “ndërhyrje të paautorizuara”. 

Kësaj radhe në rrugën “Qamil Hoxha”, e cila lidh bulevardin qendror të kryeqytetit me rrugën “Agim Ramadani”. Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore të mërkurën ka shqiptuar masën: ndalim punimesh. Këtë e ka bërë me arsyetimin se Komuna nuk ka kërkuar leje për ndërhyrje në zonë të mbrojtur të trashëgimisë kulturore. Ky ndalim vjen pas rastit të “Ishullit Urban Arbëri – Pallati i Rinisë” dhe sheshit “Xhorxh Bush”. 

Punimet në rrugën “Qamil Hoxha” në kryeqytet kanë nisur këtë javë. Kontrata për implementimin e punimeve, ku përfshihet edhe rruga “Rexhep Luci”, peshon mbi 1.3 milionë euro. Sipas vendimit të Ministrisë së Kulturës të vitit 2020 edhe rruga “Qamil Hoxha” është pjesë e zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Po ashtu në këtë rrugë ka dalje edhe monumenti “Shtëpi banimi – Ismail Sahatçiu”. Që të dyja këto asete janë pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, për cilëndo ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkohet leje me shkrim nga institucioni kompetent. Në këtë rast institucion kompetent është Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Komuna nuk ka kërkuar leje as për ndërhyrjet në këtë rrugë. Për këtë arsye, Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore të Prishtinës ka njoftuar Komunën se është duke ndërhyrë në zonë të mbrojtur pa kërkuar leje. Më pas ka njoftuar edhe Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore. Inspektorati sipas Procesverbalit,  të mërkurën, në orën 11:00 ka konstatuar se kanë filluar punimet në hapësirat e zonës së mbrojtur të QHP-së dhe “Shtëpisë së banimit – Ismail Sahatçiu”, në Prishtinë. 

“Është bërë gërryerja e asfaltit dhe po planifikohet ndërrimi i gypave të ujësjellësit, si dhe largimi i tarracave ekzistuese të lokaleve. Për këto punime nuk është parashtruar kërkesë për pëlqim në institucionet e trashëgimisë kulturore”, shkruhet në procesverbal. Aty bëhet e ditur se në zyrat e ITK-së ishte prezent drejtori i Drejtorisë për investime kapitale, Sokol Havolli, dhe ai ka refuzuar të bëjë deklarim për procesverbal. KOHA ka marrë vesh se Havolli nuk ka pranuar as ta marrë një kopje të procesverbalit. Pavarësisht se procesverbali është mbyllur në orën 12:50 minuta, të paktën dy orë më pas janë zhvilluar punime në këtë rrugë. KOHA e ka pyetur drejtorin Havolli se si e sheh veprimin e ITK-së, përse Komuna nis punime në zona të mbrojtura pa leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore dhe se si do të veprohet në vazhdim sa i përket kësaj rruge. Por ai ka refuzuar të përgjigjet.

Një përgjigje të shkurtër e ka pasur drejtori i Drejtorisë së Transformimit, Gëzim Kastrati. 
“I ngjan më shumë një cirku sesa një arsyeje reale”, ka thënë ai për ndaljen e punimeve. 

Ligji për trashëgimi kulturore përcakton se në raste kur investimet planifikohen në zona të mbrojtura të merret leje. 

“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillime të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9. Po ashtu ky ligj bën të ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.

Për projektet e mëhershme të Komunës, ku po ashtu janë ndalur punimet, zyrtarët komunalë kanë kontestuar kufijtë e zonës së Mbrojtur të Qendrës Historike. Sipas tyre, hartat që përcaktojnë këtë zonë nuk janë të vlefshme. Kurse zyrtarët e trashëgimisë kulturore kanë thënë se harta ka qenë pjesë e dosjes, nëpërmjet së cilës QHP-ja është propozuar që të futet nën mbrojtje në Listën e përkohshme të trashëgimisë kulturore. Zyrtarët komunalë bazohen edhe në pikën 6 të nenit 4 të Ligjit për trashëgimi kulturore për të kontestuar statusin e zonës së mbrojtur të QHP-së. 

“Objektet e trashëgimisë kulturore të përfshira në Listën e trashëgimisë, nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme, regjistrohen nё Agjencinë kadastrale dhe gjeodet tё Kosovës, nё tё dyja nivelet qendror dhe lokal”, shkruhet në këtë pikë. Sipas zyrtarëve komunalë regjistrimi në kadastër nuk është bërë asnjëherë, gjë që, sipas tyre, nënkupton se nuk është mbyllur statusi ligjor i këtyre hapësirave. Për zyrtarët komunalë i kontestueshëm është edhe fakti se MKRS-ja çdo vit ia zgjat afatin edhe për një tjetër vit Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.

Komuna e Prishtinës dhe institucionet e trashëgimisë kulturore tashmë janë edhe subjekt i institucioneve të hetuesisë. 

Tri tentime të Komunës së Prishtinës për të zhvilluar punimet pa leje në sheshin “Xhorxh Bush”, që për Ministrinë e Kulturës është zonë nën mbrojtje e Qendrës Historike të Prishtinës, tashmë janë bërë lëndë e mjaftueshme për Policinë e Kosovës që ta hetojë këtë rast. Zyrtarët e institucioneve të trashëgimisë kulturore kanë dhënë sqarime në Policinë e Kosovës sa u përket masave të ndalimit që ka shqiptuar Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore duke ndalur punimet e Komunës së Prishtinës. Zyrtarë të Inspektoratit dhe të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore janë intervistuar për këtë rast. Siç ka marrë vesh KOHA bëhet fjalë për kallëzimin që Inspektorati ia ka bërë Komunës pasi ka ndalur punimet herën e dytë, në prill. Komunës në këtë projekt i janë ndalur punimet tri herë. Punimet i ishin ndalur më 12 mars. Më pas më 15 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill. 

Herën e fundit edhe me ndërhyrje të Policisë së Kosovës, pasi Inspektorati i Trashëgimisë Kulture pengohej nga vetë kryetari i Komunës, Përparim Rama, dhe një pjesë e kabinetit të tij. Për këtë projekt Komuna ka nënshkruar kontratë 18.4 milionë euro. Pas ndaljes së punimeve për herë të parë Komuna ka kërkuar leje, por Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka lëshuar rekomandime duke kërkuar plotësim të dosjes. Po ashtu është konstatuar se cenon monumentet. Më pas edhe Komuna ka kërkuar sqarime shtesë nga IKMM-ja. Vjet në vjeshtë Komunës i janë ndalur punimet edhe për projektin e “Ishullit Urban Arbëri – Pallat i Rinisë”, me arsyetimin se një pjesë e projektit hyn në zonën e mbrojtur të QHP-së e po ashtu prek edhe Pallatin e Rinisë dhe sportit që është monument. Komuna ka kërkuar leje, por i është refuzuar. Kontrata për implementimin e këtij projekti peshon 6.5 milionë euro.  Tash punimet vazhdojnë shkarazi matanë hekurudhës. Edhe rruga “Rexhep Luci” është brenda zonës së mbrojtur të QHP-së. Por në atë rast nuk janë ndalur punimet. Për mosndalimin e punimeve në këtë rast institucionet e trashëgimisë kulturore janë bazuar në vendimin e Gjykatës, nëpërmjet të cilit ishte shfuqizuar vendimi i Komunës për mbylljen e rrugës për qarkullim me automjete deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës. Pavarësisht kësaj, punimet vazhdojnë.