Dikur shtëpi e dhuruar nga atdhetari Diamant Tërpo, godina historike e Mësonjëtores së Parë Shqipe nyjëton historinë e arsimit shqip. Projekti i nisur në shtator të vitit të kaluar për muzealizimin e ndërtesës historike synonte t’ia “rikthente” lavdinë Korçës si destinacion turistik. Por futja e elementeve të reja brenda Muzeut të Arsimit është kritikuar si anashkalim i historisë dhe i identitetit të ndërtesës historike. Ky debat ka “përplasur” një grup studentësh nga universiteti “Fan Noli” me rastin e vizitës së kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Kulturës, Elva Margariti, në këtë muze. Të parët kanë mbajtur edhe pankarta si “Ishe Mësonjëtore njëherë: na u bëre Muze Kothere prej leshi”, kurse kryeministri Rama është kundërpërgjigjur ashpër duke thënë se kritikat vijnë nga “analfabetë funksionalë”
Me punimet restauruese që thuajse kanë përfunduar, ngrehina dykatëshe e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë ka ambicien që të jetë një muze për të gjitha moshat. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, të martën ka vizituar objektin në Bulevardin e Shën Gjergjit në Korçë, i cili prej muajsh i është nënshtruar procesit të muzealizimit.
Gjatë kësaj vizite atë e ka shoqëruar edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ka shpjeguar për procesin e rinovimit të kësaj ndërtese dhe për rivendosjen e aseteve historike të Mësonjëtores.
“Tash kompleksit i është shtuar një auditorium i hapur që do të shërbejë edhe për nxënësit dhe komunitetin”, ka thënë ajo teksa ka shtuar se ideja është që muzeu të shndërrohet në qendër komunitare.
Teksa kanë vizituar mjediset e brendshme të ndërtesës së Mësonjëtores, Margariti ka folur edhe për elementet përkatëse historike dhe sistemin e ri të digjitalizuar.
“Ne kemi bërë ftesë publike që çdo qytetar të dhurojë artefakte për këtë muze”, ka shtuar ministrja e Kulturës.
Me këtë rast nga përgjegjësit e Muzeut është njoftuar se është në përgatitje e sipër platforma për vendosjen e shkronjave të obeliskut “ABC” si simbol i kahershëm përballë hyrjes së Mësonjëtores.
Ndërkohë, kryeministri Rama nuk është përmbajtur nga komentet e ashpra për kritikët e restaurimit që kishin alarmuar për humbjen e vlerave historike të godinës.
Ai ka thënë se njerëzit reagojnë vetëm kur qeveria bën punime, ndërsa nuk thonë asgjë “kur ka mbeturina apo merimanga”.
“Pse nuk presin sa të mbarojë puna. Sa rregullohen punët nxjerrin bishta. Nga vijnë këta, nga cili shekull e nga cili pyll. Njerëz analfabetë funksionalë”, ka thënë Rama.
Para vizitës së kreut të Qeverisë shqiptare, një grup studentësh nga universiteti “Fan Noli” dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë protestuar për atë që e kanë quajtur si zhbërje të identitetit të ndërtesës historike.
“Po e ngremë zërin për këtë ndërtesë të heshtur që u cungua pa asnjë kompetencë qytetarie dhe kulturore”, ka thënë njëra nga përfaqësueset e studentëve.
Sipas saj, për qytetarët korçarë është e papranueshme “masakra” që po i bëhet qytetit të Korçës.
“Është transformuar krenaria e vjetër me një të re që nuk mbart asnjë lloj kuptimi”, ka shtuar ajo.
Protestuesit kanë mbajtur pankarta në duar si “Na ktheni Mësonjëtoren”, “Ishe Mësonjëtore njëherë: na u bëre Muze Kothere prej leshi”, “Lidhja me kulturën prishet nga ‘zhbërja’ e historisë dhe përdhosja e simboleve” etj.
Kryeministri Rama nuk është përmbajtur nga komentet e ashpra për kritikët e restaurimit që kishin alarmuar për humbjen e vlerave historike të Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë
Ndryshe, prej javësh kanë vazhduar debatet në lidhje me ndryshimet e bëra brenda godinës historike, veçmas ndryshimin e bankave dhe zhvendosjen e obeliskut të “ABC”-së.
Specialisti i trashëgimisë kulturore, Kreshnik Merxhani, kishte thënë se ndryshimet e bëra kishin ndryshuar tërësisht idenë e godinës.
“Mirë që u rikthyen artefaktet, por i ka humbur vendi ‘Udhës së Shkronjave’”, kishte thënë Merxhani teksa kishte kritikuar idenë që Muzeu i Arsimit të bëhej “copy-paste” i muzeve të huaja.
Gjithnjë sipas kritikëve, dërrasa e zezë është zëvendësuar me projektor, kurse shandanët dhe qirinjtë me ndriçim “Hi-tech”.
Sipas dosjes së konkursit publik “Muzealizimi i Muzeut ‘Mësonjëtorja e parë shqipe’”, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale më 14 shtator të vitit të kaluar kishte miratuar projektin për muzealizimin e “Muzeut të Arsimit Korçë” me projektues “iRI”.
Një goditje jo të vogël për ndërtesën e Mësonjëtores së Parë Shqipe dha tërmeti i 1 qershorit të vitit 2019. Pas dëmeve serioze që pësoi, Muzeu Kombëtar i Arsimit u detyrua të mbyllte dyert për vizitorët.
Në Korçën me 6 muze, objekti dykatësh vlerësohet si një prej pikave që tërheq më së shumti vizitorë nga vendi e bota.
Sipas të dhënave zyrtare të Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK), ndërtesa e Mësonjëtores së Parë Shqipe i përket periudhës së Rilindjes (1831-1912)
Po sipas të njëjtave shënime, Mësonjëtorja është shpallur monument kulture më 10 qershor të vitit 1973 me vendimin nr. 1886 nga Ministria e asokohshme e Arsimit dhe Kulturës në Shqipëri. Në të vërtetë, ndërtesa kishte marrë statusin e Muzeut Kombëtar të Arsimit më 1967, duke u plotësuar me lëndë historike nga etapat kryesore të përpjekjeve për shkolla në gjuhën shqipe. Brenda ndërtesës me tetë mjedise ekspozimi janë shpalosur botime të vjetra në gjuhën shqipe duke filluar me Abetaren e parë shqipe të Naum Panajot Bardhit (Veqilharxhi), fotografi, alfabetet e përdorura para 1908-s, e të tjera.
Falë përpjekjeve të Naim Frashërit dhe rilindësve të tjerë të “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip” ishte siguruar me në fund një leje nga sulltani për hapjen e një shkolle private shqipe në Korçë. Me mbështetjen entuziaste të mërgatës shqiptare në Rumani, Mësonjëtorja do të hapej më 7 mars 1887 në shtëpinë që e dhuroi atdhetari Diamant Tërpo. Që në ditët e para, drejtori Pandeli Sotiri dhe bashkëpunëtorët e tij, Petro Nini Luarasi dhe Thanas Sina, u ndeshën me pengesa nga autoritetet osmane dhe Patrikana e Stambollit.
Porta e Lartë kishte dhënë leje që vetëm fëmijët e krishterë të mësonin në këtë shkollë, por shqiptarët nuk iu bindën kësaj ndalese dhe mësimin e vijuan edhe fëmijë nga familjet myslimane.
Si pasojë e represionit osman, Mësonjëtorja e Korçës u mbyll në vitin 1902. Derisa në këtë qytet toleroheshin me të madhe shkollat greke, administrata osmane arrestoi mësuesit Leonidas e Naum Naçi me akuzat për tradhti shtetërore, derisa të njëjtin fat e patën edhe arsimdashësit e tjerë si Vani Kosturi, Spiro Kosturi, Thimi Marko e Orhan Pojani. Kërkesat e pandalshme të rretheve patriotike bënë që ajo të rihapej në vitin 1908, por autoritetet osmane do ta mbyllnin sërish më 1912.
Para vizitës së kreut të Qeverisë shqiptare, një grup studentësh nga universiteti “Fan Noli” dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë protestuar për atë që e kanë quajtur si zhbërje të identitetit të ndërtesës historike