Kulturë

“Kthimi i Karl Majit” për paradokset e Evropës, në prova “ilegale”

Përmes letërsisë, shkrimtari gjerman Karl Maj do të niste alter-egon e tij të fiksionalizuar, Kara Ben Nemsi, në një udhëtim mes për mes Lindjes. Ajo që dikur prekte interesimin e evropianëve me gjithçka ekzotike që kishte “tjetri” oriental, tash do të ndërrojë kah. I “njëjti” personazh, tok me një grup aktorësh nga Kosova, do të arratiset nga Lindja për të shkuar drejt “tokave gjermane”. Në rrugëtim e sipër, ata takojnë Zhizhekun, Handken, si dhe një pjesëtar të “Nationalsozialistischer Untergrund”.

Dyert e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ashtu sikurse të shumicës së institucioneve kulturore, vazhdojnë të jenë të mbyllura, për shkak të pandemisë. Por të hënën në TKK, në njëfarë forme ilegale, kanë nisur provat që “Karl Maji” të vihet në skenë, e kështu në vjeshtë të realizojë premierën e shumëpritur.

Qendra “Multimedia” ka zgjedhur satirën për të paralajmëruar fillimin e provave. Kështu, sipas njoftimit të afishuar, Teatri Popullor Gjerman (Volksbühne) ndodhet në krizë. Madje, për çudi, drejtuesit e teatrit të njohur berlinez i kanë bërë thirrje Teatrit Kombëtar të Kosovës për ndihmë. Kështu, indentanti Klaus von Dörr ka kërkuar dorën e ndihmës.

“Na ndihmoni, o njerëz të mirë, se ju keni potencial njerëzor, keni rrëfime të mrekullueshme, keni aktorë që s’gjenden asgjëkundi në Evropë, keni shkrimtarë, muratorë, sportistë… Na ndihmoni të dalim nga kjo krizë, se ju kemi ndihmuar edhe ne në të kaluarën”, është “lutja” e herr Dörrit.

E vetë TKK-ja, gjithnjë sipas njoftimit satirik, u ka dhënë dritën e gjelbër ndihmave për teatrin gjerman, madje si mirënjohje për bombat gjermane ndaj Serbisë më 1999.

“E njoftojmë publikun kosovar se një kontingjent i aktorëve të TKK-së do të udhëtojë së shpejti drejt Berlinit, ku do të luajë shfaqjen ‘Kthimi i Karl Majit’, si mbështetje dhe si përpjekje për ta nxjerrë nga kriza atë teatër të zhytur deri në fyt me probleme, që, dorën në zemër, nuk është se i kuptojmë fort mirë”, thuhet në paralajmërimin e veshur me satirë të “Multimedias”.