Kompozimi për Liburn Jupollin, i shquar si novator në fushën e muzikës, është mision. I ka hyrë dokumentimit të masakrave në Kosovë edhe nëpërmjet veprave muzikore. “Vicinus, vicini, lupus est” është e radhës, nëpërmjet saj muzikon masakrën ndaj familjes Vejsa në Gjakovë e kryefjalë ka dëshminë e të mbijetuarit të kësaj masakre, Dren Caka. Në 8 minuta e 12 sekonda, përjetëson në tinguj ngjarjen e kobshme ku u masakruan 21 civilë. Vjen pas “Mizer-Reçak” e maestro Jupolli se ka ndërmend të ndalet me kaq
Në natën midis 1 e 2 prillit të vitit 1999, në Gjakovë u krye një prej krimeve më të rënda të luftës në Kosovë. Në bodrumin e shtëpisë së familjes Vejsa, forcat serbe vranë dhe dogjën për së gjalli 21 civilë shqiptarë, kryesisht gra dhe fëmijë. Nga ai ferr shpëtoi vetëm një fëmijë dhjetëvjeçar – Dren Caka – dëshmia e të cilit mbetet një prej rrëfimeve më tronditëse për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Më shumë se një çerek shekulli pas, tragjedia vazhdon të përkujtohet si një nga aktet më mizore të regjimit gjenocidal serb. Drejtësia për viktimat ende mungon. Përgjegjësit e masakrës nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Rasti mbetet një nga plagët e pambyllura të luftës.
Gjithë ky rrëfim që përfaqëson kujtesën historike të familjeve shqiptare në Kosovë, është transformuar në rrëfim muzikor nëpërmjet veprës “Vicinus, vicini, lupus est” nga kompozitori Liburn Jupolli.
E përkthyer në shqip si “Fqinji për fqinjin është ujk” – që gjëllin tek e famshmja “Homo hominis lupus est” (Njeriu për njeriun është ujk), fillimisht e përdorur nga dramaturgu romak, Plautus, mandej nga filozofi anglez, Thomas Hobbes – vepra është e dyta në ciklin “Libri i homazheve”, një seri kompozimesh që Jupolli ua kushton viktimave të masakrave në Kosovë.
Vepra:
Pas veprës “Mizer-Reçak”, interpretuar vitin e kaluar nga Filharmonia e Kosovës, kompozitori vazhdon të ndërtojë një opus që nuk synon vetëm përkujtimin, por edhe dokumentimin artistik të krimeve të luftës.
Edhe
24 vjet pas, MKRS-ja e UP-ja bëhen bashkë për memorializimin e fëmijëve të vrarë në luftë
Në qendër të kësaj vepre nuk është vetëm muzika. Janë dëshmitë njerëzore. Ato janë vetë materiali mbi të cilin ndërtohet muzika. Intonacioni i fjalës, ritmi i të folurit, pauzat, dridhjet e zërit dhe ngarkesat emocionale janë bërë melodi, ritëm dhe teksturë orkestrale në veprën e Liburn Jupollit.
Koncepti i autorit shkon përtej ilustrimit muzikor të tragjedisë. Muzika nuk e komenton ngjarjen, por e ndjek atë.
Sipas Jupollit, orkestra dhe elektronika ndërtohen si një organizëm i vetëm.
“Orkestra dhe elektronika janë konceptuar si një tërësi e vetme: herë ndërthuren dhe shkrihen me njëra-tjetrën, e herë zëri dokumentar del në plan të parë. Përmes këtij raporti, vepra synon të krijojë një hapësirë ku kujtesa e rrëfyer dhe muzika bashkëjetojnë, pa e zëvendësuar apo interpretuar dëshminë, por duke e bartur atë në një formë tjetër të kujtesës”, ka shpjeguar kompozitori në një bisedë për KOHËN.
Pikërisht këtu qëndron veçantia e kësaj vepre. Çdo zhvillim muzikor buron nga një dëshmi konkrete, nga zërat realë dhe nga historia që ka ndodhur.
Edhe vetë titulli bart simbolikë të dyfishtë, tek buron nga thënia latine “Homo homini lupus” – “Njeriu për njeriun është ujk” e që Jupolli e transformon atë në “Vicinus, vicini, lupus est” – “Fqinji për fqinjin është ujk”. I referohet njëherësh marrëdhënies midis njerëzve që jetonin pranë njëri-tjetrit dhe agresionit të shtetit fqinj, Serbisë, ndaj Kosovës.
Vepra është publikuar në kanalin “YouTube” të autorit të saj.
Zhvillimi i veprës ndjek në mënyrë të drejtpërdrejtë rrëfimet e të mbijetuarve. Që në hyrje krijohet një atmosferë e rëndë. Dy seksione të orkestrës së harqeve ndërtojnë një peizazh të errët tingullor, ndërsa tupanët japin goditje të rralla e kërcënuese. Mbi këtë shtresë muzikore dëgjohet rrëfimi i njërit prej tre narratorëve. Zëri i saj vjen fillimisht i turbullt, sikur kujtesa të kërkojë kohë për të rikthyer ngjarjet e asaj nate.

Pak nga pak, zëri i Dren Cakës bëhet i qartë. Materiali është marrë nga intervista që ai kishte dhënë për gazetën britanike “The Daily Telegraph”. Ai kujton se kishte parandier se diçka e keqe do të ndodhte dhe se në shtëpi ndodheshin vetëm gra e fëmijë që besonin se aty do të gjenin siguri.
Në një prej momenteve më të fuqishme dramaturgjike të veprës është kur dëgjohet zhurma e lugës që përzien çajin. Është një tingull i zakonshëm i jetës së përditshme, por që në kontekstin e rrëfimit merr një peshë të jashtëzakonshme emocionale. Dren Caka kujton se vajza e familjes, Flaka, po përvëlonte çajin, ndërsa nëna e tij po ndërronte motrën e tij foshnjë.
Kjo qetësi e brishtë ndërpritet menjëherë nga krismat e armëve. Pas tyre dëgjohet fjalia e tij:“...kështu që u shtira sikur jam i vdekur”. Në atë çast, muzika ndryshon rrënjësisht. Harqet bëhen më agresive, tupanët krijojnë goditje të pazakonshme, ndërsa elektronika prodhon tinguj të ftohtë e drithërues që ngjasojnë me trokitje të forta në dyer. Muzika, sikur nuk përpiqet ta ilustrojë ngjarjen, por të krijojë ndjesinë e ankthit, kaosit dhe terrorit që përjetuan civilët e pambrojtur.
Më pas, në vepër, dëgjohet pyetja e gazetarit drejtuar Dren Cakës: “A je optimist për jetën tani?”
Në vepër nuk jepet përgjigjja. Heshtja që pason bëhet pjesë e dramaturgjisë muzikore. Ajo lë hapësirë që dëgjuesi të përballet vetë me peshën e traumës së një fëmije që në moshën dhjetëvjeçare pa njerëzit më të dashur e më të afërt të tij dhe fqinjët tek masakroheshin.
Në fund dëgjohet rrëfimi i Nesrete Vejsës, e cila kujton se viktimat ishin njerëzit me të cilët ishin rritur në të njëjtën lagje. Pikërisht kjo dëshmi e shpjegon edhe simbolikën e titullit të veprës.
Në bisedën me KOHËN, Liburn Jupolli ka thënë se “Vicinus, vicini, lupus est” është vazhdimësi e punës së tij për ta dokumentuar historinë e masakrave në Kosovë nëpërmjet muzikës.
“Kjo është në vazhdën e ‘Librit të homazheve’, që i bie që jam qe një kohë duke u marrë edhe me vepra të tjera. Kjo ka qenë e radhës që është përfunduar. Sikur te ‘Mizer-Reçak’ po mundohem jo vetëm të krijoj pjesë që janë të dedikuara, ajo është po se po, por jam duke u munduar edhe t’i dokumentoj përmes muzikës. Synimi me këtë libër, pra, është edhe t’i dokumentoj në mënyrë muzikore masakrat e Kosovës. Nuk e di sa do t’i përfshij, por qëllimi është që sa më shumë prej masakrave që mundem t’i kapërthej, është mirë”, ka thënë Jupolli.
Edhe
Filharmonia në Ditën e Pavarësisë rrëfen me tinguj epokat deri te festa
Sipas tij, sfida më e madhe nuk ka qenë kompozimi, por gjetja e një forme artistike që i qaset me ndjeshmëri materialit dokumentar.
“Nuk është edhe lehtë, sepse është material goxha i ndjeshëm dhe unë po mundohem t’ia gjej një fije muzikore se si të dokumentoj me muzikë. Te ‘Mizer-Reçak’ ka qenë me emra nga kori, ajo është një mënyrë. Tash e kam marrë një trajtim tjetër. Dren Caka është i mbijetuar, një, dhe janë familjarë të viktimave që kanë dhënë intervista më herët. Është një sistem që është përdorur edhe më herët, është kompozitori Steve Reich që e ka veprën ‘Different Trains’. Ideja është të ndiqet zëri i intervistës. Ne kemi melodi të fjalës, por nuk e dëgjojmë sepse koncentrohemi më shumë në fjalë dhe në atë se çfarë është duke thënë ai person”, ka treguar kompozitori Jupolli.
Në këtë vepër, zëri shndërrohet në material muzikor. Intonacioni i të folurit përcillet te instrumentet, të cilat ndjekin lëvizjen natyrore të fjalëve.
“Unë e kam marrë një intervistë të Dren Cakës që e ka dhënë për ‘Daily Telegraph’, kam marrë leje prej Drenit, familjarëve dhe nga mediumi. Në fillim kam përdorur një pjesë të zërit të zonjës Albina, në fund e kam përdorur vetëm një material të zonjës Nesrete Vejsa. Jam munduar të gjej një fije ku shpjegohet e dokumentohet gjithë përvoja e tyre, por prej perspektivës së Drenit. Fjalët e Drenit bëhen muzikë. Përcillen prej instrumenteve. Pra, fjalëve të Drenit ua kam nxjerrë notat dhe ato ua kam dhënë instrumenteve”, ka thënë Jupolli.
Jupolli ka treguar se edhe formacioni instrumental është ndërtuar në funksion të dëshmisë, duke ndërthurur orkestrën e harqeve, timpanin, elektronikën dhe materialin dokumentar.
“Si formacion është orkestër harkore, timpani dhe material dokumentar dhe elektronikë. Në fillim është një intervistë ku tregon sa persona kanë qenë, pra zonja Albina, në mes është pjesa më e madhe Dreni duke e treguar ngjarjen dhe në fund është zonja Nesrete duke përsëritur atë që ata kanë qenë komshi. Për atë e ka emrin ‘Vicinus, vicini, lupus est’, prej një thënie tjetër latine – ‘Homo homini lupus est’ që do të thotë ‘Njeriu, për njeriun, është ujk’. E kam përdorur këtë analogji duke sjellë atë që përkthehet si ‘Fqinji për fqinjin është ujk’”, ka thënë ai duke treguar se metaforën e ka lidhur drejtpërdrejt edhe me komplet realitetin e luftës në Kosovë.
“Lidhet edhe me shtetin fqinj të Serbisë, por që për ne janë ujqër”, është shprehur Jupolli më tej.
Kompozitori ka bërë të ditur se vepra është përfunduar në fillim të këtij viti dhe se pret që ajo të interpretohet nga Filharmonia e Kosovës. Paralelisht, ai po vazhdon punën me kompozime të tjera që trajtojnë masakrat e luftës.
“Kjo ka përfunduar sivjet, kah fillimi i janarit. Gjasat janë që ta luajë Filharmonia, ngase këtë e kemi biseduar edhe me Dardanin (Selimajn v.j.), e ka partiturën. Jam duke punuar edhe në krijimin e veprave për Masakrën e Likoshanit e Qirezit, Poklekut, Mejës, Krushës së Madhe e asaj të Vogël, familjes Bogujevci, Prekazit, familjen Jashari e të tjera”, ka thënë Liburn Jupolli.
Sipas tij, këto kompozime nuk janë vetëm homazhe artistike për viktimat, por edhe përpjekje për ta bërë historinë e Kosovës më të kuptueshme për publikun ndërkombëtar përmes një gjuhe universale siç është muzika.
“Mundohem ta mbaj qasjen dokumentare. Vepra natyrisht që është e errët, por ajo shpresoj që na jep një mundësi shtesë të na kuptojë më mirë bota e gjerë dhe që kjo që na ka ndodhur të kuptohet më mirë përmes një gjuhe të cilën e njohin të gjithë njerëzit, e që është orkestra. Potencialisht të shtyhet tutje çështja e drejtësisë. Qëllimi më madhor i gjithë kësaj është të krijohet vetëdijesim për drejtësi, por kjo është diçka që nuk varet nga unë drejtpërdrejt, por shpresoj që sado pak të jetë një dokumentim shtesë”, ka thënë autori i veprës.
Ai konsideron se kultura muzikore e Kosovës ka nevojë për një repertor të tillë, ashtu siç kanë shumë vende evropiane që përmes muzikës kanë dokumentuar ngjarje historike me rëndësi. Ka thënë se folklor kemi, por se tema e luftës mungon në vepra klasike.
“Folklor dhe muzikë popullore kemi. Por muzikë klasike për këto ngjarje nuk kemi. Shtete të ndryshme në Evropë, kanë vepra të ndryshme që ndoshta ne edhe nuk e dimë që i kushtohen një ngjarjeje me rëndësi. Ky është edhe qëllimi im, që një pjesë e historisë sonë të dokumentohet me muzikë orkestrale. Kemi nevojë për këso veprash, sepse kemi shumë raste solemne të cilat mund t’i shënojnë këto vepra”, është shprehur Jupolli.
Në natën midis 1 e 2 prillit në Gjakovë, forcat serbe vranë dhe dogjën për së gjalli 21 civilë, kryesisht gra e fëmijë, në bodrumin e shtëpisë së familjes Vejsa. Viktimat i përkisnin familjeve Vejsa, Caka, Haxhiavdija, Nuqi, Hoxha dhe Gashi, ndërsa i mbijetuari i vetëm ishte Dren Caka.
Ngjarja vazhdon të përkujtohet çdo vit si një nga krimet më mizore të regjimit gjenocidal serb gjatë luftës në Kosovë. Deri më tani, përgjegjësit direkt të këtij krimi mizor nuk janë nxjerrë para drejtësisë.
Premiera e veprës së parë të këtij cikli veprash të Jupollit u dha në koncertin solemn të Filharmonisë së Kosovës për nder të Pavarësisë së Kosovës, vitin e kaluar. Poema simfonike “Mizer-Reçak”, me temën e parë me titull “Rrethimi në mëngjes” ilustrohet me përplot tension në të cilën përmenden emra viktimash, që me zë e tinguj sjellin imazhet e rënieve të njëpasnjëshme. Të pandalshme janë edhe sulmet që ilustrohen me tingujt e fuqishëm të tupanëve në pjesën muzikore, të cilën kompozitori Jupolli e ka emërtuar “Granatimet dhe bastisjet”.
Edhe
Haxhiu: Në Dubravë shteti serb veproi si aparat vrasës
Te “Ekzekutimi i Banushit”, me simfoninë e tingujve vinin imazhet e aktit makabër. Pas një zhurme tronditëse, vjen qetësia. E më pas tingujt flasin për dhimbjen që secilën herë rëndohet. Ngjan si një lloj heroizmi për të rënët kur Kori përsërit emrat e viktimave të Masakrës së Reçakut. Intonacioni i zërit ngjan si simbolikë e folklorizmave në rastin e luftës në Kosovë, por në veprën e Jupollit përmbysen në fund dhe janë kontrasti maksimal me dhimbjen. “Shkatërrimi i fshatit dhe shtëpia e Sadik Osmanit”, “Kolona tragjike” dhe “Masakra te gropa e Bebushit” janë emërtimet e pjesëve të fundit të veprës “Mizer - Reçak”.
E “Vicinus, vicini, lupus est” është po kaq e fuqishme, me ndërtim krejt tjetër muzikor me zërat e të mbijetuarve, të arkivuar kaherë në intervista e kronika televizive nxirret dhe merr jetë të re përmes tingullit. Frazat muzikore lindin nga ritmi i fjalëve të atyre që në tragjedinë e fundshekullit, panë vdekjen e më të dashurve të tyre, dhe për një fije shpëtuan nga vdekja e tyre.