Porta Metronia është stacioni i ri i metrosë në Romë, e aty u zbulua edhe një ndërtesë antike. Është një kompleks ushtarak, që nuk përmendet në burimet e dokumentuara nga antikiteti. Mund të datojë në kohën e perandorit Trajan, fillimi i shekullit të dytë
Pas 13 vjetësh ndërtime në qendrën historike të Romës, u inauguruan dy stacione të reja metroje. Gjatë gërmimeve është zbuluar edhe një ndërtesë antike. Për ta vizituar atë të mjafton vetëm bileta e metrosë. Porta Metronia është njëri nga stacionet e reja të metrosë në rrjetin e qarkullimit urban të Romës, një stacion i ndërmjetëm mes linjës ekzistuese të metrosë C, që të çon në lindje të qytetit dhe Koloseut. 13 vjet kanë zgjatur punimet.
Ndërtesa antike e zbuluar gjatë gërmimeve ndodhet në një thellësi prej shtatë metrash nën sipërfaqen e tokës, shpjegon Simona Morretta, studiuese, e cila ka qenë përgjegjëse për gërmimet: “Në këtë thellësi janë pjesët e sipërme të mureve të kazermës, një strehimore ushtarësh, që u zbulua gjatë punimeve për metronë. Është një kompleks ushtarak, që nuk përmendet në burimet e dokumentuara nga antikiteti. Mund të datojë në kohën e perandorit Trajan, fillimi i shekullit të dytë pas Krishtit. ”Ndërkohë mbetje të kazermës mund të shihen nga vitrinat e mëdha që janë vendosur në stacionin e metrosë. Dikur kjo pjesë e stacionit mund të shndërrohet në një muze të vërtetë. Por aktualisht vitrinat mund të shihen vetëm gjatë përdorimit të shkallës elektrike të stacionit të ri të metrosë”.
Dy minuta zgjat udhëtimi deri në stacionin e dytë të ri Koloseum.
Inxhinieri përgjegjës për ndërtimet Marco Cervone i ka thënë televizionit publik gjerman ARD, se “sfida më e madhe gjatë punimeve për realizimin e këtij stacioni metroje ka qenë mjedisi i rëndësishëm arkeologjik fare pranë Forum Romanum”. Kusht prioritar ishte të ruhen të gjitha gjetjet arkeologjike dhe njëkohësisht të garantohej që ato të ruheshin të gjitha mbi nivelin e hapësirës së metrosë. Stacioni i ri Koloseum përbëhet nga tri nivele, në secilin nivel janë ekspozuar objekte nga epoka të ndryshme. Mund të shihen puse të ndërtuara në shekullin e 5-të deri 2 para Krishtit dhe që janë përdorur në shtëpi private, si dhe qypa antikë. Po ashtu mund të shihen edhe pjesë të një shtëpie antike nga epoka republikane. Janë dy sektorë të ndarë nga njeri-tjetri, që duken si pishina. Arkeologia Elisa Cella thotë: “Këtu shihni një të ashtuquajtur Balneum, një banjë termale private, ose si të thuash një sektor – Spa”.
Marrë nga “Deutsche Welle”