Kulturë

Memoriali i Fishtës pas një vit braktisjeje me plane për Qendër Ndërkombëtare Arti

Memoriali i Fishtës pas një vit braktisjeje me plane për Qendër Ndërkombëtare Arti

“Memoriali i Gjergj Fishtës në Lezhë po përgatitet të kthehet në një qendër multifunksionale kreative të përmasave ndërkombëtare! Një bashkëpunim strategjik mes Muzeut Kombëtar të Fotografisë ‘Marubi’ dhe një prej shkollave më prestigjioze të fotografisë në Francë (ESPN), falë përkrahjes nga partnerë evropianë, do të sjellë nga kjo pranverë një frymë të re në zemër të trashëgimisë sonë”, ka njoftuar ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja

Në marsin e vjetmë me një ceremoni të veçantë u promovua Memoriali në nderim e përkujtim të klerikut e krijuesit Gjergj Fishta. Në ceremoninë e promovimit i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama. Por kompleksi tash s’ka kurrfarë funksioni pos një hapësire të braktisur krejtësisht. Memoriali i Fishtës paralajmërohet të kthehet në një Qendër Ndërkombëtare Arti

I inauguruar me alamet pompoziteti vjet para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, Memoriali i Gjergj Fishtës në fshatin e lindjes së tij, tashmë është shndërruar në një hapësirë praktikisht të braktisur. S’ka asnjë aktivitet dhe vizitorët e shohin kompleksin vetëm nga jashtë. Nuk i pret kush e madje s’ka as energji elektrike. Raportimi i mediave në Shqipëri ka nxitur dhe reagimin e ministrit të Kulturës dhe Turizmit, Blendi Gonxhja. 

Në marsin e vjetmë me një ceremoni të veçantë u promovua Memoriali në nderim e përkujtim të klerikut e krijuesit Gjergj Fishta. Në ceremoninë e promovimit i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama. Në një turne para fushës elektorale ai u prit aty nga banorët lokalë si një “hero”. Në hapje është mbajtur një aktivitet nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Paraprakisht gjatë ndërtimit të Memorialit kryeministri Rama deklaronte se ajo hapësirë do të jetë multifunksionale.

“Një godinë multifunksionale kulturore e rekreative në këtë vend sa historike, aq dhe tërheqëse për peizazhin e mrekullueshëm natyror, që do të përfshijë hapësira të dedikuara për rezidenca artistike, për sesione krijimtarie e ekspozime, për të mikpritur artistët vendas e të huaj, e për të zhvilluar aktivitete të ndryshme kulturore dhe edukative, e jo vetëm”, deklaronte kryeministri Rama. Por kompleksi tash s’ka kurrfarë funksioni pos një hapësire të braktisur krejtësisht. 

Por të dielën ministri i Kulturës, Blendi Goxha ka dhënë një lajm. 

“Memoriali i Fishtës do të kthehet në një Qendër Ndërkombëtare Arti. Memoriali i Gjergj Fishtës në Lezhë po përgatitet të kthehet në një qendër multifunksionale kreative të përmasave ndërkombëtare! Një bashkëpunim strategjik mes Muzeut Kombëtar të Fotografisë ‘Marubi’ dhe një prej shkollave më prestigjioze të fotografisë në Francë (ESPN), falë përkrahjes nga partnerë evropianë, do të sjellë nga kjo pranverë një frymë të re në zemër të trashëgimisë sonë”, ka njoftuar ai. Sipas Gonxhes, ky projekt ambicioz i mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit do ta shndërrojë këtë hapësirë në një pikëtakim për ekologjinë, shkrimin dhe fotografinë.  

“Një destinacion i ri kulturor që do të përfshijë: Rezidenca Artistike & Shkëmbime, ku artistë e studentë francezë dhe shqiptarë do të bashkëpunojnë në programe trajnimi dhe kërkimi shkencor; Itinerari i Gjurmëve Fishtjane, si një rrugëtim hulumtues që lidh historinë e Fishtës me arkivin e jashtëzakonshëm të Muzeut Kombëtar të Fotografisë ‘Marubi’”, ka bërë të ditur ai. Sipas Gonxhes, në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë dhe institucione ndërkombëtare, por edhe me promotorët lokalë e agroturizmat e zonës, ky projekt do të kthejë edhe vëmendjen e turistëve drejt bukurive dhe shijeve unike të itinerareve historike të Lezhës.

“Me mbylljen këtë janar të proceseve të kolaudimit, regjistrimit dhe kalimit në administrim, në mars pritet të nisë zbatimi dhe jetësimi i projektit”, ka përfunduar ai. 

Gjergj Fishta u lind në Fishtë më  23 tetor 1871  dhe vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940. Ai që prift ishte françeskan, arsimtar, shkrimtar dhe përkthyes, si dhe kryetar i Komisionit për Hartimin e Alfabetit në Kongresin e Manastirit. Ishte anëtar i delegacionit të qeverisë së Përmetit në Konferencën e Versajës, zëvendëskryetar i legjislativit shqiptar më 1921, si dhe përfaqësues diplomatik i shtetit shqiptar në disa konferenca ballkanike gjatë viteve ’30. Fishta në kulturën shqiptare njihet jo vetëm si shkrimtar  por edhe si kritik, historian i letërsisë dhe estet. Për kontributet e tij u nderua me urdhra nderimi dhe dekorata nga autoritetet, austro-hungareze, greke, nga kleri katolik dhe nga autoritetet italiane.