Fundi i këtij viti ka më pak se dy muaj dhe institucioni më i lartë kulturor në vend nuk i ka përfunduar ende punët me subvencionet për projektet kulturore e artistike. Madje në një kategori s’ka as listë përfundimtare fituesish. Telashet zënë fill në planifikimet buxhetore. MKRS-ja tash orvatet që të ridestinojë buxhet për t’i përmbushur synimet e veta. MKRS-ja qysh në gusht e ka publikuar listën e projekteve individuale në kulturë e trashëgimi kulturore. Njëkohësisht ka hapur afatin për ankesa dhe prej atëherë s’ka listë përfundimtare
Ministria e Kulturës ka nisur të hasë në telashe shkaku i hesapeve buxhetore. Fundi i këtij viti ka më pak se dy muaj dhe institucioni më i lartë kulturor në vend nuk i ka përfunduar ende punët me subvencionet për projektet kulturore e artistike. Madje në një kategori s’ka as listë përfundimtare fituesish. Telashet zënë fill në planifikimet buxhetore. MKRS-ja tash orvatet që të ridestinojë buxhet për t’i përmbushur synimet e veta. Shkurt: planifikohet të merret buxhet i projekteve kapitale për të shpërndarë si subvencione.
Ministria e Kulturës viteve të fundit e ka hapur kuletën me të madhe për subvencione. Skemat trevjeçare për organizata qeveritare bashkë me rritjen e shumave të përkrahjes për OJQ, me fondin e mobilitetit dhe projektet individuale për projekte që realizohen në vend shkojnë te shumat e papërballueshme me planifikimet fillestare të MKRS-së.
Institucioni më i lartë kulturor në vend veç për organizata kulturore e ato të trashëgimisë kulturore nëpërmjet “Thirrjes për projekt – propozime në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore 2025”, sivjet ka ndarë mbi 4 milionë euro. Në Ligjin mbi ndarjet buxhetore sivjet te kategoria “Përkrahja e kulturës” figurojnë vetëm 4.3 milionë euro. Fakti se nga kjo kategori përdoren mjete edhe për projekte të tjera, KOHA ka mësuar se këto mjete nuk mjaftojnë as për OJQ-të.
MKRS-ja qysh në gusht e ka publikuar listën e projekteve individuale në kulturë e trashëgimi kulturore. Njëkohësisht ka hapur afatin për ankesa dhe prej atëherë s’ka listë përfundimtare dhe kurrfarë informacioni për këtë çështje. Në listë preliminare figurojnë 213 projekte me gjithsej përkrahje 961 mijë e 950 euro. KOHA e ka pyetur MKRS-në për këtë çështje. Por zyrtarët që janë përgjegjës për këto çështje nuk janë përgjigjur. Mungesa e ofrimit të informacionit në raport me media në MKRS është shndërruar në rutinë. Por KOHA nëpërmjet dy burimeve që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me këtë proces ka marrë vesh se MKRS-ja s’ka buxhet për ta shpallur listën.
“Është bërë kërkesë në Ministrinë e Financave që të bëhet ridestinim i buxhetit. Pasi që propozimi ynë të shkojë nga Ministria e Financave si propozim në mbledhje të Qeverisë dhe të miratohet mund të publikojmë listën dhe t’i qëndrojmë prapa me buxhet”, kanë treguar në MKRS. Synimi është që me buxhet të projekteve kapitale të mbulohet edhe një pjesë e subvencioneve.
“Anëtarët e komisionit vlerësues nuk mund të lejojnë të publikohet lista pa e pasur buxhetin pasi ata kanë përgjegjësi më pas për punën e tyre”, kanë thënë në MKRS. Ky institucion e ka hapur kuletën me të madhe për skenën e pavarur. Sipas dy burimeve, projektet individuale janë afërsisht të njëjta dhe është e vështirë të mos financohen shumica pa pasur kritere të tjera të vlerësimit ose sistem elektronik të vlerësimit.
MKRS-ja nuk ka siguri që Qeveria do të miratojë kërkesat e tyre. Sivjet s’ka pasur rishikim të buxhetit shkaku i vonesës së konstituimit të institucioneve qendrore. Në anën tjetër, në MKRS kanë përmendur faktin se Qeveria e ka hapur kuletën me skema të reja si mbështetje për studentët, rritje të pensioneve e të shtesave për fëmijë.
“Nuk mund ta dimë se çfarë na miraton Qeveria pas skemave të fundit”, kanë thënë në MKRS.
KOHA ka kontaktuar me disa artistë që janë pjesë e listës preliminare të projekteve individuale. Asnjëri prej tyre s’ka pasur informacion se çfarë ka ngjarë prej gushtit e deri më tash pasi procesi nuk është finalizuar.
Regjisori Agon Myftari, i cili figuron në listën preliminare, ka thënë se sigurisht që vonesa e publikimit të listës përfundimtare krijon një pengesë për realizimin e projekteve në kohën e duhur.
“Kjo situatë sjell telashe, pasiguri dhe paqartësi tek bartësit e projekteve. Megjithatë, shpresoj që procesi të përmbyllet sa më shpejt, në mënyrë që aktivitetet kulturore të mos pësojnë, përveç tjerash, vonesa dhe të zhvillohen me cilësinë që synohet”, ka thënë ai. Individëve sivjet MKRS-ja do të detyrohet që t’ua zgjasë afatin për zbatimin e projekteve pasi fundi i vitit është në prag. E pastaj do të hyjë borxh pasi në vitin tjetër do të marrë buxhet nga fondet e 2026-s për t’i transferuar subvencionet.
Piktori Driton Hajredini ka thënë se si artist vizual e përjeton çdo vonesë të fondeve si ndërhyrje të drejtpërdrejtë në procesin krijues. Sipas tij, një projekt artistik nuk është thjesht një buxhet apo një afat, por është një proces që kërkon ritëm, përgatitje dhe një ekuilibër të brendshëm që lidhet ngushtë me kohën.
“Kur ky ritëm prishet për shkak të vonesave, gjithçka tjetër zbehet: motivimi, planifikimi, madje edhe besimi te vetë institucioni që e mbështet artin. Në art koha është po aq e vlefshme sa materiali. Një ide e caktuar ka momentin e vet. Kur fondet vonohen, shpesh detyrohemi të ndalim procesin, të shtyjmë ekspozita, të ndryshojmë plane, ose në raste të tjera, t’i pezullojmë projektet plotësisht”, ka thënë ai. Ka marrë shembull një rast personal.
“Konkretisht tek unë ‘Fondi i mobilitetit’ ku kisha ekspozitë në Kroaci më është dashur të hyja, si thotë populli, ‘borxh deri në fyt’, sepse oraret e ekspozitës se planifikuar nuk mund te shtyheshin dhe kam pasur vështirësi të jashtëzakonshme, si për shembull në vend që të kthehesha pas ekspozitës me aeroplan për dy orë, më është dashur të udhëtoja 19 orë me autobus...”, ka thënë ai. Ka sqaruar se kjo nuk ndikon vetëm tek artisti si individ, por tek i gjithë zinxhiri kulturor, përfshirë bashkëpunëtorët, galeristët, publiku dhe në fund vetë kultura kombëtare. Sipas tij, arti nuk kërkon privilegj, por respekt.
“Respekt për kohën e tij, për punën që shpesh bëhet në kushte të vështira, dhe për energjinë që i jep jetës publike një dimension reflektimi. Prandaj për mua çështja e vonesave nuk është thjesht financiare. Është çështje e marrëdhënies midis artistit dhe institucioneve publike, midis besimit dhe përgjegjësisë. Një sistem kulturor i shëndetshëm nuk mund të ndërtohet mbi pritje të pafundme, por mbi respekt të ndërsjellë dhe përkushtim ndaj kohës që arti kërkon për të ndodhur”, ka thënë ai.
MKRS-ja vazhdimisht ka telashe me afatet e subvencioneve. Deri në fund të gushtit MKRS-ja s’ka publikuar listën finale të OJQ-ve përfituese. Më shumë se një muaj i janë dashur Ministrisë së Kulturës që t’i shqyrtojë ankesat e organizatave joqeveritare pas publikimit të listës preliminare të “Thirrjes për projekt-propozime në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore 2025”. Te lista përfundimtare e sivjetme janë gjithsej 313 organizata që, sipas MKRS-së, janë përkrahur me 4 milionë e 100 e 17 mijë euro. Në raport me listën e preliminare janë 38 organizata më shumë. Prej 24 tek ato që kanë marrë përkrahje 3-vjeçare qenë bërë 24. Është shtuar “Etea”. Te kategoria e tretë qenë 19, kurse më pas janë bërë 22. Janë shtuar “KUD Sarski Behar”, “Jazz Festa Prishtina” dhe “Fondacioni për Gjakovën”. E para ka marrë përkrahje 25 mijë euro, kurse dy të tjerat nga 35 mijë. Kurse te kategoria e fundit nga 222 tash figurojnë 266 organizata.
“Rrjeti ballkanik i gazetarisë hulumtuese – BIRN Kosova” për sivjet dhe vitin e ardhshëm do të përkrahet me nga 50 mijë euro, kurse për vitin 2027 me 60 mijë euro për projektin “Promovimi i historisë moderne të rezistencës përmes ‘Reporting House’”. Organizata “7 Arte” për tre vjet radhazi do të përkrahet me nga 50 mijë euro për programin vjetor. Kurse Qendra Edukative dhe Këshillimore po ashtu do të përkrahet për tre vjet me nga 50 mijë euro për projektin “The guest keepers – Miqtë e vizitorëve – Kush do vizitor bëhet mik”. Te kategoria e dytë e thirrjes së hapur në fund të shkurtit, “Organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore” zënë vend 21 organizata. Prej tyre 20 janë përkrahur për tre vjet e një për dy vjet. “Expoart 40 net/rrjet” do të marrë nga 40 mijë euro për tre vjet, njëjtë sikurse “Qendra kosovare për muzikën e re”, “Mundësia” dhe shtëpia teatrore e filmike AKT. Shoqata e Botuesve të Kosovës për Panairin e Librit do të marrë dy vjet nga 40 mijë euro, kurse në të tretin 20 mijë. Prej 20 deri në 40 mijë euro në vit për tre vjet do të marrin organizatat si fondacioni muzikor “ARS-Kosova”, “Cult Club” e “Pro Plus”. Kurse “Kosova ARS”, “Varg e vi”, “Florg” do të marrin prej 20 deri në 30 mijë euro për tre vjet. “Mollëkuqet”, “Ekipi Avoko”, “Oldtimer Prizreni”, “Brez pas brezi”, “Q’art” “Corpo Art”, “Amadeus”, “Prishtina Music Conference” e “Redo” do të marrin prej 15 mijë deri në 25 mijë euro në vit. E klubi alpin “Podguri” është përkrahur për dy vjet. Sivjet me 16 mijë e 600 euro, kurse vitin e ardhshëm me 12 mijë e 400 euro.
Në listë preliminare të projekteve individuale figurojnë 213 projekte me gjithsej përkrahje 961 mijë e 950 euro. Ministria e Kulturës është duke pritur ridestinimin e buxhetit