Historia për nderin e besën shqiptare, e shpalosur në filmin “Obraz”, është kandidati i Malit të Zi për nominim për “Oscar”. Projekti filmik me Edon Rizvanollin në rolin kryesor, sikurse edhe me Alban Ukajn, Xhejlane Tërbunjën e Selman Jusufin në krye të listës së kastës së aktorëve, bazohet në rrëfimin për Nur Dokën, bajraktarin që refuzon t’ua dorëzojë njësive fashiste një fëmijë ortodoks, që rastësisht kishte gjetur strehë në shtëpinë e tij
Me filmin që ka temë një histori e fenomen ndër shqiptarë, me katër aktorë nga Kosova që bartin rolet kryesore e që flet në shqip, Mali i Zi synon çmimin më të madh në kinematografi.
“Nderi”, nën regji të Nikolla Vukçeviqit – me Edon Rizvanollin, Alban Ukajn, Xhejlane Tërbunjën e Selman Jusufin në krye të listës së kastës së aktorëve – është propozimi për kandidim për “Oscar” i këtij shteti. ”Obraz” është titulli origjinal i këtij projekti filmik, i cili ka shëtitur në disa festivale të njohura.
“Filmi artistik ‘Obraz’, me skenar të Ana Vujadinoviq-Tomiqit dhe Melina Pota Koleviqit, nën regji të Nikola Vukçeviqit – prodhuar nga ‘Galileo Production’ e Podgoricës, bashkëprodhuar nga ‘Cinnamon Films’ (Serbi), ‘Embrio Production’ (Kroaci), ‘Mogador Film’ (Gjermani), Radiotelevizioni i Malit të Zi dhe ‘Progressive Film Podgorica’ – është kandidati malazias për edicionin e 98-të të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit në kategorinë e Çmimit Ndërkombëtar të Filmit në vitin 2025”, ka njoftuar Ministria e Kulturës dhe Mediave e Malit të Zi. “Nderi” ka pasur edhe dy kundërkandidatë.
“Tre filma artistikë u paraqitën në thirrjen publike të këtij viti nga Ministria e Kulturës dhe Mediave, e cila ishte e hapur prej 4 gushtit deri më 4 shtator 2025: ‘Planeta 7693’, nën regji të Gojko Berkulan, ‘Otapanje Vladara’, nën regji të Ivan Salatiq dhe ‘Obraz’”, shkruhet në njoftim. Për përzgjedhjen e “Nderit” vendimi është marrë me shumicë votash.
“Vendimi u mor nga Komisioni Përzgjedhës i Ministrisë së Kulturës dhe Medias, i përbërë nga: Stevan Koprivica, dramaturg dhe skenarist, kryetari dhe anëtarët: Maja Todoroviq, dramaturge dhe skenariste, Edin Jasharoviq, producent, Milosh Pejoviq, aktor, Senad Shahmanoviq, regjisor filmi dhe televizioni, Aleksandar Vujoviq, regjisor filmi dhe Gjorgje Vojvodiq, regjisor filmi dhe televizioni. Vendimi u mor me shumicë votash, me votim të fshehtë, bazuar në Rregullat Speciale të Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave të Filmit dhe Rregullat e Ministrisë së Kulturës dhe Medias”, shkruhet në njoftim.

“Nderi” sjell një rrëfim nga Lufta e Dytë Botërore dhe, siç përshkruhet, trajton “kodin tradicional të nderit në një familje të njohur shqiptare në Malin e Zi, e cila është rrethuar nga ushtarët fashistë që kërkojnë një akt të papëlqyeshëm: të dorëzojnë një fëmijë nga kjo familje ose të vriten të gjithë”.
“Si shpëton kryefamiljari, bajraktari Nuredin Doka, dramën e tij, është një tregim që shpalos moralin dhe njerëzillëkun në kohë lufte”, shkruhet në përshkrimin për filmin.
“BalkanPitch” e Tiranës e ka përshkruar si film kryesisht në gjuhën shqipe, “për të ruajtur autenticitetin e situatës dramatike të pakicës kombëtare shqiptare që jeton prej shekujsh në Malin e Zi”.
“Kjo është hera e parë që një krijues i filmit malazias realizon një projekt në gjuhën shqipe. Filmi ka qenë pjesë e zhvillimit industrial dhe ka pasur mbështetje në ‘Balkan Film Market’ në Tiranë, ku është bërë i njohur për publikun shqiptar që nga fazat e tij të hershme të realizimit dhe ka fituar mbështetje të madhe nga ata”, shkruhet aty. Po sipas kësaj platforme, filmi është i frymëzuar nga një ngjarje reale, të cilën e ka shkruar akademiku nga Mali i Zi, Zuvdija Hoxhiqi. Aty citohet edhe producenti Milorad Radenoviq, i cili ‘Nderin’ e cilëson si një film mbi bashkëpunimin ndërmjet kulturave, përmes respektit të ndërsjellë”.
“Një urë që lidh njëra-tjetrën dhe në këtë mënyrë na kanë njohur të gjitha festivalet ku kemi qenë të suksesshëm deri tani”, citohet të ketë thënë ai për “Nderin”, i cili në nëntor të vitit të kaluar ishte dhënë premierë botërore në edicionin e 35-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Cottbus të Gjermanisë, e po atë kohë edhe në edicionin e 46-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Kajro, për ta vazhduar rrugëtimin edhe në festivale të tjera, si Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Sofje, në marsin e sivjetmë. Në Mal të Zi u dha premierë në gushtin e këtij viti, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Herceg Novi. Aty kishte qenë i pranishëm edhe Edon Rizvanolli, i cili i jep jetë personazhit kryesor Nur Doka, “bajraktarit shqiptar që refuzon t’ia dorëzojë njësive fashiste SS Skënderbeg dhe SS Handxhar një fëmijë ortodoks që rastësisht kishte gjetur strehë në shtëpinë e tij, pasi fashistët ia kishin vrarë babanë dhe nënën. “Obraz - legjenda për Nur Dokën)”, është vepra e Zuvdija Hoxhiqit prej së cilës e merr temën filmi.

Në konferencë për media me rastin e shfaqjes së filmit në Herceg Novi, Rizvanolli citohej të ketë thënë se figurën e Nur Dokës e ka ndërtuar sipas gjyshit të tij.
“Ne në Kosovë i dimë këto dhe histori të ngjashme. Më kujtohet gjyshi im – ai pak a shumë ishte i tillë – i drejtë. Kjo më ndihmoi. E kuptova shumicën e gjërave dhe kisha atë ndjesinë se si duhet të luaj. I kuptova përmes përvojës së jetës”, ishte cituar ai duke shtuar se “të gjithë duhet ta kemi dilemën se çfarë do të thotë të jesh njeri”.
“Është e rëndësishme të kuptojmë se si njerëz, në fund, kemi vetëm njëri-tjetrin – askënd tjetër. Kjo do të thotë të jesh njeri – të ndihmosh njeriun afër teje, pavarësisht dallimeve në fe, komb apo çfarëdo tjetër. Kjo për mua është gjëja më e rëndësishme”, citohej ai. Kur nderi po priste premierën botërore, aktori i Kosovës që jeton në Holandë, në një bisedë të gjatë në emisionin “Nëpër film” në “Kohavision”, në tetorin e vjetëm, kishte folur edhe për “Nderin”.

“Për mua ka qenë një rol jashtëzakonisht i vështirë për shkak se kur e kemi filluar projektin, para gjashtë vjetësh, e kemi filluar si një film të shkurtër. Ideja e regjisorit ka qenë ta realizojë një film si një lloj triptiku, do të thotë tri ngjarje të ndryshme, ku rolet kanë qenë të parashikuara të luheshin nga aktorë të njëjtë, mirëpo nëpër periudha të ndryshme kohore dhe nëpër vende të ndryshme. Një ngjarje ka qenë në Mal të Zi gjatë Luftës së Dytë Botërore, një ka qenë në Gjermani në ditët e sotme dhe një tjetër ka qenë po ashtu në Mal të Zi, mirëpo në shekullin 18”, kishte kujtuar ai. Kur u xhirua filmi i parë i shkurtër, regjisori do të vendoste ta realizonte si film të gjatë. “Kështu që përfundimisht e kemi finalizuar filmin për dy vjet. Ka qenë një proces jashtëzakonisht i gjatë. Natyrisht kur fillon me u përgatit për një rol të filmit të shkurtër e pastaj rritesh bashkë me skenar është më vështirë, sepse shumë gjëra nuk i kisha të njohura”, kishte thënë ai. Sipas Rizvanollit, ngjarja është interesante edhe për publikun shqiptar.
“Filmi bazohet në ngjarje të vërtetë, e cila ndodh gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe bazohet në një roman të një akademiku malazias, Zuvdija Hoxhiq, dhe ka të bëjë shumë me Kanunin e shqiptarëve dhe me nderin, mikpritjen dhe besën. Pra, është një temë të cilën ne e njohim mirë por nuk bëjmë shumë filma për të, e shumë i realizojnë të tjerët ata filma. Por, them se ia vlen vërtet të shikohet”, kishte thënë ai.
Pos katërshes nga Kosova, në “Nderi” luajnë edhe: Nikola Ristanovski, Igor Bençina, Aleksandar Raduloviq, Branimir Popoviq, Ana Vuçkoviq, Zef Bato Dedivanoviq. Roli i fëmijëve është luajtur nga Elez Axhoviq, Vuk Bulajiq, Merisa Axhoviq dhe Hana Pavloviq.