Kulturë

Ndryshimi i Ligjit për trashëgimi kulturore – peng i politikës

Odiseja gati njëdekadëshe për ndryshimin e Ligjit për trashëgimi kulturore ka ditën e parafundit të nëntorit si afat për t’u dorëzuar në Qeveri. Dhe ndonëse një grup punues në Ministrinë e Kulturës po i bën plotësimet e fundit te ky draft, njohës të problematikës janë fort skeptikë që të shtyhet përpara përpjekja për Projektligjin që do të zëvendësojë Ligjin e miratuar në vitin 2006.

Kjo zvarritje sikur është “penalizuar” në vlerësimin e Komisionit Evropian në Raportin e sivjetshëm të Progresit për Kosovën. Në dokumentin 185 faqesh, kultura është trajtuar në një paragraf të vetëm. Sipas Raportit, Kosova duhet t’i vijojë përpjekjet për t’i plotësuar standardet e Konventës së vitit 2005 të UNESCO-s për Mbrojtjen dhe Promovimin e Diversitetit të Shprehjeve Kulturore.

“Kosova ka nevojë të përparojë në draftimin e Ligjit në trashëgiminë kulturore, i cili duhet të reflektojë me përpikëri angazhimet e marra nën Aneksin V të Planit të Ahtisaarit”, thuhet në këtë raport. Sipas rekomandimit që pason aty, Këshilli Monitorues duhet t’i vazhdojë takimet me qëllim që t’i identifikojë zgjidhjet e përbashkëta që duhet të arrihen mes Kosovës dhe Kishës Ortodokse Serbe.

“Bashkëpunimi kulturor me Serbinë duhet të lehtësohet”, thuhet në Raport. Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka qenë fare e paqartë për draftin që do ta procedojnë në fund të këtij muaji në Qeveri. Në një prononcim për KOHËN, ajo ka thënë shkurt se një grup po merret me ligjin e ri. “Ne i kemi paraqitur se cilat ligje do të procedohen tutje, e mes tyre është edhe ai për trashëgiminë kulturore”, ka thënë Dumoshi. Sipas programit legjislativ të Qeverisë së Avdullah Hotit, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore është vetëm njëri nga gjashtë projektligjet që do të dorëzohen nga Ministria e Kulturës.