Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Një dialog elegant kornosh kulmon harmonishëm në shtyrje kufijsh

Filharmonia e Kosoves

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ofroi dramë të njëmendtë. Jo veç për shkak të veprave, sidomos me atë të Eichard Strauss, por edhe për shkak të solistëve. Qe nikoqire e dy kornistëve të veçantë: Felix Klieser dhe Ilir Kodhima (Foto: Arben Llapashtica)

Koncerti i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës me kornistët Felix Klieser dhe Ilir Kodhima nuk ka qenë vetëm një rrëfim muzikor ku kërkimi i përhershëm i perfeksionit është mision. Klieser është shembull edhe i shtyrjes së kufizimeve trupore. Thënia e tij se “jo talenti por këmbëngulja për të ndjekur ëndrrat kundrejt çdo pengese është rruga drejt lumturisë”, merr kuptim sapo ai del në skenë dhe nis interpretimin me këmbë. Rezultati edhe në Prishtinë: një dialog elegant muzikor dhe një aurë frymëzimi që lë si jehonë

Muzika gjithnjë ka atë magjinë që i bën njerëzit për vete. I fut në ndonjë rrugëtim tingujsh ku ka dramë, elegancë e çka jo tjetër. Sidomos kur interpretojnë orkestrat me solistë që janë mjeshtër të vërtetë. Në koncertin e së martës mbrëma, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ofroi dramë të njëmendtë. Jo veç për shkak të veprave, sidomos me atë të Eichard Strauss, por edhe për shkak të solistëve. Qe nikoqire e dy kornistëve të veçantë: Felix Klieser dhe Ilir Kodhima. 

Klieser është një performues virtuoz që me vendosmëri ka bërë punë për të tingëlluar me ngjyrimet që s’arrihen lehtë. Ai shtyn edhe kufijtë truporë. Derisa përshëndetet me publikun dhe pozicionohet para Orkestrës, me t’u ulur zbathet dhe njërën këmbë e pozicionon sipër instrumentit për t’i luajtur notat. E kur loja nis, ai ofron më të mirën. Me tinguj të plotë e ngjyrim perfekt në ndjekje të temës së veprës, Klieser është i jashtëzakonshëm. Edhe ata që nuk janë me nevoja të veçanta e kanë të vështirë të tingëllojnë sikurse ai. Ka shumë që s’e arrijnë atë nivel krejt jetën. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Koncerti në dy korno” i Joseph Haydn është tejet elegant. Kërkon perfeksion në interpretim. Kodhima e Klieser e ofrojnë këtë. Bëhet fjalë për lojë me intervale jo të shkurtra e figuracione të shpejta. Klieser e Kodhima i japin tingull kësaj drame ku instrumentet shpesh janë në harmoni me njëra-tjetrën e nganjëherë në mbështetje të njëra-tjetrës. Dialogu i butë, tipik për stilin klasik, bën që Atelieja e Pallatit të Rinisë – ambient që veç për koncerte të tilla s’është – të përjetohet ndryshe. Dyshja bashkë me Orkestrën nën dirigjim të Gregory Charette bën që të metat e sallës të harrohen për pak.

E kur është radha e “Koncertit për korno nr.1” të Richard Strauss, dramatikja merr frymë më shumë. Vepra ndikohet nga tradita klasiko-romantike Wolfgang Amadeus Mozart e deri diku edhe nga Ludwig van Beethoven. Ka energjinë e jashtëzakonshme dramatike. Karakteri i veprës është sa heroik aq edhe brilant. Gjithnjë shumë kornistik. Realisht kornoja në këtë rast do jo veç solistë virtuozë, por edhe elemente dramatike. Është prej atyre veprave që i bën të shtrëngohen edhe Orkestrat me traditë. E tillë ka tingëlluar edhe ajo e Filharmonisë së Kosovës për dallim nga disa koncerte të tjera, kur lexohen të meta. Klieser këtë koncert e ka luajtur disa herë. Duket se është njëfarë patriarku i mjeshtërisë së interpretimit të kësaj drame muzikore. Zbërthimi që ai i bën temës së veprës është maestral. S’hyn te muzikantët që kujdesen të jenë “korrektë”. Por te ata që nëpërmjet ngjyrimeve zbërthejnë të plotë karakterin e veprës. Dhe këtë e bën, duke nxjerrë tinguj me lojë me gishtërinjtë e këmbës së majtë.  

“U kënaqa shumë. Është gjithnjë ndjenjë e mirë të luash në vende të tjera ku s’ke qenë ndonjëherë. Haydn e kam luajtur vetëm njëherë në jetë më përpara kurse Straussin më shpesh”, ka thënë ai pas koncertit. Jetën e tij e ka përshkruar si një shtegtar koncertesh gjithandej globit. 

“Kam zgjedhur të jetoj kështu. Ka lodhje gjë që është normale por kënaqem me këtë zgjedhje”, ka thënë instrumentisti që ushtrimet në korno i ka nisur qysh prej moshës 4 vjeçe. Është laureat i shumë çmimeve prestigjioze e më 2022 debutoi edhe në Festivalin e Ravennas me ftesë të mjeshtrit botëror të dirigjimit, Riccardo Muti.  

“Çdo muzikanti i merr shumë kohë që të jetë i mirë. Është mësim që s’ndalet kurrë. Ende mësoj shumë dhe mundohem të jem në më të mirën time”, ka thënë ai pas koncertit me Filharmoninë e Kosovës. Të pranishmit në sallë, edhe ata që s’janë muzikantë, e kanë përshkruar atë si mjeshtër jo veç të interpretimit por edhe të frymëzimit për instrumentistët. Teknika e tij është në perfeksion pavarësisht mungesës së dy duarve. 

Felix Klieser është një performues virtuoz që me vendosmëri ka bërë punë për të tingëlluar me ngjyrimet që s’arrihen lehtë. Dialogu i butë me Ilir Kodhimën e Orkestrën, tipik për stilin klasik, bën që Atelieja e Pallatit të Rinisë të përjetohet ndryshe (Foto: Arben Llapashtica)

Pas dy veprave ku kornoja është instrument kyç, Orkestra ka vazhduar me “Simfoninë nr.5” të Franz Schubert.  Vepra të cilën Schubert e kompozoi kur qe vetëm 19-vjeçar si strukturë ka edhe formë sonate. Vlerësohet si kompozim i butë dhe i balancuar por kërkon transparencë dhe elegancë. Edhe në këtë vepër të shekullit të 19-të, Orkestra e ka marrë publikun me vete në një rrugëtim të veçantë. Si vepër e gjallë dhe e ndritshme e ndikuar goxha nga Mozarti, sidomos sa i përket temës, kjo Simfoni ka përmbyllur koncertin e së martës që s’u mbajt në Sallën e Kuqe shkaku i një renovimi që është nënshtruar e s’dihet se kur do të përfundojë. 

Dirigjenti Gregory Charette, ka gati një dekadë që bashkëpunon me Filharmoninë e Kosovës. Është prej dirigjentëve që e njeh mirë Orkestrën dhe dëshmitar i rritjes së saj profesionale.

“Kam punuar shumë projekte të mëdha me këtë Orkestër. Më të mëdha se sonte. Por ky koncert disi është ndër më të rëndësishmit. S’bëhet fjalë për detaje teknike por mund të them se ka kaluar një tranzicion ku mund të krijojnë ngjyrime gjë që është shumë e bukur të shihet. Kjo ka rëndësi shumë të madhe”, ka thënë ai.

Sa i përket koncertit të fundit ai ka thënë se programi është sjellë rreth kornove. 

“Qe një energji shumë e mirë. Donim të kemi tri vepra nga tre shekuj të ndryshëm, 17, 18 dhe 19 por me njëfarë shpirti të përbashkët muzikor. E shijova shumë. Strauss s’është hiç i lehtë dhe i sfidon edhe orkestrat e mëdha evropiane. Por me Felixin dhe Ilirin  bashkë me atë energji dhe me Orkestrën në këtë nivel, qe vërtet kënaqësi”, ka thënë ai. 

Felix Kliser njihet të jetë thënë se “jo talenti por këmbëngulja për të ndjekur ëndrrat kundrejt çdo pengese është rruga drejt lumturisë”. Këtë fjali Filharmonia e ka paraqitur edhe në fletushkën e programit. Por përtej një fjalie, Klieser të martën mbrëma e ka dëshmuar atë që dikur ka thënë. Me interpretim ka treguar se pavarësisht mungesës së gjymtyrëve, puna e tij e bën të jetë mjeshtër jo veç i kornos por edhe i frymëzimit.