Kulturë

Nobelisti Krasznahorkai – riafirmuesi i artit në tmerrin apokaliptik

nobel

“Nëse ka lexues që nuk i kanë lexuar veprat e mia, nuk mund t’u rekomandoj asgjë për të lexuar; në vend të kësaj, do t’i këshilloja të dilnin jashtë, të ulen diku, ndoshta pranë një përroi, pa bërë asgjë, pa menduar për asgjë, thjesht të qëndrojnë në heshtje si gurët. Me kohë, do të takojnë dikë që tashmë i ka lexuar librat e mi”, kishte thënë László Krasznahorkai

I gjatë ka qenë arsyetimi i Komitetit të Nobelit për laureatin e sivjetmë të “Nobelit” për letërsi – jo sikurse romani i tij në 400 faqe me vetëm një pikë – dhe ka pasur jo pak arsye për këtë. László Krasznahorkai ka kohë që përmendet si favorit, por tek tash çmimi më i madh njeh krejt peshën e veprës së tij. Mbi të gjitha është vlerësuar “për veprën e tij të fuqishme dhe vizionare, e cila, në mes të tmerrit apokaliptik, riafirmon fuqinë e artit”. Në shqip, ky shkrimtar komunikon me dy romane. “Për ne që e kemi njohur jetën nën diktaturë, sikundër edhe Krasznahorkai, është më i lehtë komunikimi me këtë letërsi, ndonëse metafora e mbarë veprës së tij shkon përtej kufijve të gjuhëve”, ka thënë botuesi Gentian Çoçoli

Shkrimtari hungarez, László Krasznahorkai, të enjten pak pas mesdite ka qenë duke shëtitur rrugëve të Frankfurtit kur ka pranuar një telefonatë. I është prezantuar sekretari i Akademisë Suedeze, Mats Malm, dhe e ka përgëzuar si laureat të çmimit “Nobel” për letërsi për vitin 2025. Malm më pas ka dalë para agjencive botërore të lajmeve dhe fillimisht në suedisht e më pas në anglisht, nga Stokholmi, ia ka bërë të ditur botës se 71-vjeçari nga Hungaria është vlerësuar “për veprën e tij të fuqishme dhe vizionare, e cila, në mes të tmerrit apokaliptik, riafirmon fuqinë e artit”. Pak më pas, nobelisti i 122-të në botë sa i përket letërsisë, Krasznahorkai ka pranuar një tjetër telefonatë. Dhe për ndjesinë e vlerësimit me këtë çmim, ai i është përgjigjur shkurt Radios suedeze. 

“Jam shumë i lumtur, i qetë dhe shumë nervoz njëkohësisht”, ka thënë ai nga Frankfurti. Pas Imre Kertész më 2002, Krasznahorkai është autori i dytë hungarez i cili shpallet laureat i çmimit më prestigjioz që njeh bota e letërsisë.

Mjeshtri i rrëfimeve midis rendit dhe kaosit

I lindur më 5 janar László Krasznahorkai, në qytezën Gyula, në juglindje të Hungarisë, pranë kufirit me Rumaninë, shkrimtarit do t’i hynte në punë një zonë e ngjashme, rurale dhe e largët si atmosferë e skenë për romanin e tij të parë, “Sátántangó”, botuar në vitin 1985 e më pas si “Satantango” më 2012, i cili u bë një sensacion letrar në Hungari dhe vepra që shënoi shpërthimin e autorit në skenën ndërkombëtare. Sipas profilit që i ka bërë Komiteti i Nobelit, i kryesuar nga Anders Olsson, romani përshkruan me tone fuqishëm sugjestive një grup banorësh të varfër në një fermë kolektive të braktisur në fshatrat hungareze, pak përpara rënies së komunizmit. 

“Mbizotërojnë heshtja dhe pritja, derisa karizmatiku Irimiás dhe bashkëpunëtori i tij Petrina, që të gjithë i kishin marrë për të vdekur, shfaqen papritur në skenë. Për banorët që presin, ata duken si lajmëtarë ose të shpresës, ose të gjykimit të fundit”, shkruhet në sqarimin për këtë vepër që bëhet në profilin e arsyetimit për çmimin “Nobel” për shkrimtarin hungarez. Sipas kritikëve, elementi satanik, që përmendet në titullin e librit, është i pranishëm në moralin e tyre skllavërues dhe në shtirjet e mashtruesit Irimiás. 

“Të gjithë në roman presin një mrekulli që të ndodhë, një shpresë që në fillim zhbëhet nga motoja hyrëse kafkiane e librit: “Në atë rast, do ta humbas gjënë duke e pritur”. Popullariteti i romanit kaloi kufijtë e veprës letrare. Ngjarja u ekranizua në film më 1994 nga regjisori Béla Tarr.

Sikurse Komiteti i Nobelit, njashtu edhe krejt mediat prestigjioze e kanë cituar kritiken amerikane Susan Sontag e cila i dha Krasznahorkait epitetin e “mjeshtrit të apokalipsit” të letërsisë bashkëkohore pasi lexoi librin e dytë të autorit “Az ellenállás melankóliája” të vitit 1989, që pas 10 vjetësh u botua në anglisht me titullin “The Melancholy of Resistance”. 

“Në një fantazi të etheve dhe tmerrit që zhvillohet në një qytet të vogël hungarez të vendosur në një luginë të Karpateve, drama bëhet edhe më intensive. Që nga faqja e parë, ne – së bashku me të padëshirueshmen zonjën Pflaum – e gjejmë veten duke hyrë në një gjendje marramendëse emergjence”, shkruhet në arsyetimin e Akademisë Suedeze. Bëhet fjalë për një spektakël misterioz dhe kërcënues që vë në lëvizje forca ekstreme, duke nxitur përhapjen e dhunës dhe vandalizmit. Sipas përshkrimit të kësaj vepre, paaftësia e ushtrisë për të parandaluar anarkinë krijon mundësinë e një grushti shteti diktatorial. 

“Duke përdorur skena ëndërrimtare dhe karakterizime groteske, László Krasznahorkai përshkruan mjeshtërisht luftën brutale midis rendit dhe kaosit. Askush nuk mund t’iu shpëtojë pasojave të terrorit”, shkruhet në arsyetimin e Akademisë. Ky arsyetim është lexuar i tëri nga dy anëtarë të Komitetit të Nobelit, pasi kryesuesi ka munguar në shpallje të laureatit për arsye shëndetësore.
“Është pikërisht shikimi artistik i Krasznahorkait, plotësisht i lirë nga iluzionet dhe që depërton përmes brishtësisë së rendit shoqëror, i bashkuar me besimin e tij të palëkundur në fuqinë e artit, që e ka shtyrë Akademinë ta shpërblejë me këtë çmim”, ka thënë Steve Sem-Sandberg.

Botuesi në shqip: Diktatura, komunikimi i lehtë i shqiptarëve me Krasznahorkain

“Melankolia e qëndresës” dhe “Tangoja e Satanait” flasin edhe në shqip. I pari prej viti 2021, kurse i dyti prej vitit 2023. Janë botuar nga shtëpia botuese “Aleph”. Drejtuesi i shtëpisë botuese “Aleph”, Gentian Çoçoli ka thënë se zbulimi i këtij autori ka qenë një nga ngjarjet letrare vetjake më të bukura si lexues, por edhe si botues. 

“Në librat e tij ndien menjëherë praninë e një shkrimtari të madh, e një zëri madhor, e zërit të vetë letërsisë me L kapitale. Dhe natyrshëm erdhi dëshira për ta botuar në gjuhën shqipe këtë gjigant; dhe të mendosh që deri para tre katër vjetësh ende nuk qe botuar në disa gjuhë të mëdha, përfshi frëngjishten”, ka thënë ai në një përgjigje me shkrim për KOHËN të enjten pasdite. Ka sqaruar se “Aleph Klub” ka një traditë të gjatë të përkthimeve të arrira dhe të “profilit të përkthyesit/shkrimtar apo përkthyesit/poet”. 

“E natyrshëm iu drejtova dy prej emrave më të njohur të letërsisë së sotme e njëherësh që të dy përkthyes klasë, Shpëtim Kelmendit dhe Romeo Çollakut. Fryti i këtij bashkëpunimi janë dy romanet më të rëndësishme të Krasznahorkait, ‘Melankolia e qëndresës’ (me pasthënie nga kritiku i madh amerikan James Wood) dhe ‘Tangoja e Satanait’”, ka thënë ai. Ka sqaruar se si botues që në themel të krijimit të entit janë betuar për të sjellë vetëm letërsi të madhe me një shqipe të madhe. Ka thënë se shqipja përfiton mjaft në këtë këndvështrim, pasi në këtë rast ndikimet nga gjuhët prej nga përkthehet janë të dobishme, të shëndetshme dhe premtojnë bashkëkohësi për gjithë klimën letrare panshqiptare. 

“E pra është stili i tij mahnitës, e stili është mënyra e të shprehurit, e të menduarit e të perceptuarit e që e bën këtë apo atë shkrimtar të jetë i plotë, i pangatërrueshëm dhe i dashur për lexuesin e pakompromis. Për ne që e kemi njohur jetën nën diktaturë, sikundër edhe Krasznahorkai, është më i lehtë komunikimi me këtë letërsi, ndonëse metafora e mbarë veprës së tij shkon përtej kufijve të  gjuhëve”, ka thënë ai.

Sintaksa rrjedhëse me fjali të gjata pa pikë

Laureati i ri i çmimit “Nobel” një pjesë të mirë të jetës e ka kaluar nën diktuarën socialiste. Vendi i tij Hungaria edhe sot ia bën goxha me sy autoritarizmit. László Krasznahorkai studioi letërsi në Universitetin e Budapestit. Për herë të parë ai ia mësyu një shteti tjetër më 1987, kur shfrytëzoi një bursë për të shkuar në Berlinin Perëndimor. Më pas do t’i kthehej Gjermanisë për një semestër si profesor i ftuar në Free University of Berlin.

Pas rënies së komunizmit, ai do të udhëtonte për në Kinë, udhëtim që e frymëzoi fort të shkruante librin e tij të kujtimeve “Destruction and Sorrow Beneath the Heavens”, më 2004. E më vonë, më 2006, te romani “War & War” ai sjell historinë e një arkivisti që udhëton nga periferia e Budapestit drejt New Yorkut. Në këtë periudhë shkrimtari qëndroi në metropolin amerikan. Por prapë Gjermaninë nuk e ka lënë anash. 

“Herscht 07769”, botuar për herë të parë në vitin 2021 dhe në përkthim anglisht në vitin 2024, është përshkruar “si një roman i madh gjerman bashkëkohor”. Sipas kritikëve vepra pasqyron trazirat shoqërore të vendit përmes një sërë letrash të gjata drejtuar kancelares Angela Merkel, të shkruara gjatë viteve 2010 nga një njeri i quajtur Florian Herscht, që jeton në Thuringia, një shtet ekonomikisht goxha i shkretë i ish-Gjermanisë Lindore. 

“Meqë qyteti ishte gjithashtu vendlindja e Johann Sebastian Bach, trashëgimia e kompozitorit shërben si sfond për anarkinë shoqërore të romanit. Libri prej 400 faqesh ka vetëm një pikë të vetme në të gjithë tekstin”, shkruajnë kritikët gjermanë. Këtë e përmend edhe Akademia Suedeze në arsyetimin që ka bërë për Çmimin. 

“Kjo sintaksë rrjedhëse me fjali të gjata dhe të përdredhura, pa pika fundore është shenja dalluese e Krasznahorkait”, shkruhet në arsyetim. 

Viteve të fundit krijimtaria e tij në prozë është përkthyer në shumë gjuhë në botë, përderisa më 2015, Krasznahorkai u bë shkrimtari i parë hungarez që fitoi çmimin ndërkombëtar “Man Booker”. Po atë vit kishte dhënë një intervistë për “The Guardian”. 

I pyetur se si do ta përshkruante veprën e tij, Krasznahorkai dha një përgjigje intriguese:  “Shkronja; pastaj nga shkronjat, fjalë, pastaj nga këto fjalë, disa fjali të shkurtra, pastaj më shumë fjali, më të gjata, dhe kryesisht shumë të gjata për një periudhë prej 35 vjetësh. Bukuri në gjuhë. Argëtim në ferr”, kishte thënë ai. Kurse sa u përket lexuesve që ende s’kanë lexuar ndonjë vepër të tij, ai kishte dhënë një këshillë. 

“Nëse ka lexues që nuk i kanë lexuar veprat e mia, nuk mund t’u rekomandoj asgjë për të lexuar; në vend të kësaj, do t’i këshilloja të dilnin jashtë, të ulen diku, ndoshta pranë një përroi, pa bërë asgjë, pa menduar për asgjë, thjesht të qëndrojnë në heshtje si gurët. Me kohë, do të takojnë dikë që tashmë i ka lexuar librat e mi”, kishte thënë ai. Botuesi i tij shqiptar, Gentian Çoçoli, ka thënë se sigurisht që është kënaqësi dhe një farë shpërblimi, mbi të gjitha moral, për botuesit e pavarur kur një autor bëhet laureat i “Nobelit”. 

“Pra për ne që botojmë letërsi tërësisht jokomerciale, ose ndryshe thënë, letërsi ‘të vështirë’, pasi letërsia e mirë është e vështirë dhe ndaj lexuesi në të gjitha kohërat ka kërkuar te veprat e mëdha përgjigje për shumë gjëra që e shqetësojnë dhe që aty gjen edhe përgjigjet. Si te Gogoli, Thomas Mann, Franz Kafka, Borges. Në këtë gjerdan futet edhe Krasznahorkai”, ka thënë ai.  

Veprat e Krasznahorkai, shumë prej tyre të “përkthyera” edhe në filma, sipas kritikës kanë një epikë të veçantë. Këtë e ka përmendur në arsyetim edhe kryetari i Komitetit të Nobelit, Anders Olsson. 

“Krasznahorkai është një shkrimtar i madh epik në traditën e  Evropës Qendrore, që shtrihet nga Kafka deri te Thomas Bernhard, dhe që karakterizohet nga absurditeti dhe tepria groteske”, ka shkruar ai për  Krasznahorkain e së enjtes së parë të tetorit, shkrimtar nobelist.