Kulturë

Nuk ndalet debati në Serbi pas shkrimit në Shtojcën për kulturë të KOHËS

Foto: Alban Bujari / KOHA

Monumentet kryesore të kultit të krishterë në Kosovë janë të moçme si për arbrit autoktonë ashtu edhe për serbët pushtues në Kosovë. Ndonëse i është mbivënë cilësimi si manastire ortodokse serbe – të tilla si Manastiri i Deçanit, ai i Graçanicës, Kisha e Shenjtëroëve Mihal e Gabriel, Kizha e Zojës Prendë në Prizren, Patriarkanë e Pejës – ato ishin ndërtuar, rindërtuar apo meremetuar mbi themelet e monumenteve të moçme të periudhës romake e bizantine. Me ekspoze të historisë së këtyre monumenteve, shkrimi “Përvetësimi nga serbët i monumenteve mesjetare arbërore në Kosovë” me autor Bedri Muhadrin, bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, është bërë sebep për një fushatë mediatike në shtetin fqinj.

Për dy ditë rresht, mediat në Beograd kanë zhgrehur kritika e sulme ndaj shkrimit të botuar në Shtojcën për kulturë të “Kohës Ditore”. Siparin e reagimeve e ka ngritur Dioqeza Rashkë-Prizren e cila e ka cilësuar tekstin e historianit Muhadri si “shpërndarje e urrejtjes etnike dhe fetare” kundrejt serbëve në Kosovë dhe trashëgimisë së tyre. Në reagimin e lëshuar paraditen e së dielës në faqen “Eparhija-prizren”, kësaj Dioqeze nuk i kanë pëlqyer ato që i kanë quajtur si pretendime mbi manastiret ortodokse. “Mesazhi është i qartë. SOC (Kisha Ortodokse Serbe – v.j) duhet të largohet nga Kosova e Metohija bashkë me murgjërit e besimtarët, për të ‘çliruar’ vendet e shenjta shekullore, që do të bëhen monumente shqiptare”, thuhet në reagimin e kësaj dioqeze.

Në reagimin ku togfjalëshi provokativ “Kosova dhe Metohija” përmendet pesë herë, Kosova është akuzuar për shkelje të ligjeve dhe vendimeve të gjykatave.

Artikullin e plotë mund ta lexoni nesër në “Koha Ditore”