Kulturë

“Oda” midis problemeve dhe premtimeve për renovim 100 mijë eurosh

Në të tetëmbëdhjetin vit të themelimit, teatri “ODA” mund ta ndiejë dorën e investimit të parë nga Qeveria e kryeqytetit. Një projekt për renovimin e hapësirave të tij është paraparë në buxhetin e ri të Komunës së Prishtinës për vitin 2021.

Në buxhetin e miratuar në fillim të këtij muaji, investimi për renovimin e teatrit “Oda”, në vlerë prej 100 mijë eurosh, është në mesin e 16 projekteve kapitale të Drejtorisë së Kulturës në kryeqytet.

Kështu, qeverisja komunale ka paraparë që tenderi i hapur të iniciohet në fillim të vitit të ardhshëm, atëherë edhe kur lejohet ligjërisht hapja e tenderëve për buxhetin e ri.

“Specifikat e projektit do të bëhen me arkitektë dhe në bashkëpunim me organizatat, aktivitetet e të cilave ndërlidhen me këtë teatër”, ka thënë për KOHËN Blerta Basholli, drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës.

Ndërsa e ka vlerësuar nismën e Komunës për investime në hapësirën e teatrit “Oda”, ajo ka thënë se nuk beson që gjatë kësaj kohe ky teatër do të jetë i privuar nga aktivitetet.

“Përkundrazi, ne po investojmë dhe jemi duke punuar në zgjidhje për të mbështetur këtë hapësirë jo vetëm për të mbijetuar, por për të pasur programe dhe jetë artistike shumë aktive”, ka thënë Basholli.

E pyetur në lidhje me afatet kohore të projektit, drejtoresha e Kulturës ka shtuar se “procedurat e prokurimit dhe specifikat e projektit do të përcaktojnë kohëzgjatjen e punimeve”.

Florent Mehmeti, udhëheqës dhe njëri prej themeluesve të teatrit “Oda”, ka thënë se prej disa vjetësh janë në diskutime me Komunën e Prishtinës. E ndër kërkesat e vazhdueshme të këtij teatri ka qenë krijimi i lehtësirave për qiranë e objektit.

Ndërsa në planifikimet për buxhetin e ri ky projekt është quajtur “Renovimi i Teatrit Alternativ (Oda)”, Mehmeti e ka quajtur tendencioz dhe hibrid një emërtim të tillë.

“Është vetëm teatri ‘Oda’ dhe si i tillë përbën një memorie kolektive të kryeqytetit”, ka thënë ai.

Duke folur për projektin e Komunës, Mehmeti ka thënë se janë befasuar me paralajmërimin e qeverisjes lokale.

“Gjithçka që duhet tani është të ulemi me Komunën për t’i sqaruar shumë gjëra se si do të veprohet tash e tutje”, ka thënë Mehmeti.

Për vite me radhë problemi kryesor që kishte shoqëruar “Odën” ishte statusi i saj prej qiraxhiu në objektin që menaxhohej nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Rrjedhimisht, për çdo investim, sipas kontratës, lypej edhe leja paraprake.

Më 22 dhjetor të vitit 2017, ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte nënshkruar vendimin që Pallati i Rinisë dhe Sporteve nga AKP-ja t’i kalonte në pronësi Komunës së Prishtinës. Megjithëse drejtuesit e Teatrit e kishin pritur me entuziazëm vendimin në fjalë, Komuna e Prishtinës, sipas tyre, i kishte lënë sakaq në harresë.