Është përuruar të mërkurën monumenti i “Vrapueses së Prizrenit”, si simbol i trashëgimisë dhe shpirtit sportiv të qytetit.
Ajo është përuruar të mërkurën në lagjen “Bazhdarhane”.
Gjatë përurimit kryetari Shaqir Totaj ka thënë se ky monument është simbol i lashtësisë së kombit shqiptar në këto treva dhe tregues i civilizimit të asaj kohe. “Dëshmi që ky qytet, ky komb, ka traditë, histori, të kaluar dhe ka pasur edhe kulturë”, ka thënë ai, në një deklaratë për mediat.
Ndërkaq skulptori Gëzim Muriqi ka thënë se e konsideron nder e privilegj punën për këtë monument.
“Është vepra ime e tretë që lidhet me Prizrenit. Jam autori i shtatores së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, dhe dëshmorit apo heroit Agim Shala. Është nder dhe privilegj për cilindo që të ketë veprat e veta të ekspozuara në kohë dhe hapësirë. Natyrisht se impakti dhe rëndësia e kësaj vepre, që është artefakt, që dëshmon lashtësinë tonë, zhytet thellë 2500 vite mbrapa, tregon për kulturën që është zhvilluar në këto treva. Veç uroj që gjeneratat e ardhshme ta gëzojnë”, ka thënë ai.
“Vrapuesja e Prizrenit” e njohur edhe si Atletja nga Prizreni dhe Menada e Prizrenit është një figurinë prej bronzi, pak më shumë se 11 centimetra e lartë, e zbuluar në vitin 1876 në Prizren ndërsa daton rreth viteve 520 -500 p.e.s. Vrapuesja ndodhet në Muzeun Britanik dhe paraqet një artefakt të famshëm që ka Kosova jashtë vendit. Figurina e cila ka bërë xhiro nëpër punime shkencore gjithandej botës pasqyron një vajzë (grua) duke vrapuar.