Është kujtuar si poeti i plejadës së artë të letërsisë shqipe në Kosovë që kulmoi në vitet ’70 e ’80 të shekullit të kaluar. Ndonëse për shumëkënd mbeti i panjohur, poeti Mirko Gashi është vlerësuar si rebel e bohem i poezisë shqipe
Poezia nuk është gjithherë prestigj e lavd në të tashmen. Ndonjëherë krijesa-fjalë mund t’i hakmerret në mënyrë “atëvrasëse” autorit duke e lënë atë në mëshirën e kushteve të rënda. Megjithëse nuk e kishte çarë kokën askurrë për siguri materiale e një kulm mbi kokë, duke parapëlqyer në vend të kësaj ngarendjen drejt eterit poetik, Mirko Gashi ishte poeti që thyente konvenca ngado.
Ndonjë fotografi apo xhirim tashmë i vjetruar në arkivat e Radiotelevizionit të Prishtinës e paraqet poetin si krejt jokonvencional: vetullat e trasha, mjekra e dendur dhe një xhaketë prej xhinsi ishin shenjat fizike të zgjedhjes për të jetuar i lirë.
Në një intervistë për revistën letrare “Zani i Rinisë”, më 1984, Gashi kishte thënë se lirinë e çmonte mbi gjithçka dhe se jetonte ashtu siç dëshironte.
“Dëshirat nuk i kam të mëdha për jetë luksoze, por mundësitë i kam tejet të vogla për të jetuar si njeri i rëndomtë. Shumë gjëra i humba në jetë për shkak të poezisë”, i kishte thënë poeti Gashi 36 vjet më parë gazetarit Qani Mehmedi. “Kam mundur të jem dikushi, por kam mbetur një poet rrugëve të Prishtinës, 22 vjet pa kulm mbi kokë. Pra, poezia më mori gjithçka e pak më dha. Të merresh me poezi është tejet e vështirë. Vjen koha që fjalët ta kërkojnë kokën”.
Ky ka qenë një nga evokimet me të cilat është përcjellë aktiviteti letrar “Ora e Shkrimtarit” të PEN Qendrës së Kosovës, që u mbajt të enjten mbrëma në mjediset e “KultPlus Caffe Gallery” në kryeqytet.
Në fjalën hyrëse të diskutimit studiuesi e poeti Sali Bashota e ka cilësuar Mirko Gashin si poetin më rebel e bohem në poezinë shqipe. Ai ka kujtuar se ishte në rrethin e atyre që e njihnin poetin e ndjerë e me të cilin takoheshin shpesh.
“Edhe nëse vdes për mua/ unë s’jam më ai varkëtari i bukur që ta hap portën e ferrit/ e të kap për qafe…”, ishin disa nga vargjet që Bashota lexoi nga poezia e tij “Qelqi i Mirko Gashit” të shkruar më 1997.
Ai, po ashtu, ka vlerësuar se edhe pse poezia ishte “shenja emblematike e jetës së tij”, Mirko ka lënë pas edhe përkthime të shumta.
Profesori i letërsisë në Fakultetin e Filologjisë, Osman Gashi, ka thënë se vepra e Mirko Gashit nuk është hetuar shumë nga kritika letrare e që, sipas tij, është e nevojshme të rimerret në një dritë të re.
“Në shumë aspekte ai nuk u kuptua si duhet, madje u keqkuptua shpesh. Jeta e tij rridhte jashtë konvencave, kurse poezia shpërthente kufizimet e kohës”, ka vlerësuar Gashi.
Poezia e Mirkos, e botuar në katër libra poetikë, nuk ishte e tillë që të kishte audiencë të gjerë. Ishte poezi e komunikativitetit të ulët dhe introverte, por e mbështetur në simbole me fuqi sugjestive, ka theksuar profesori Gashi.
“Duke parë figuracionin e tij poetik, Mirko e njihte mitin grek, biblik, si dhe mitologjinë shqiptare”, ka vijuar më tej ai, për të shtuar se nëpërmjet personazheve mitike e përligjte pozicionin karshi vetes e botës.
Dhe, çuditërisht, subjekt i përsëritur në paletën e tij prej poeti kishin qenë zogjtë që për banesë kanë lartësitë qiellore për të cilat njerëzit mund vetëm të ëndërrojnë.
Gjatë një bisede miqësore poeti Mirko Gashi ia kishte tërhequr vëmendjen mikut të tij, Halil Matoshi, te një dru në një nga shpatet e lagjes “Arbëria” në Prishtinë, aty ku nën hijen e tij “të rinjtë hidhnin vallen e dashurisë”.
“Ai dru u përjetësua në poezi prej së cilës pikojnë hiri dhe puthja”, ka thënë Gashi për librin “Arbor vitae”, që e kishte botuar më 1988.
Në vazhdim të referimit të tij, profesor Gashi ka folur edhe për të qenit “bohem”, cilësim i cili i është vënë në pah poetit Mirko nga kritikë të ndryshëm letrarë.
Në ditët e tij krijuese ai kishte shfaqur njohje të thellë të poezisë bashkëkohore në botë, por edhe të asaj jugosllave. Duke qenë njohës i mirë i serbokroatishtes, Mirko Gashi e kishte bërë të mundur transmetimin nga njëra gjuhë në tjetrën të plot 35 veprave letrare.
“Poezia e Mirkos mbetet përfundimisht produkt i një shpirti të trazuar, një zë për humanizëm e vëmendje për njerëzit e lënë në margjina, për të harruarit”, ka shtuar Gashi.
Në kujtesën e miqve të tij Mirko ende është i gjallë për performancën e tij e rebelizmin konstant. Të tillë e ka përshkruar edhe profesoresha e letërsisë dhe kritikja Naime Beqiraj.
“Gjatë një jete plot 56 vjet ai nuk u mor me asnjë profesion tjetër përveç fjalës”, ka thënë Beqiraj. Ajo e ka përshkruar poetin si mjeshtër të fjalës dhe formave sintetike të vargut, të cilin e punonte deri në detaje.
“Te poezia e Gashit ndeshim antiteza të cilat herë-herë vijnë edhe me gradacion rimash. Ashtu siç kishte plot ritëm, poezia e tij shfaq botën e brendshme të tij me plot muzikalitet”.
Më pak i njohur për të tjerët ishte Mirko Gashi si tekstshkrues këngësh – dy të tilla u interpretuan prej këngëtarit Bedri Islami – dhe si aktor në filmat “Njeriu prej dheu” dhe “Rojet e mjegulles”.
Sipas Beqirajt, në poezinë e Mirko Gashit zënë vend edhe figurat shqiptare të traditës, prej Skënderbeut e deri te Shtjefën Gjeçovi.
“Në poezitë e tij gjen vend edhe miti për gjarprin e shtëpisë, kalin e varreve, bashkë me zjarrin, ajrin e dheun, që marrin kuptime të tjera prej atyre tradicionale”, ka shtuar ajo. “Poezitë e tij nuk ishin për t’u recituar, por për t’u lexuar. Ishte poezi që ngjitet lart e vallëzon në eter”.
Me origjinë nga fshati Selishtë, afër Zhegrës së Gjilanit, Mirko Gashi u lind më 2 shkurt 1939, në qytetin e Kralevës në Serbi. Shkollimin fillor e kreu në Shkup dhe Preshevë, kurse të mesmen në Gjilan. Punoi fillimisht si mësues në shkollën e fshatit Caravajkë të Preshevës, kurse më vonë mbaroi një trajnim njëvjeçar për gazetarë në Beograd. Në këtë profesion punoi në Radio-Prishtinë.
Gashi ishte aktiv edhe në Teatrin e Kombësive në Shkup e më pas edhe në ish-Teatrin Krahinor të Kosovës, për të kaluar më pas si redaktor në gazetën “Kosova” që dilte në Prishtinë.
Sipas kritikëve, ai ishte një poet me dhunti, sado që kurrë nuk u bë figurë qendrore e poezisë shqipe në Kosovë. Botoi vëllimet poetike: “Në vorbullën e ujit” (1972), “Netët e bardha” (1975), “Gjarpëri i shtëpisë” (1980), “Arbor vitae” (1988) dhe “Plagë uji” (1990).
Vdiq në vitin 1995, në Prishtinë, për shkak të ndërlikimeve shëndetësore.
Me këtë aktivitet kushtuar Mirko Gashit, në të vërtetë, ka përfunduar projekti “Ora e Shkrimtarit”, i përkrahur edhe nga MKRS-ja.
Më 13 tetor kishte nisur me Esad Mekulin, dhe në javët në vijim ishin përkujtuar edhe shkrimtarë të tjerë si: Adem Demaçi, Ibrahim Rugova, Anton Pashku, Hasan Mekuli, Jusuf Gërvalla, Xhemail Mustafa, Rifat Kukaj dhe Mensur Raifi.