Tashmë në edicionin e dytë “PriGlobal” dhe “PriDox” i paraprijnë festivalit të filmit “PriFest”, më të madhit të llojit të vet në Kosovë, i cili pritet të mbahet në fundverë. Me një program prej 7 filmash, kjo ngjarje për filmdashësit sjell filma artistikë dhe dokumentarë nga katër anët e botës. Janë tema universale prej zbërthimit të identitetit deri tek izolimi prej virusit
Kriteri parësor që një film të bëhet pjesë e “PriGlobal” dhe “PriDox” është që të jetë premierë kosovare. Cilësia është e nënkuptueshme. Siç ngjan me “PriFest”, si ngjarjen amë që sivjet do të shënojë edicionin e 15-të, edhe “PriGlobal”, që u dedikohet prodhimeve të huaja si dhe “PriDox”, që u jep hapësirë dokumentarëve, vërehet qartazi rëndësia e kurimit të programit të filmave regjisorësh e me kastë aktorësh që shtrihen deri tek emrat si Quentin Tarantino.
“PriGlobal” të hënën mbrëma e ndezi ekranin e “Kino Armatës” me premierën e filmit “No Way Home” nga Yousaf Ali Khan. Si produksion i Mbretërisë së Bashkuar, sjell rrëfimin e protagonistit Ryan dhe raportit të tij që krijon me një refugjat sirian. Përmes tij shpaloset një analizë e problemeve aktuale në shoqëritë perëndimore, të cilat kryesisht preokupohen me çështjet identitare, margjinalizimin dhe përkatësinë në raport me emigrantët. Ndryshe nga filmi i hapjes, e marta mbrëma nisi me filmin artistik nga Brazili nën regji të Guto Parentes me titullin “A strange path”, i cili të pranishmit i mbërtheu para ekranit të madh për një orë e gjysmë, duke i kthyer në retrospektivë katër vjet më parë.
Filmat e xhiruar për dhe gjatë pandemisë COVID vazhdojnë të rrjedhin nga kënde të ndryshme të botës. Nisur nga natyra globale e këtij përjetimi kolektiv, edhe shprehja artistike e kësaj përvoje nuk mungon. “A strange path” duket se instrumentalizon rrethana specifike si një tentim për të eksploruar një temë universale e në këtë rast marrëdhëniet shpesh të tendosura midis baballarëve dhe të bijve. Subjekti protagonist në film, David, kthehet në Brazil nga Portugalia – vendi ku kishte qëndruar me të ëmën për 10 vjet – për premierën e filmit të tij eksperimental, i cili do të shfaqej në qytetin e lindjes. I nxitur nga nëna e tij, David inkurajohet që të fillojë rivënien e raporteve me babanë e tij, Geraldo. Heziton, por si duket fati kishte rezervuar diçka tjetër për të. Pas shpërthimit të një virusi në Brazil, ai tashmë e gjen veten të izoluar, në pamundësi për t’u rikthyer në Portugali. Përgjatë minutazhit në film vërehet përpëlitja e subjektit në idenë e një mënyre të re të jetesës, e cila e izolon atë teksa ia imponon edhe marrëdhënien me të atin, e kjo e fundit copëtohet në film në shumë sekuenca të cilat paraqesin ndjeshmërinë dhe tensionin e një situate të jashtëzakonshme. Geraldo sëmuret dhe protagonisti David portretizohet si një individ në panik për shëndetin e të atit. Nisur nga kjo hapësirë që regjisori i dhuron këtij raporti, ai arrin të kontekstualizojë edhe ndikimin e pandemisë në raportet njerëzore. Fill pas shfaqjes së filmit publiku, i cili qe kryesisht i përbërë nga një grusht njerëzish ndërkombëtarë, dolën nga salla të ballafaquar me një rikujtim të një periudhe të rëndë që njerëzit kishin kaluar.
Po të martën mbrëma në repertor ka qenë edhe “Family Portrait” nga SHBA-ja, nën regji të Lucy Kerr.
Amerikania Hailey Hall, e pranishme në publik, doli me mbresa nga shfaqja. Në një prononcim për KOHËN ka ndarë përshtypjet e saja të para.
“Ka rezonuar me mua shumë ky film, nuk kam parë shumë filma për COVID-in. Por, kjo ideja e mbylljes së çdo restoranti apo hapësire ishte shumë. Më pëlqen ta rishikoj atë eksperiencë, personalisht më riktheu katër vjet prapa, në ato ditë”, ka thënë Hall kur ka folur për “A stranga path”.
Prezantimi i titujve të tillë, me tema dhe nivel realizimi të lartë, ka qenë synim i organizatorëve. Aplikimi për pjesëmarrje në “PriGlobal” dhe “PriDox” hapet fill pas mbylljes së edicionit pararendës, derisa nuk ndiqet një tematikë specifike, por cilësia mbetet kriter i rëndësishëm.
Për Armend Zeqirin nga “PriFesti”, programet përcjellëse të festivalit janë shndërruar tashmë në trampolinë, nga e cila shumë regjisorë fillojnë rrugëtimin e tyre. Edhe motivi i organizimit të “PriGlobal” e “PriDox” kishte qenë po ky: krijimi i hapësirës për krijues ndërkombëtarë, posaçërisht jashtë përtej Ballkanit. E hëna dhe e marta janë rezervuar për “PriGlobal”. E mërkura është anuluar për shkak të shpalljes së ditës së zisë dhe e enjtja i ka mbetur “PriDoxit”.
“Për ‘PriDox’ dhe ‘PriGlobal’ ne përkujdesemi që filmat të jenë jashtë Ballkanit, kjo i lihet edicionit kryesor të ‘PriFestit’, ku fokusi kryesor vendoset te filmat e Ballkanit. Në kuadër të këtyre dyjave kemi filma nga Kosta Rika, Brazili, Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja e të tjera”, ka thënë Zeqiri.
Audienca veç rolit të spektatorit, gjatë netëve kur prezantohen filmat ka mundësi edhe t’i vlerësojë ata. Në fund të filmit, në hollin e “Armatës” pret një kuti ku vendosen vlerësimet e gjithsecilit për filmin e parë. Pas shfaqjes së filmit të fundit të enjten, “Ennio” bashkëprodhim i Italisë, Belgjikës e Japonisë, bëhet dhe numërimi i votave, rrjedhimisht dhe epilogu do të bëhet i ditur me shpalljen e filmit fitues.
Krahas programit të karakterizuar nga shfaqja e filmave, ata do të përcillen dhe nga ndejat pasuese në secilën natë, të cilat do t’i paraprijnë festës qendrore të shtunën e 20 prillit me “PriBeats”, e cila do të bëjë bashkë DJ të ndryshëm ndërkombëtarë.
Për Emirjona Metollin, asistente organizative në “PriDox” dhe “PriGlobal”, i gjithë procesi kishte nisur i planifikuar mirë dhe po vazhdon të rezultojë i tillë, teksa shpreson që të përmbyllet suksesshëm.
“Ky edicion bëhet për filmat internacionalë, puna gjithashtu realizohet lehtësisht, sepse stafi parapërgatitet goxha herët, secili i ka detyrat e veta dhe realizimi bëhet lehtë. Filmat po shkojnë mirë dhe ndejat gjithashtu janë organizuar në çdo detaj, andaj po presim që të realizohen me sukses”, ka thënë Metolli.