Kulturë

“Prizren Rock & Blues Music Festival” do të bashkojë muzikën me turizmin

Prizreni, si kryeqytet historik i Kosovës, është adresë e shumë vizitorëve për trashëgiminë e pasur kulturore. Por, prej sivjet qyteti do të jetë edhe më divers për atë që ofron. Në qershor për dy mbrëmje radhazi do të nisë “Prizren Rock & Blues Music Festival”. Festivali mëton që të ruajë elementet e përbashkëta të muzikës popullore, historisë, ndjenjës sublime të dashurisë dhe revoltës

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se qyteti po begatohet me një ngjarje të re kulturore dhe ka paralajmëruar se ka mbetur vetëm pak kohë deri në përjetimin e një përvoje të paharrueshme me festivalin e muzikës rock dhe blues. Sipas njoftimit të lëshuar nga kabineti i kryetarit Shaqir Totaj, edicioni i parë i këtij festivali do të mbahet me rastin e shënimit të Ditës së Lidhjes, në qershor të këtij viti.

“Në kuadër të 145-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, më 10-11 qershor 2023, do të realizohet projekti më i ri që bën bashkë muzikën rock&blues, të rinjtë, historinë e muzikës si potencial promovues i turizmit përmes festivalit me titull “Prizren Rock & Blues Music Festival”, shkruhet në komunikatë. Aty sqarohet se i njëjti realizohet nën patronazhin e kryetarit Totaj, me ç’rast zbatohet nga shoqata “Melodia e Rock dhe Blues në Turizëm”, ku partnerë kryesorë janë Komuna e Prizrenit dhe Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon. Sipas ueb-faqes së Festivalit, në këtë edicion do të interpretojnë Eugent Bushpepa, “Jericho”, Menan Kiseri, “Musketieret”. Po ashtu pjesëmarrës do të jenë edhe kitaristi finlandez Samuli Federley, bendi maqedonas “Leb i Sol” dhe bendi “Playa”.

Në të njëjtën kohë është theksuar se ky festival është frymëzuar nga fillet e muzikës rock dhe blues në Kosovë, duke ruajtur elementet e përbashkëta të muzikës popullore, historisë, ndjenjës sublime të dashurisë dhe revoltës. “Marrë shkas nga “Këngët e Milosaos” të De Radës, ku përveç dashurisë romantike, një rol të rëndësishëm ka edhe dashuria sublime për atdheun dhe prosperitetin e tij, ashtu edhe ky festival, përveç muzikës, përdor forcën e tingujve të Rock & Roll dhe Blues me qëllim të promovimit nëpërmjet muzikës dhe artit e të rinjve, potencialin turistik që Prizreni ofron”, shkruhet në komunikatë. Aty sqarohet se vizioni që “Prizren Rock & Blues Music Festival” do të sjellë shkon përtej.

“Në këtë fushë do të krijohet edhe Muzeu i parë në rajon, i cili do të shërbejë edhe si një akademi për krijimin dhe realizimin e tour-guides të para në qytet”, shkruhet në komunikatë.

Aty pohohet se të pranishëm do të jenë emra të shquar nga skena vendore dhe ndërkombëtare.

“Eventi do të jetë manifestim i rokerëve më të mirë shqiptarë ndër vite, yjeve të së sotmes e talenteve të së ardhmes dhe një reflektim muzikor shpërthyes i Prizrenit. Befasi për të zbuluar janë grupet e huaja më në zë që për publikun do të jetë një përvojë e paharrueshme për ta kthyer në traditë...”.

Madje nënvizohet se ky projekt shkon përtej një festivali të zakonshëm, meqë vjen si organizim inovativ duke synuar krijimin e mundësive për të rinjtë e pasionuar pas muzikës në Ballkanin Perëndimor, pastaj shpalosjes së historisë së artë të gjeneratave të artistëve vendorë si promovimit turistik të Prizrenit.

“Edhe pak kohë mbetet për ta përjetuar një eksperiencë të paharrueshme që në mendjet e publikut do mbetet gjatë plot emocion në Prizrenin që do të kthehet në epiqendrën që frymon ROCK, si qyteti i lidhjes që na bashkon të gjithëve”, shkruan në komunikatë.

Ndërkaq në ueb-faqen e Festivalit bëhet e ditur se “Festivali Rock& Blues” në qytetin e Prizrenit është frymëzuar nga vetë fillimet e muzikës rock dhe blues në Kosovë dhe duke pasur parasysh elementet e përbashkëta të muzikës popullore, të kujtesës e historisë.

“Me qëllimin e vetëm për të promovuar potencialin tonë turistik, përmes Festivalit të Muzikës Rock dhe Blues në Prizren do të sjellim në skenë grupet dhe artistët më të njohur kombëtarë/rajonalë dhe ndërkombëtarë të muzikës rock dhe blues. Rock&blues do të ketë si objektiv kryesor edukimin e brezave në këtë zhanër, si edhe do të kontribuojë në promovimin e turizmit si një potencial i pashfrytëzuar që do të ndihmojë ekonominë vendase”.

Në shkurt të këtij viti KOHA ka raportuar se si kryetari Totaj dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, kanë paralajmëruar organizimin e këtij festivali që, sipas tyre, do të jetë një vlerë e re, që vjen si rezultat i bashkëpunimit të komunave në kuadër të Unionit të Bashkive Shqiptare.

Sihariqin për festivalin e ri e pati dhënë kryetari i Prizrenit. Gjatë mbledhjes solemne të Kuvendit të Komunës, në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ku Veliaj pati pranuar Çelësin e Qytetit përkatësisht titullin “Qytetar Nderi” i Prizrenit, Totaj duke përmendur bashkëpunimin e deritanishëm pati shtuar se në horizont janë projekte më të mëdha dhe më të rëndësishme.

“Po e promovoj një projekt të rëndësishëm që na pret, do të përdorim forcën e rok muzikës për t’i sjellë të rinjtë dhe të vjetrit këtu, për të marrë vëmendjen e një opinioni. Ky është projekt në bashkëpunim me UBSH-në, pra janë vlera të mëdha e të rëndësishme që na presin”, kishte thënë Totaj.

Për dallim prej tij, kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, duke përmendur festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, kishte shfaqur shpresën që qyteti i vjetër do të njihet edhe për festivalin e muzikës rock dhe blues.

"Të gjithë e dinë ‘DokuFestin’ dhe jam i sigurt që pas 10 qershorit të gjithë do ta dinë edhe ‘Rock & Blues Festin’, dhe për sa kohë sot kthehet në një qytet që promovon vlera, promovon mirësi, promovon dashuri, kulturë, muzikë, art, unë besoj se ditët më të mira në qytetin tonë të Prizrenit i kemi përpara”, kishte deklaruar Veliaj.