Nën dirigjimin e Roberto Rizzi Brignoli, Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit të Shqipërisë e ka nisur atë që tash e pesë vjet titullohet “Rame Lahaj dhe miqtë”, mbrëmje kjo që e përmbyll festivalin ndërkombëtar të operës “Rame Lahaj”. Sopranoja gjeorgjiane Nino Machaidze, basi Italian Dario Russo, dhe tenori nga Kosova, Rame Lahaj, janë treshja premtuese e mbrëmjes. Skena me pamje gjigante i shkon për shtati një gala mbrëmjeje e ambienti në sheshin “Skënderbeu” e plotëson atë. Aktivitetet e ngjashme aty janë bërë rutinë në mungesë të një salle muzikore në Prishtinë
Uvertura “I vespari siciliani” e Giuseppe Verdit është introja që ia hap rrugën mbrëmjes gala përballë rreth 2 mijë vetave në sheshin qendror të kryeqytetit. Nën dirigjimin e Roberto Rizzi Brignoli, Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit të Shqipërisë e ka nisur atë që tash e pesë vjet titullohet “Rame Lahaj dhe miqtë”, mbrëmje kjo që e përmbyll festivalin ndërkombëtar të operës “Rame Lahaj”. Sopranoja gjeorgjiane Nino Machaidze, basi italian Dario Russo, dhe tenori nga Kosova Rame Lahaj, janë treshja premtuese e mbrëmjes. Skena me pamje gjigante i shkon për shtati një gala mbrëmjeje e ambienti në sheshin “Skënderbeu” e plotëson atë. Aktivitetet e ngjashme aty janë bërë rutinë në mungesë të një salle muzikore në Prishtinë.
Janë dashur pak më shumë se 20 minuta vonesë që dirigjenti Brignoli të japë shenjë për nisjen e koncertit shkaku i publikut, e edhe mysafirëve specialë që janë vonuar. Por kur programi nis të marrë jetë, detajet sikur lihen anash. E sidomos kur në skenë interpreton një soprano si Nino Machaidze. Performancat solo kanë nisur me zërin e saj, duke interpretuar “o Dieu! Que de Bijoux nga opera “Faust” e Charles Gounod. Machaidze hyn në rol dhe e merr publikun në përjetimet e personazhit të saj. “Questa o quella” nga “Rigoletto” e Giuseppe Verdit, interpretuar nga Rame Lahaj, vjen mjeshtërisht. Bëhet fjalë për një fragment opere në të cilën Lahaj ka luajtur në disa shtëpi prestigjioze operistike. Basi Russo është ngjitur në skenë fillimisht me “Madamina, il catalogo e questo” nga “Don Giovanni” i Wolfgang Amadeos Mozart.
Ariet e operave të Rossinit, Dvorak, Puccinit, Massenet Lehar e të tjera, kanë sjellë ngjyra të ndryshme muzikore e role që marrin jetë në shtëpi botërore operistike. Treshja me përvojë në skena të mëdha di të ofrojë ndjesi e spektakël.
Por hallakama e hyrjes së publikut – kur edhe ata që vijnë me një orë vonesë, ua mësyjnë pjesëve të para të ulëseve bashkë me lajmërimet në telefonata edhe nga ndonjë anëtare e Filharmonisë së Kosovës, që qëllon në publik – ka prekur pak edhe programin. Posta e Kosovës nëpërmjet Filatelisë ka bërë të ditur se prej së shtunës është lëshuar në qarkullim pulla postare “Rame Lahaj”. Kjo është bërë midis të tjerash me arsyetimin se Lahaj me zërin e fuqishëm e përkushtimin e plotë, bëri që kënga shqipe të dëgjohet në sallat e operave në të gjithë botën. Në këtë rast, imazhi i pullës postare është vendosur në skenë për të qëndruar aty.
“Janë këto momente që më frymëzojnë, inspirojnë e më japin përgjegjësi për ta bërë atë që kam provuar ta bëj viteve të fundit, duke menduar se po kontribuoj në imazhin e Kosovës, duke e sjellë këngën shqipe në katër kontinente të globit në pesë vjetët e fundit”, ka thënë ai. Ka shtuar se është moment inspirimi, sepse sapo ka ardhur nga rrugëtimi i fundit.
“Koncertin e fundit e kam pasur në Saint Petersburg të Rusisë, ku një pjesë e madhe e miqve e menaxhmentit më kanë thënë se nuk është periudha më e mirë për të shkuar. Por unë mendoj se arti duhet të thyejë kufi dhe kultura shqiptare duhet të shkojë atje ku ne dikur nuk e kemi ëndërruar”, ka thënë ai. Ka treguar se atje e ka interpretuar edhe këngën shqipe “Bishtalecat palë-palë”. Më pas e ka ftuar publikun për ta ndjekur një video. Aty shfaqet Lahaj duke e kënduar këngën shqipe përballë një mase të madhe njerëzish, e po ashtu shfaqet në nuanca modeli duke ecur rrugëve të qytetit rus. Bëhet fjalë për organizimin
“Classics on Palace Square”, të mbajtur me 30 maj të këtij viti. Atje ka interpretuar krahas 10 solistëve të tjerë dhe skenën e kanë ndarë me disa ansamble. Ngjarja është tradicionale dhe i mbledh mijëra veta në publik.
Një video tjetër është lëshuar në mbrëmjen gala për t’i treguar aktivitet e sivjetshme të Festivalit Ndërkombëtar të Operës e në të cilin ka veç koncerte operistike. Aktivitet janë mbajtur edhe në disa qytete të tjera të Kosovës. Festivali që veç nga Ministria e Kulturës është përkrahur me 40 mijë euro, ka përfshirë studentë e fëmijë, duke bërë që muzika klasike të prekë e të frymëzojë mosha të ndryshme.
Midis të tjerash, në mbrëmjen përmbyllëse është paraqitur edhe futbollisti Lorik Cana për ta treguar një projekt të tij dokumentarësh për arbëreshet. Edhe në këtë rast, një video promovuese e ka përshkruar pak punën që ai po e bën. Pas kësaj ka qenë radha e arbëreshes Angela Dell Aquila e cila ka sjellë emocion të veçantë me interpretimin e “Moj e bukura more” në të folurën arbëreshe. Kuriozitet jo i vogël qe interpretimi i këngës së njohur “për ty atdhe” nga basi Dario Russo.
Në mbrëmjen që organizatori e ka përdorur edhe për vetëpromovim, siç ndodh tradicionalisht, Lahaj i ka interpretuar disa këngë shqipe. Krejt këto kanë zgjuar goxha kërshëri te publiku, duke iu bashkuar atmosferës me duartrokitje që japin ritëm.
Sopranoja Nino Machaidze ka thënë se energjia që është ndier prej minutës së parë e deri te e fundit, është e jashtëzakonshme.
“Kur bën diçka me zemër, rezultati është ky. Ishte kënaqësi e madhe të interpretoj në këtë shesh dhe jam shumë e lumtur për këtë”, ka thënë ajo.
Sipas dirigjentit Roberto Rizzi Brignoli, koncerti ishte përplot me emocione.
“Kur e shihni këtë shesh me përplot njerëz, është diçka shumë e madhe. Është një përgjigje e fortë nga publiku. Orkestra ishte fantastike e po ashtu edhe solistët dhe programi. Kishim pjesë operash, operetash e pastaj disa këngë. Bëmë shumëçka. Për mua ishte një moment shumë i mirë me përplot emocione”, ka thënë ai. Basi Dario Russo ka treguar se e ka përkthyer fjalë për fjalë këngën “Për ty atdhe”, në mënyrë që të jetë sa më brenda saj.
“Së pari, kisha frikë sa i përket shqiptimit. E kam përkthyer fjalë për fjalë, pasi doja ta ofroja kuptimin e tekstit që është shumë i bukur dhe e përshkruan dashurinë për vendin”, ka thënë ai. Në publik kanë munguar shumica e skenës muzikore vendore. Besa Luzha, e cila krejt në fillim ishte pjesë e organizimit, ka thënë se programi ishte i zgjedhur me shumë shije.
“Sopranoja dhe artistë të tjerë janë shumë të shquar. Mandej është përfshirë edhe kënga shqipe në formate të ndryshme. Gjithsesi, një përmbyllje shumë e mirë e këtij edicioni”, ka thënë Luzha. Treshja e solistëve ka dhuruar spektakël në mbyllje të mbrëmjes, duke bërë që Prishtinës t’i kthehen meloditë klasike dhe momentet kur qyteti merr tjetër imazh.