Lindi si festival me thirrjen për sallë koncertale, sivjet shënon edicionin e pestë, një shtëpi opere ende është larg, për autoritetet Prishtina është mbushur me “salla koncertale nën qiell të hapur”, politika futet në mes, por Festivali Ndërkombëtar i Operës “Rame Lahaj”, nuk ndalet në misionin e tij. Gala-mbrëmja “Rame Lahaj and Friends” është gati për spektaklin e radhës
Vetëm disa orë kanë mbetur deri në nisjen e mbrëmjes kulmore të Festivalit Ndërkombëtar i Operës “Rame Lahaj”, në të cilën do të marrin pjesë emra të shquar ndërkombëtarë të zërave operistikë. Të premten në Prishtinë është mbajtur konferencë ku janë shpalosur detaje rreth kësaj nate, e cila sikur në secilin edicion, mbledh audiencë jashtëzakonisht të madhe, përmes emrave të shquar të muzikës botërore. Këtë vit do të jetë prezente për herë të parë edhe Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar.
Konferencën e ka udhëhequr Besmir Vokopola, i cili është koordinator i programit artistik të festivalit “RLIOF”, i cili ia ka dhënë fjalën hapëse themeluesit të fondacionit dhe festivalit, Rame Lahaj. Ai i ka përshëndetur dhe u ka uruar mirëseardhje të pranishmëve, duke përfshirë edhe artistëve të mëdhenj që do të këndojnë në gala-mbrëmjen: sopranoja gjeorgjiane Nino Machaidze, basi italian Dario Russo dhe dirigjenti Roberto Rizzi Brignoli. Në panel kanë qenë edhe ish-futbollisti Lorik Cana, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, si dhe drejtorja e Orkestrës Simfonike të RTSH-së, Blerta Ristani.
Përparim Rama ka nisur të flasë për rëndësinë e festivalit, i cili e ka mbushur Prishtinën me salla koncertale nën qiell të hapur, dhe që ndonëse kryeqyteti po i kryen punët, sipas tij, politikat aktuale në vend po i ngadalësojnë.
“Përkundër faktit që ne si kryeqytet jemi duke bërë çmos për t’i shtyrë përpara proceset, tashmë e kemi projektin e arkitektit të mirënjohur botëror të përfunduar për sallën koncertale, ja që politikat po i ngadalësojnë çështjet, mirëpo ne nuk ndalemi dhe këtë sallë koncertale, por edhe hapësirat e tjera do t’i kemi në të ardhmen e afërme, mirëpo çka është me rëndësinë më të madhe është se vetë qyteti është transformuar në një sallë koncertale, si rezultat i angazhimit të fondacionit ‘Rame Lahaj’”, ka thënë kryetari Rama.
Tenori Lahaj, që edhe do të jetë ylli kryesor i mbrëmjes kulmore të festivalit, ka treguar misionin e festivalit dhe të këtij edicioni. Ai ka treguar se si fëmijë asnjëherë nuk ka shkuar në teatër, se për herë të parë ka shkuar si 23-vjeçar, por kjo nuk e ka penalizuar në jetën artistike.
“Ajo çka na takon dhe çka duhet të bëjmë si profesionistë është të krijojmë njëfarë platforme, e cila kthehet dikur në traditë edhe sigurisht për mua është krejt e pafalshme nëse fëmijët nuk shkojnë sot në teatër, operë e muzikë. Jo rastësisht ne e kemi një program për fëmijë, të cilin e prekim jo vetëm gjatë festivalit por gjatë gjithë vitit”, ka thënë ai.
Për këtë edicion, që ka përfshirë net të zërave të operës nga më të njohurit dhe ka mbledhur një audiencë të gjerë në secilën prej tyre, Lahaj ka thënë se qytetarët e duan këtë lloj të muzikës. E skenën e Prishtinës e ka krahasuar me ato të Berlinit e të Londrës.
“Pjesëmarrja në pesë koncertet paraprake tregon shumë mirë se qytetarët e duan këtë profil dhe jo rastësisht do të jenë diku 3500 ulëse në shesh, gjithmonë kemi qenë plot. E kupton që shoqëria e ka të nevojshme, shoqëria e do. Ideja është që për mua, skena e Prishtinës, e sidomos me artistët që kemi kënaqësinë t’i kemi këtu, nuk dallon absolutisht asnjë gjë me skenën e Berlinit, apo të Londrës, apo kudo tjetër, sepse është e njëjta kastë e artistëve, është i njëjti nivel”, ka shtuar tenori Rame Lahaj.
Sopranoja gjeorgjiane Nino Machaidze ka thënë se është detyra e artistëve ta sjellin muzikën kudo, e ndonëse në Prishtinë gjendet për herë të parë, ka treguar se do që t’i shohë të gjithë me fytyra të qeshura.
“Ne artistët duhet ta sjellim muzikën gjithkund në botë, e shohim si mision e si punë t’ua tregojmë të gjithëve muzikën dhe kjo është shumë e bukur, kur arrin në një vend të ri, është hera e parë për mua këtu dhe jam shumë e emocionuar, sepse vërtet dua të sjell disa copëza të vogla lumturie në fytyrat e publikut gjatë koncertit, sepse kur i shoh teksa buzëqeshin, më bëjnë edhe mua të lumtur”, ka treguar ajo.
Në natën që është edhe përmbyllëse e festivalit “RLIOF”, do të performojë bashkë me solistët edhe Orkestra Simfonike e RTSH-së, nën drejtimin e dirigjentit Roberto Rizzi Brignoli, i cili e ka përshkruar si situatë magjike mbajtjen e këtij festivali.
“Mendoj se ka një situatë magjike në jetën e secilit, e takon dikë që ta ndryshon jetën, e ‘takon’ një festival që ta ndryshon jetën dhe mendoj se është një lloj magjie në këtë festival, ndonëse unë kam ardhur dje këtu, thjesht puna me orkestrën dhe puna e njerëzve të këtij festivali: familje e mrekullueshme, të gjithë janë të rinj dhe për mua ishte diçka magjike. Mendoj se është fillimi i diçkaje që do të udhëtojë larg në të ardhmen”, ka thënë ai gjatë konferencës.
Ish-futbollisti Lorik Cana ka treguar se si e ka njohur tenorin Lahaj dhe se me gjithë profilizimet e ndryshme, i bën të gjithë bashkë faktori se janë shqiptarë dhe dashuria për artin dhe kulturën.
“Me Ramen jemi takuar në shtator të vitit 2016 gjatë një koncerti të operës dhe të muzikës që është mbajtur në Romë për shenjtërimin e Nënë Terezës dhe aty në mes, të gjithë artistët që ishin prezentë të kombësisë shqiptare, si Inva Mula, Ermonela Jaho, violinisti Shkëlzen Doli dhe me Ramen, kur atëherë ishte duke iu prezantuar botës, dhe unë atëherë kam pasur fatin dhe ta ndjek në shfaqjet që ka bërë, na lidhte një pasion i përbashkët që jemi shqiptarë, dhe faktori që vijmë nga bota e artit, muzikës dhe sportit”, ka thënë ish-futbollisti Cana.
Krah tenorit Lahaj dhe sopranos Machaidze, do të këndojë edhe basi italian Dario Russo, i cili vitin e kaluar kur mbahej edicioni i katërt kishte marrë pjesë në këtë festival si mentor i gjeneratës së re, për t’i prezantuar punët gjatë mbrëmjes kushtuar solistëve të rinj. E tani që vjen si solist në gala-mbrëmje, ka thënë se ndien më shumë përgjegjësi.
“Të jem sivjet këngëtar në këtë festival është përgjegjësi më e madhe, por jam shumë i lumtur të jem këtu, sepse Rama e di që unë menjëherë pata rënë në dashuri me Prishtinën. Vitin e kaluar kam qenë mentor vokalesh me solistët e rinj, dhe tani të jem solist është përgjegjësi, por edhe festë për mua”, ka thënë ai.
Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar është një nga risitë që vijnë në këtë edicion të pestë të festivalit, e drejtoresha Blerta Ristani, gjatë konferencës ka treguar se qysh prej nisjes së festivalit, ajo ka qenë e befasuar dhe e mahnitur.
“Praktikisht e ndiej veten si violinistja që ka marrë pjesë që në edicionin e parë të festivalit. Kur kam marrë pjesë, jam mahnitur nga organizimi, se Prishtinë është afër me Tiranën, por mua më goditi edicioni i parë dhe kur mbaroi e gjitha, kam kthyer kokën dhe kam thënë me shumë zili ‘sikur të ishte orkestra jonë ajo që do të ishte pjesëmarrëse kështu’ dhe kur dëshirat janë të sinqerta, vjen një ditë që realizohen”, ka thënë ajo.
Festivali do të kulmojë të shtunën me këtë natë, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë do të jehojnë zërat e fuqishëm operistikë, e njëjtë fuqishëm do të tregohet mesazhi i këtij edicioni për të ëndërruar pa kufij, përmes operave pa mure.