Përderisa punimet për sheshin “Xhorxh Bush” po zhvillohen në pjesën që s’e kalon atë që sipas institucioneve të trashëgimisë nuk është zonë e mbrojtur, Policia ka nisur hetimet e Komuna e Prishtinës kërkon sqarime shtesë duke kontestuar kufijtë e zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, përderisa ende s’i ka përfillur rekomandimet e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve që s’e ka miratuar projektin
Ndalimi i punimeve e përplasja midis institucioneve lokale e qendrore për projektin në sheshin “Xhorxh Bush” kanë kaluar në episode të radhës. Policia e Kosovës ka nisur intervistimin e palëve të përfshira në këtë çështje. Kurse Komuna e Prishtinës, të cilës nuk i është miratuar projekti nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, ende s’i ka përfillur rekomandimet. Por, kërkon sqarime shtesë nga institucionet e trashëgimisë kulturore duke kontestuar kufijtë e zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.
Tri tentime të Komunës së Prishtinës për të zhvilluar punimet pa leje në atë që për Ministrinë e Kulturës është zonë nën mbrojtje e Qendrës Historike të Prishtinës, tashmë janë bërë lëndë e mjaftueshme për Policinë e Kosovës që ta hetojë këtë rast.
Zyrtarët e institucioneve të trashëgimisë kulturore kanë dhënë sqarime në Policinë e Kosovës sa i përket masave të ndalimit që ka shqiptuar Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore duke ndalur punimet e Komunës së Prishtinës. Zyrtarë të Inspektoratit dhe të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore janë intervistuar për këtë rast. Siç ka marrë vesh KOHA bëhet fjalë për Kallëzimin që Inspektorati ia ka bërë Komunës pasi ka ndalur punimet herën e dytë, më 15 prill.
Në bazë të Ligjit për trashëgimi kulturore, për cilëndo ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkohet leje me shkrim nga institucioni kompetent. Në këtë rast institucion kompetent është Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Komuna pa leje kishte nisur punimet në mars për të implementuar projektin që sipas kontratës ka kosto 18.4 milionë euro. Punimet i ishin ndalur më 12 mars. Më pas më 16 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill.
Inspektorati për këtë rast ka ushtruar Kallëzim Penal në Policinë e Kosovës. Hetimet i ka konfirmuar edhe sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Bislim Bislmi.
“Kanë filluar hetimet... Sa jemi të informuar këto hetime po vazhdojnë”, ka thënë ai. Edhe MKRS-ja i ka kërkuar Policisë së Kosovës që të nisë hetime ndër të tjerash edhe me dyshimin për kryerjen e veprës penale për punë të paautorizuara në zona të mbrojtura të trashëgimisë kulturore.
Në anën tjetër për hetime, zyrtarë komunalë kanë thënë se nuk kanë njohuri. Por Komuna
është aktivizuar nëpërmjet një shkrese. Pas ndaljes së punimeve për herë të parë, në mars, Komuna ka bërë kërkesë në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për pajisje me leje.
Në ditën e 16-të të prillit, Komuna ishte njoftuar se projekti nuk i është miratuar.
Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka dhënë rekomandime, duke kërkuar sqarime shtesë siç janë analiza e kontekstit urbanistik e historik. Shkresa e IKMM-së e konfirmon edhe një synim të projektit: ndërtesat e reja që ngrihen midis monumenteve. Kjo zbërthehet te shkresa, ku Komunës i kërkohet që të interpretohen ndërtesat e reja të parapara me projekt.
Konstatimi se projekti cenon integritetin e monumenteve është po ashtu brenda shkresës që IKMM-ja ia ka përcjellë Komunës së Prishtinës. IKMM-ja ia ka bërë të ditur Komunës së Prishtinës se nëpërmjet këtij projekti trajtohen shtatë sheshe si ai i Katedrales, ai i shkollës “Faik Konica”, sheshi komercial i rrugës “Garibaldi” ai “Xhorxh Bush”, sheshi i koncerteve, i rekreacionit dhe ai i studentëve. Pesë prej këtyre shesheve, sipas komisionit të IKMM-së, gjenden brenda hapësirës së kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës si dhe brenda perimetrit të zonave mbrojtëse të monumenteve si Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio Kosova, Hoteli “Grand” dhe Banka Qendrore e Kosovës. Projekti, sipas shkresës, është kthyer në plotësim me gjashtë rekomandime.
Në shkresë bëhet e ditur se projekti parasheh ndërhyrje në aspekt urban dhe arkitektonik, në perimetër dhe zonë mbrojtëse të monumenteve si Rektorati i UP-së dhe Radio Kosova “duke cenuar integritetin hapësinor të këtyre monumenteve, respektivisht duke penguar kuadrin e dukshëm të përjetimit të tyre nga sheshi aktual dhe si të tilla nuk janë në pajtueshmëri me politikat për konservim dhe zhvillim të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të monumenteve”.
“Ndërhyrjet në aspektin arkitektonik (ndërtesat e reja) të projektuara në sheshin e Katedrales, i cili përfshin rrugën ‘Justiniani’, dhe sheshin e shkollës fillore ‘Faik Konica’ të propozohen me interpretime të dizajnit kontekstual”, shkruhet te rekomandimet. Nënvizohet se volumet për zgjerimin dhe zhvillimin e përdheseve në ndërtesat përgjatë rrugës “Garibaldi”, ndërtesa të identifikuara si ndërtesa kontribuuese të zonës, cenojnë tipologjinë e ndërtesave ekzistuese, peizazhin urban të zonës dhe hapësirën publike, trotuaret.
Zyrtarët komunalë në krye me kryetarin Përparim Rama e kontestojnë kufirin e zonës së mbrojtur të Qendrës Historie të Prishtinës e përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme prej vitit 2020. Komuna i referohet Studimit të fizibilitetit dhe planit të menaxhimit për Qendrën Historike të Prishtinës që ende është duke u hartuar dhe thotë se institucionet e trashëgimisë kulturore po thirren në një draft-dokument. Por sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore kufijtë e zonës së mbrojtur të QHP-së janë miratuar bashkë me propozimin e vitit 2020 kur QHP-ja ka fituar statusin e monumentit nën mbrojte të përkohshme. Sfidimin publik në vendpunishte, tash Komuna ka nisur ta bëjë me shkresa. Të premten nëpërmjet Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore i janë drejtuar Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
“Nisur nga pretendimi juaj se ‘sheshet nga numri 3 deri 7 m gjenden brenda hapësirës së kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës të përcaktuar në vitin 2020...’ ju lutemi që të na përcillni dokumentacionin e domosdoshëm (vendimet dhe hartat e aprovuara) në mënyrë që vërteton se zona në kufijtë në fjalë gëzon statusin juridik që pretendoni”, shkruhet në shkresën e nënshkruar nga drejtori i Drejtorisë së Transformimit, Gëzim Kastrati. Këtë kërkesë e ka mbështetur te Ligi për planifikimin hapësinor, te ai për trashëgimi kulturore dhe në Rregulloren për inventarizimin dhe procesin e përzgjedhjes së trashëgimisë kulturore për mbrojte të përkohshme.
“Nisur nga pretendimi juaj se pjesë të sheshit shtrihen ‘brenda perimetrit të zonave mbrojtëse të monumenteve të trashëgimisë kulturore, në mbrojte ligjore...’ ju lutem për të njëjtat të na përcillni dokumentacionin e domosdoshëm për procedurat që janë ndjekur në mënyrë që perimetri në fjalë gëzon statusin juridik që pretendoni”, shkruhet në pikën e dytë të shkresës.
Në pikën e tretë, drejtori Kastrati përmend Studimin e fizibilitetit dhe planin e menaxhimit të Qendrës Historie të Prishtinës, një dokument në zhvillim e sipër dhe kërkon që t’i japë sqarime se cila është baza ligjore sipas së cilës “merren vendime mbi bazën e një draft-dokumenti të papërfunduar dhe të paaprovuar”.
Komuna paraprakisht ka ushtruar Kallëzim Penal ndaj inspektorit të trashëgimisë kulturore Pajtim Zogaj, pasi i njëjti kishte bërë ndalimin e punimeve. Edhe Ministria e Kulturës në këtë aspekt s’ka qëndruar duarkryq. I është drejtuar me shkresë Policisë së Kosovës duke përkuar që të nisin hetimet për katër projekte të Komunës, përfshirë atë për sheshin “Xhorxh Bush”.