Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Rrëfimi polak në Prishtinë me finesë tingujsh romantikë e modernë

Katër muzikantë të shquar polakë –  Joanna Konarzewska dhe Zuzanna Frankiewicz në violinë, Martyna Sołtys në violonçel dhe Jan Czyżeëski në violë –  kanë sjellë dy vepra që shënojnë një kapitull unik të muzikës klasike të Polonisë

Katër muzikantë të shquar polakë – Joanna Konarzewska dhe Zuzanna Frankiewicz në violinë, Martyna Sołtys në violonçel dhe Jan Czyżeëski në violë – kanë sjellë dy vepra që shënojnë një kapitull unik të muzikës klasike të Polonisë

Dy vepra madhore të repertorit polak për kuartet harkor kanë prezantuar kulturën polake në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. “Kuartet harqesh nr. 2, op. 42” nga Władysław Żeleński e ka hapur rrëfimin muzikor polaku Żeleński, figurë kyçe në zhvillimin e muzikës polake në fund të shekullit të 19-të, shquhet për aftësinë e tij për të ndërthurur elegancën formale me ndjeshmërinë emocionale. Në pjesën e dytë të koncertit u interpretua “Kuartet harqesh nr.3” i kompozitores Grażyna Bacewicz, që përfaqëson një nga kulmet e muzikës moderne të shekullit të 20-të

Ka qenë jo thjesht mbrëmje muzikore, por edhe festë e bashkëpunimit kulturor midis Kosovës e Polonisë e edhe kremte shtetërore. Koncerti i kuartetit harkor të Filharmonisë së Krakovës në Prishtinë ka ardhur si një ndërthurje e pasur e traditës dhe ekspresionit modern polak. Ansambli muzikor polak ka përfaqësuar finesën e disiplinën e muzikës së dhomës. 

Dy vepra madhore të repertorit polak për kuartet harkor kanë prezantuar kulturën polake në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kuartet harqesh nr. 2, op. 42” nga Władysław Żeleński e ka hapur rrëfimin muzikor. Vepra me katër kohë – “Allegro con brio”, “Intermezzo: Allegro ma non troppo e scherzando”, “Molto contabile” dhe “Allegro molto vivace” –  ka qenë e mbushur me lirizëm, harmoni të ngrohta dhe ndërtim klasik me melodi romantike. Polaku Żeleński, figurë kyçe në zhvillimin e muzikës polake në fund të shekullit të 19-të, shquhet për aftësinë e tij për të ndërthurur elegancën formale me ndjeshmërinë emocionale.
Interpretimi i këtyre veprave është realizuar nga katër muzikantë të shquar polakë: Joanna Konarzewska dhe Zuzanna Frankiewicz në violinë, Martyna Sołtys në violonçel dhe Jan Czyżeëski në violë. Të gjithë janë pjesë e Filharmonisë së Krakovës dhe kanë ndërtuar karriera të dalluara si solistë dhe muzikantë të ansambleve të dhomës. Interpretimet e tyre njihen për precizitet teknik, ndjeshmëri artistike dhe për komunikim të thellë muzikor mes tyre.

Në pjesën e dytë të koncertit u interpretua “Kuartet harqesh nr.3” i kompozitores Grażyna Bacewicz. Siç shkruhet, vepra përfaqëson një nga kulmet e muzikës moderne të shekullit të 20-të. 

Kjo vepër karakterizohet nga ritme dinamike, kontraste të forta dhe për energji të brendshme që reflekton shpirtin krijues të kompozitores. Vepra ka tri kohë – “Allegro”, “Andante” dhe “Vivo”. 
Bacewicz, e njohur si një nga figurat më të rëndësishme të muzikës polake moderne, ishte edhe violiniste virtuoze. Kjo reflekton edhe në mënyrën sesi i trajton instrumentet harkore në veprën e saj.
Violisti Jan Czyżewski ka thënë se kompozitorja është prej njerëzve më të rëndësishëm të kulturës polake. 

“Në të gjithë botën ajo ka luajtur shumë më tepër, veçanërisht duke qenë një kompozitore kaq e madhe. Kështu që ne donim të ndanim me ju disa nga klasikët dhe disa nga pjesët më bashkëkohore. Shpresojmë se ishte e këndshme, ashtu siç dëgjuam nga duartrokitjet e audiencës”, ka thënë ai. 
Ka veçuar veprën e kompozitorit Żeleński, e cila e ka hapur programin e kuartetit. 

“Zgjodhëm disa pjesë polake, para së gjithash, ‘Kuarteti i dytë’ i Władysław Żeleński, i cili bazohet në romantizmin polak. Ai ishte një nga kompozitorët më të rëndësishëm, ndoshta jo aq i njohur, por shumë i rëndësishëm për shkollën polake të muzikës”, ka thënë violisti Jan Czyżewski. 

Ka thënë se akustika ka qenë komplekse në hollin e Bibliotekës. 

“Ishte përvojë e mrekullueshme të interpretojmë këtu, edhe pse akustika nuk është aq e thjeshtë në krahasim me sallat që janë krijuar posaçërisht për muzikë. Ne i mbajmë gishtat e kryqëzuar që Kosova të ketë një sallë koncertesh sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë ai në fund. 

Përtej një koncerti, ngjarja ka qenë edhe përvojë kulturore që lidh dy vendet përmes gjuhës universale të muzikës. Ka qenë si eksplorim i identitetit muzikor polak. 

Për Filharmoninë, koncerti i mbajtur me rastin e Ditës së Kushtetutës së Polonisë e forcon partneritetin artistik, duke lidhur kujtesën historike me bashkëpunimin muzikor ndërmjet dy vendeve. 
Zëvendësuesi i drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se ky koncert pasohet me bashkëpunime të ardhshme midis Kosovës e Polonisë në fushën e muzikës klasike. 

“Përkon edhe me Ditën Nacionale të Polonisë dhe jemi të lumtur që kemi mundësinë të shënojmë ditën e një shteti si Polonia në këtë bashkëpunim ndërkulturor midis dy institucioneve të rëndësishme të të dy vendeve. I njëjti koncert ose praktikë do të vazhdojë gjatë vitit në disa raste të tjera. Në tetor Filharmonia e Kosovës do të ketë një turne në Poloni, pastaj në nëntor Prishtina do të jetë nikoqire e Festivalit të Muzikës Polake në javën e dytë të muajit. Një iniciativë e cila ka nisur dhe është mbështetur në vazhdimësi nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Varshavë”, ka thënë Selimaj. 

I pranishëm ka qenë drejtori i Filharmonisë së Krakovës, Mateusz Prendota. Ai ka thënë se në këtë koncert janë interpretuar vepra të figurave të shquara të muzikës klasike në Poloni. 

“Ne ju sjellim muzikën tonë nga Polonia, kompozitorët tanë Grażyna Baceëicz dhe Władysłaë Żeleński. Żeleński ishte një nga autorët më të mëdhenj të botës së muzikës klasike në Krakovë në shekullin e 19-të. Ai krijoi akademinë, konservatorin e parë. Tani është Akademia e Muzikës e Krzysztof Pendereckit në Krakovë. Ai shkroi disa opera, shumë simfoni dhe shumë muzikë kamertale. Grażyna Bacewicz është një nga kompozitoret më të njohura në Poloni”, ka thënë Prendota. 

Koncerti është pjesë e shkëmbimit artistik ndërmjet dy vendeve. Ai pason performancën e Orkestrës Harkore të Filharmonisë së Kosovës në Varshavë më 26 shkurt si dhe koncertin e Ansamblit Vokal të Filharmonisë së Kosovës në Sallën e Filharmonisë së Krakovit më 30 prill, të cilat shënojnë momente të rëndësishme të kësaj ure kulturore dypalëshe

Koncerti është pjesë e shkëmbimit artistik ndërmjet dy vendeve. Ai pason performancën e Orkestrës Harkore të Filharmonisë së Kosovës në Varshavë më 26 shkurt si dhe koncertin e Ansamblit Vokal të Filharmonisë së Kosovës në Sallën e Filharmonisë së Krakovit më 30 prill, të cilat shënojnë momente të rëndësishme të kësaj ure kulturore dypalëshe.

Ky cikël koncertesh vazhdon më 10 maj me një recital të pianistit të shquar polak Paweł Kowalski. Vazhdimësi e traditës pritet të jetë Festivali i Muzikës Polake në Kosovë, një nismë nën drejtimin artistik të dirigjentit Wojciech Semerau-Siemianowski dhe Filharmonisë së Kosovës, dedikuar thellimit të pranisë së muzikës polake në jetën kulturore të Kosovës. 

Filharmonia e Kosovës do ta vazhdojë këtë shkëmbim përmes një turneu në tetor duke prezantuar tri koncerte në bashkëpunim me Filharmoninë e Krakovës dhe Dębica, si dhe një koncert të katërt në Varshavë. 

Drejtori i Filharmonisë së Krakovës ka thënë se mezi e pret këtë bashkëpunim. 

“Orkestra dhe Kori i Filarmonisë së Kosovës do të performojnë në institucionin tonë me veprën ‘Beatus’ nga Góreckit dhe Oratoriumin e Nënë Terezës gjatë ditëve të Gjon Palit II në Krakovë që ishte një qytet i rëndësishëm për të pasi ai ishte kardinal dhe kryepeshkop i këtij qyteti për shumë vjet”, ka thënë ai. 

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Poloni, Drilon Gashi, ka thënë se me këtë koncert përkrahet muzika klasike në Kosovë. 

“Unë kam bindjen që këtë zhanër duhet ta përkrahim sa më shumë në Kosovë dhe nga Kosova jashtë vendit. Kosova mund të jetë shumë krenare me talentin e madh që e ka në këtë fushë, por ne kemi shumë punë për të bërë për ta zhvilluar më tej muzikën klasike me salla koncertale dhe në ngritjen e kapaciteteve organizative dhe institucionale në përgjithësi. Kjo bën që nesër muzika jonë të jetë e pranishme në Evropë dhe Kosova të jetë aty më e pranishme në kuptimin e kulturës”, ka thënë Gashi derisa ka theksuar rëndësinë e Ditës së Kushtetutës së Polonisë dhe veçantinë e saj.

“Jemi me fat të presim sonte kuartetin e Filharmonisë së Krakovës, sidomos për Ditën e Kushtetutës Polake. Kjo është mbase dita e dytë më e rëndësishme kombëtare polake, prandaj jemi duke festuar kushtetutën polake e cila është kushtetuta e parë bashkëkohore në gjithë Evropën dhe e dyta bashkëkohore në gjithë botën”, ka thënë Gashi më tej. 

Koncerti i kuartetit harkor të Filharmonisë së Krakovës ka tingëlluar si histori më vete midis Prishtinës.