Kulturë

Seminari në hap me habitoren e në habi me shtegtimin e Camajt

Aleksander Rusakov - Seminari i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe

Studiuesi Aleksander Rusakov ka shpjeguar se në aspektin semantik, në korpus dalin gati të gjitha trajtat e habitores, të përshkruara në gramatikën e gjuhës shqipe të Fiedlerit dhe një nga një i ka kallëzuar edhe fjalëpërdorimet në aspektin sasior dhe cilësor për të gjitha kohët dhe diatezat e habitores, duke përfshirë edhe përdorime të mbingarkuara dhe ato që janë në kuptimin e kohës së ardhme

E marta ka sjellë ligjëratën e parë të këtij edicioni, në kuadër të asaj që tradicionalisht njihet si “Ora e Rexhep Ismajlit”, njëri prej anëtarëve themeltarë të institucionit me konceptin më të fortë të ndërkombëtarizimit të albanologjisë. Salla e kuqe, që mban emrin “Idriz Ajeti” në objektin e Fakultetit të Filologjisë, ka mbledhur për këtë ligjëratë të interesuarit për gjuhën shqipe, teksa albanologu rus, Aleksander Rusakov, që në seminar kishte marrë pjesë si student për herë të parë në edicionin e vitit 1978, ka shpalosur studimin e tij me titull “Mënyra habitore në pasqyrën e korpusit elektronik të shqipes”

Të hënën ka nisur punimet Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili qysh prej themelimit është qendër për albanologët e huaj dhe vendtakim i seminaristëve të përhershëm. Siç ngjan tash e disa dekada, mbi 100 studiues të albanologjisë e studentë që duan ta mësojnë gjuhën shqipe janë tubuar për edicionin e 43-të të tij. Kurset e gjuhës për studentët e huaj kanë filluar të mbahen prej ditës së parë e gjatë ditëve në vazhdim, sikurse në çdo edicion, do të mbahen rregullisht dy herë në ditë në tri nivele. E marta ka sjellë ligjëratën e parë të këtij edicioni, në kuadër të asaj që tradicionalisht njihet si “Ora e Rexhep Ismajlit”, njëri prej anëtarëve themeltarë të institucionit me konceptin më të fortë të ndërkombëtarizimit të albanologjisë.

Salla e kuqe, që mban emrin “Idriz Ajeti” në objektin e Fakultetit të Filologjisë, ka mbledhur për këtë ligjëratë të interesuarit për gjuhën shqipe, teksa albanologu rus, Aleksander Rusakov, që në seminar kishte marrë pjesë si student për herë të parë në edicionin e vitit 1978, ka shpalosur studimin e tij me titull “Mënyra habitore në pasqyrën e korpusit elektronik të shqipes”. “Korpusi Kombëtar i Shqipes” është një platformë digjitale që ai ka krijuar bashkë me Maria Morozovën në Universitetin e Shën Petersburgut dhe përfshin leksema të anotuara të gjuhës së shkruar shqipe, kryesisht materiale prej mediave, letërsisë dhe punimeve shkencore në gjuhën standarde dhe në dialekte, përfshirë prozë dhe poezi.

“Ora e Rexhep Ismajlit”

Në seancën e drejtuar nga Aljula Jubani është folur në fillim për Rexhep Ismajlin, emrin e të cilit e mban “ora” kushtuar atij. Edhe profesori që është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ishte i pranishëm në këtë ligjëratë, duke i dhënë një tjetër rëndësi kësaj ore simbolike.

“Kjo ligjëratë ka një simbolikë shumë të rëndësishme për studimet albanologjike, studimet e gjuhësisë në mënyrë të veçantë, duke mbajtur emrin e profesor Rexhep Ismajlit, me të cilin krenohemi në Shqipëri dhe në Kosovë, edhe jo vetëm se profesori është këtu, por është falë kontributit të jashtëzakonshëm që profesor Ismajli ka në të gjitha fushat e gjuhësisë”, ka thënë Jubani para se ta prezantojë albanologun Rusakov.

Jehona e tingujve të njëtrajtshëm të pikave që mbushnin kovën poshtë kondicionerit brenda sallës së kuqe rrallë arrinte ta mbyste zërin monoton të Rusakovit, i cili fliste rrjedhshëm në shqip teksa e prezantonte punën e tij. Fillimisht u ndal edhe ai te simbolika e orës, teksa kujtoi kohën kur kishte qenë student i Ismajlit.

“Kënaqësi dhe nder i posaçëm për mua është të flas në ‘Orën e Rexhep Ismajlit’, ky moment është shumë i rëndësishëm. 47 vjet më parë mora pjesë për herë të parë në punimet e Seminarit për gjuhën letërsinë dhe kulturën shqiptare për të huaj që quhej ato vite, atëherë isha student dhe nuk dija pothuajse asgjë për gjuhën shqipe dhe mësuesi im i parë në këtë seminar ishte Rexhep Ismajli. Që atëherë unë u impresionova thellë me dijet e tij të mëdha, intelektin e mprehtë dhe cilësitë e tij të jashtëzakonshme njerëzore”, ka kujtuar studiuesi i albanologjisë, Rusakov.

Admirativi i pasqyruar në korpusin e gjuhës shqipe

Për korpusin që e kanë krijuar, ka shpjeguar se përbëhet prej dhjetëra miliona fjalëpërdorimëshe, prej të cilave ka kulluar afro 5 mijë forma të habitores dhe i ka krahasuar me numrin relativisht më të vogël të dëshirores në këtë korpus.

“Pjesa më e madhe e korpusit përbëhet nga tekstet e shtypit nga Shqipëria, Kosova dhe nga Maqedonia e Veriut. Mund të shohim se në korpus, që përbëhet nga 81 milionë fjalëpërdorime, janë 4 mijë e 800 forma të admirativit dhe mund të shihni se në korpus janë përfaqësuar pothuajse të gjitha format e saj që është e mundur. Këto përshkruhen në gramatika të gjuhës shqipe që nga koha e Kristoforidhit dhe Sami Frashërit, shohim gjithashtu se kjo është një gjë e natyrshme dhe sasia e formave të ndryshme të admirativit dallohet shumë nga ana sasiore”, ka thënë Aleksander Rusakov.

Ai ka nxjerrë se prej të gjitha foljeve në habitore, korpusi është i pasur me 520 forma të foljes “kam”, të tipit “paskam” dhe 1.100 forma të foljes “jam”, të tipit “qenkam”. Foljet e tjera përbëjnë 557 raste të përdorimeve, duke prirë folja “dua” me 99 fjalëpërdorime. Kjo nuk vjen si rastësi, duke qenë se prej 18 milionë përdorimeve të formave foljore në korpus, folja “jam” dhe “kam” përbëjnë gati 1 milion përdorime bashkë.

“Mund të supozojmë se për foljen ‘jam’, situata mund të shpjegohet në mënyrë semantike. Admirativi shpreh zakonisht habinë ose emocionet e tjera të lidhura me ndonjë situatë, në përshkrimin e së cilës merr pjesë kjo folje. Ndoshta qëndron në faktin se format e individualizuara të admirativit të foljeve ndihmëse ‘paska’, ‘qenka’ e të tjera perceptohen si një lloj treguesish të pasaktë të admirativit”, ka thënë ai.

Ka shpjeguar se në aspektin semantik, në korpus dalin gati të gjitha trajtat e habitores, të përshkruara në gramatikën e gjuhës shqipe të Fiedlerit dhe një nga një i ka kallëzuar edhe fjalëpërdorimet në aspektin sasior dhe cilësor për të gjitha kohët dhe diatezat e habitores, duke përfshirë edhe përdorime të mbingarkuara dhe ato që janë në kuptimin e kohës së ardhme. Ka dalluar korpusin e Mitrush Kutelit, për të cilin ka thënë se ka pasur një pasuri të gjerë formash të habitores, ndoshta për shkak të natyrës së shkrimeve të tij, meqë është marrë më shumë me shkrime folklorike dhe narrativa të gjuhës së folur.

Tryeza kushtuar 100-vjetorit të lindjes së tij ka sjellë punime shkencore të aspekteve të ndryshme të jetës dhe kontributit të tij në gjuhë e në letërsi shqipe. Drejtuar nga Viola Isufaj dhe Zuzana Finger, e para që ka shpalosur kumtesën e saj për këtë temë ka qenë Aljula Jubani, e cila më shumë është ndalur te jeta e tij dhe trajtimi i dosjes së ish-Sigurimit të Shtetit qysh prej dëbimit nga Shqipëria deri te zhvillimi i aktivitetit në diasporë
 

Martin Camaj dhe krijimtaria e tij duke bredhur rrugëve të botës

Pas ligjëratës me albanologun Rusakov, salla e kuqe ka qenë nikoqire e ndritjes së mendjes për Martin Camajn. Tryeza kushtuar 100-vjetorit të lindjes së tij ka sjellë punime shkencore të aspekteve të ndryshme të jetës dhe kontributit të tij në gjuhë e në letërsi shqipe. Drejtuar nga Viola Isufaj dhe Zuzana Finger, e para që ka shpalosur kumtesën e saj për këtë temë ka qenë Aljula Jubani, e cila më shumë është ndalur te jeta e tij dhe trajtimi i dosjes së ish-Sigurimit të Shtetit qysh prej dëbimit nga Shqipëria deri te zhvillimi i aktivitetit në diasporë.

Kumtesa e saj me titull “Nga dokumenti në dëshmi: Qasje kritike mbi dosjen e ish-Sigurimit për Martin Camajn” ka hedhur dritë mbi vërtetësinë e dosjes së Camajt. Qëllimi i kumtesës ka qenë verifikimi i origjinalitetit të disa dokumenteve, përmes analizës stilistike dhe grafologjike. Si një intelektual në mërgim, për dosjet e tij është arritur në përfundim se ekzistojnë dyshime serioze mbi vërtetësinë e zhurmës së regjimit të atëhershëm.

“Formulari në analizën që kemi bërë vërteton që nuk është shkruar nga Camaj, është i plotësuar në vetë të tretë dhe sigurisht Camaj po ta kishte shkruar për veten e tij, do ta kishte shkruar në vetën e parë. Pastaj analiza e shkrimit, janë të gjitha shkronjat që janë shkruar në mënyrë krejt të ndryshme. Dallimet në mënyrën se si i shkruan emrin dhe mbiemrin tregojnë autenticitetin e nënshkrimit”, ka thënë ajo.

Në një aspekt më të thellë letrar është fokusuar studiuesi e profesori Anton Berishaj me kumtesën “Format e metafiksionit te proza e Martin Camajt”. Te Camaj, sipas tij, shfaqet metafiksioni në trajtë diegjetike dhe linguistike, si i vetëdijshëm për proceset narrative vetjake dhe për kufizimet e për fuqinë e gjuhës së tij.

Ledio Hala, studiues dhe pedagog në universitetin “Ludwig-Maximilians” të Munihut, ka sjellë kumtesën mbi strategjitë e Camajt për të ardhmen e albanologjisë, përmes dokumenteve në dosjen e tij në atë universitet, ku ka qenë i vetmi ligjërues i shqipes që shqipen e ka pasur gjuhë amtare. Atje edhe e ka krijuar Katedrën e Albanologjisë që ekziston ende sot, duke marrë mbështetjen e pakusht të universitetit për studime albanologjike. Kjo ka treguar edhe mjedisin shkencor gjerman të asaj kohe, që nuk ka qenë aq i hapur dhe ndërkombëtar sa është sot.

“Në dosjen universitare të Camajt vërehet se si struktura universitare, duke filluar që nga departamenti, dekanati, rektorati, më pas ministria kanë insistuar plot pesë vjet që Camaj ta fitonte shtetësinë gjermane dhe më 17 shkurt 1970 Camajt i akordohet shtetësia gjermane, dhe meritat më të mëdha në pjesën më të madhe të letërkëmbimeve duket se i takojnë Georg Stadtmullerit, ai ka insistuar shumë që Camaj të marrë shtetësinë. Pastaj emërohet docent i përhershëm me kohë të plotë dhe një vit më pas bëhet profesor jashtë planit dhe më 1978 bëhet profesor ordinar”, ka thënë Hala.

Kumtesën me titull “Eshtna ndër eshtna ndër shtresa petkash të leshta” e ka prezantuar Viola Isufaj, e cila ka folur për gjenezën dhe parimet krijuese të Martin Camajt, duke analizuar shenjat e disa prej poezive të tij më enigmatike. Zuzana Finger ka kumtuar temën “Gurët, kockat, deti”, duke vënë në pah historinë e pranimit të veprave letrare të Camajt në gjermanishte, ndërkaq Zahrije Kapllanaj ka prezantuar kumtesën “Poezia e Martin Camajt” duke përshkruar rrugëtimin analitik të fazave dhe trajtave poetike të tij.

Gjatë këtyre dy javëve, krahas kurseve të gjuhës shqipe për pjesëmarrësit e ardhur nga vendet e ndryshme të botës, do të zhvillohen edhe 10 ligjërata nga albanologë të shquar vendorë dhe të jashtëm, dhjetëra referime shkencore nga fusha të ndryshme të albanologjisë, si dhe 50 kumtesa shkencore në kuadër të temave bosht të këtij seminari.