Futboll

FIFA megjithatë jep leje, Kante te Fenerbahçe me ndërhyrjen e Erdoganit

N’Golo Kante

Pas dy vjet e gjysmë, ylli i Francës, N’Golo Kante, largohet nga Arabia Saudite dhe e vazhdon karrierën në Turqi.

Fenerbahçe ka punuar për shumë kohë që ta transferojë kampionin e botës, por të martën pasdite marrëveshja dukej që do të dështonte në minutën e fundit.

Në një komunikatë, gjiganti nga Stambolli ka shpjeguar se klubi i kaluar i mesfushorit të dashur nga të gjithë, Al-Ittihad, ka bërë gabime në sistemin e FIFA-s për transferime. Dhe kështu shkëmbimi i synuar, Kante te Fenerbahçe dhe Youssef En-Nesyri tek Al-Ittihadi, nuk ka mundur të kompletohet brenda afatit.

Por gjërat ndryshuan ndërkohë. Në orët e vona të së martës Al-Ittihadi ka njoftuar për largimin e Kantes dhe ka prezantuar En-Nesyrin si lojtar të ri. Nuk ka prezantuar më shumë arsye.

Sipas raporteve të mediave, FIFA ka intervenuar dhe e ka bërë të mundur transferimin. Ndërkohë Fenerbahçe ka njoftuar se edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka ndihmuar në realizimin e transferimit të Kantes.

“Të heqim dorë nuk është opsion për ne”, ka shkruar fillimisht Fenerbahçe.

Klubi turk zyrtarisht ka prezantuar transferimin e Kantes në orët e para të së mërkurës.

“Disa gjëra marrin kohë”, shkruan në një postim tjetër të Fenerbahçes.

Ndërkohë është publikuar edhe një letër falënderimi ndaj presidentit të Turqisë, Erdogan.

“Klubi ynë ka përfunduar me sukses transferimin e N’Golo Kante, një figurë e shquar në futbollin botëror. Në emrin tim dhe të klubit tonë, dua të shpreh mirënjohje ndaj presidentit tonë, Recep Tayyip Erdogan, për mbështetjen e tij të konsiderueshme në sigurimin e përfundimit pozitiv të këtij procesi, i cili do të kontribuojë në zhvillimin si të Fenerbahçes ashtu edhe të futbollit turk. Gjatë këtij procesi, besimi i palëkundur në klub, mbështetja e fortë e treguar dhe besimi që ndihem nga tifozët e mëdhenj të Fenerbahçes, kanë qenë burimi ynë më i madh i motivimit dhe forcës”, shkruan në letrën publike të presidenti të Fenerbahçes, Sadettin Saran.

34-vjeçari Kante ka firmosur me Fenerbahçen kontratë të vlefshme deri në vitin 2028.

Për të dy lojtarët ka tarifa të transferimit. Nga shitja e Kantes, Al-Ittihadi përfitoi rreth katër milionë euro. Ndërkohë për En-Nesyrin, klubi nga Stambolli mori 15 milionë euro. En-Nesyri ka firmosur për katër vjet me klubin arab.

Me angazhimin e Kantes, që fitoi Ligën e Kampionëve në vitin 2021, klubi i Superligës turke ka fituar më shumë përvojë në qendër të mesfushës. Fenerbahçe është në luftë për titull të kampionit, ndërsa ka tri pikë më pak se Galatasaray në kreun e tabelës.

Al-Ittihadi ka insistuar që sulmuesi maroken, En-Nesyri, të jetë pjesë e marrëveshjes për kalimin e Kantes në Turqi. Pas largimit të Karim Benzemas për tek Al-Hilali, En-Nesyri do të jetë zëvendësues i tij.

Kante e Benzema e fituan së bashku titullin e kampionit në Arabi Saudite, por tashmë janë larguar.

N’Golo Kante është prej futbollistëve më të dashur e më të pëlqyer në botë. Qasja e tij shumë modeste e ka bërë shumë të dashur për të gjithë. Por po ashtu është futbollist shumë cilësor. Për Francën i ka luajtur 65 ndeshje dhe ka realizuar dy gola. Para se të transferohej në Arabi Saudite në vitin 2023, Kante luajti për Chelsean, Leicester Cityn dhe disa skuadra franceze. Kante ka prejardhje nga Mali.