Kulturë

"Señorita" e "Stitches" ngrenë publikun në "Sunny Hill" në këndim njëzëri

Shawn Mendes

Performanca e Shawn Mendes po vazhdon, derisa e tërë turma ka qenë në pritje të kësaj performance për natën e dytë të "Sunny Hillit". Publiku duket ta shijojë në maksimum, duke qenë se vazhdimisht po këndon bashkë me të.

Mes këngësh, ai ka treguar motivin e veçantë të njërës prej këngëve të tij.

"Këtë këngë e kam shkruar kur shoku im i fëmijërisë ka vdekur, kështu që nëse keni dikë që doni ta kujtoni me këtë këngë, bashkohuni ta këndojmë së bashku", ka thënë ai para se të nisë ta këndojë këngën "Heart of Gold".

Pastaj e ka kënduar këngën e njohur, "Señorita", me të cilën publiku ka treguar maksimumin e energjisë. Me brohoritje të pafundme është përcjellë kënga dhe brohoritjet kanë vazhduar edhe pas përfundimit të saj.

Edhe me "Stitches" ka vazhduar i njëjti avaz i ngazëllimit të publikut. Teksti i këngës duket të jetë mjaft i njohur për audiencën e "Sunny Hillit", ngase bashkë me të kanë kënduar të gjithë njëzëri.

Mendes është artisti i fundit në skenën kryesore të festivalit, ndërkaq festa do të vazhdojë në skenën "C4" deri në orët e mëngjesit. Mochakk është emri kryesor në atë skenë.


Nis me fishekzjarrë performanca e yllit Shawn Mendes

Kryefjala e natës së dytë, Shawn Mendes, e ka nisur fuqishëm performancën e tij, teksa publiku është rrëmbyer bashkë me të.

Me fishekzjarre ka nisur interpretimi i tij, teksa në një ekran të madh vertikal sipër skenës kryesore është shfaqur për së afërmi performanca e tij.

Këngëtari kanadez Shawn Mendes, i njohur për hitet  "Stitches", "Treat You Better" dhe "Senorita", më 2013 kishte filluar të postojë në rrjete sociale versionet e tij të këngëve të njohura të asaj kohe. Prej atëherë deri tani, ai i ka publikuar pesë albume këngësh dhe është njëri prej emrave më të njohur të industrisë së muzikës pop.

Albumet dhe këngët e tij janë ranguar në top listat e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe dhjetëra shteteve të tjera. Më 2018, revista "Time" e kishte përfshirë në listën e saj me 100 personat më me ndikim në botë.

Me ta performuar këngën "Treat You Better", e gjithë audienca ka kënduar me ngazëllim.

"Faleminderit që na keni ftuar. Është shumë bukur të jemi këtu për herë të parë", ka thënë ai dhe publiku ka shpërthyer në duartrokitje e brohoritje.

"Si po ndiheni ju? Është hera ime e parë këtu, dhe sapo kam ardhur e kam parë nivelin e mirësisë dhe zemërgjerësisë këtu. Dua, faleminderit për gjithçka, faleminderit që na ke sjellë këtu", ka thënë ai në periodën mes këngësh, për ta nisur këngën thotë se e ka të preferuar: "It'll be okay".

Në Prishtinë ai ndodhet për herë të parë si pjesë e festivalit "Sunny Hill".
 

Lexo përditësimet tjera
DJ Mochakk

Nata e dytë e “Sunny Hillit” kulmon me elektrizimin nga DJ Mochakk

Pas "Sugar Rush", skenën "C4" e ka rrëmbyer DJ dhe producenti brazilian Mochakk. Me ritme house...