Si figurë e shquar e mbledhjes dhe studimit të folklorit, bartës i njohurive të tij ndër breza, është kujtuar Shefqet Pllana të mërkurën në tryezën shkencore në 30-vjetorin e vdekjes së tij. Për më tepër, shumë thesare të çmuara që kanë vulën e tij ende mbesin të pastudiuara e të padokumentuara sa duhet, e krejt veprimtaria e Pllanës, sipas studiuesve, mund të shërbejë një kapitull të ri të folkloristikës duke marrë për bazë krijimtarinë që ai e ka lënë trashëgim
Emri i tij zë vend në radhët e intelektualëve e kontributi i tij në studimet albanologjike është shtyllë veçmas në folkloristikë. I shkolluar në Katedrën e Albanologjisë në Universitetin e Beogradit, Shefqet Pllana kishte ligjëruar lëndën e letërsisë popullore në Degën e Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës për më shumë se 20 vjet, deri në dëbimin nga puna nga autoritetet serbe.
Pikërisht në 30-vjetorin e vdekjes së tij, veprimtaria e Pllanës është shënuar me tryezë shkencore, të mërkurën, në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Tryeza ka nisur me shpalosjen e profilit shkencor të Pllanës nga Leontina Gega-Musa, punonjëse shkencore në IAP. Ka sjellë pasqyrë të kontekstit të filleve të përpjekjeve për ta institucionalizuar fushën e studimeve folkloristike dhe rolin e Pllanës në këtë hap.
“Elokuenca e tij gjatë ligjërimit të materies që e njihte dhe aftësia që ta ilustronte dhe konkretizonte, si në rastin kur ai e përshkruante lajmërimin që bëri Lekë Dukagjini për vdekjen e Skënderbeut, duke improvizuar me klithmat e gërvishtjet e fytyrës, mu ashtu siç bëhej rituali i gjamës së burrave”, ka thënë Gega-Musa .
Nisur nga këto detaje, ajo ka thënë se ishte normale që studentët e tij ta memorizonin çdo ligjëratë të tijën.
Përmes pjesëmarrjes së rregullt të Pllanës në simpoziume dhe kongrese në rajon e më gjerë, ai kishte arritur që studimet e tij për folklorin shqiptar t’i bënte të njohura në shumë vende.
Ndër temat e para që ai kishte trajtuar gjatë veprimtarisë shkencore janë këngët e motmotit, që fillojnë nga festa e Buzmit e deri te Shëmitri. Në tryezë u potencua vazhdimisht roli i tij në mbledhjen e folklorit, derisa u prezantua dhe puna e tij që kishte bërë gjatë gjurmimeve në lokalitete të ndryshme të Kosovës, duke filluar nga lirika poetike e cila pasqyron një pasuri shprehjesh të popullit shqiptar, që sipas punës së Pllanës kuptohet se i është kushtuar rëndësi prej këngëve martesore e deri te këngët gjatë procesit të punës. Gjatë studimit të lirikës popullore, është theksuar se Pllana një vështrim të thellë u kishte bërë dhe vajtimit të grave dhe gjamës së burrave, si prototipa të krijimeve të hershme folklorike, nëpërmjet të të cilave gjenerohet edhe materiali etnografik. Por, me gjithë karakterin kompleks që lirika popullore shqipe ka, sipas studimeve të Pllanës, një lloj i saji merr epitetin e më të zhvilluarës.
“Për profesorin Pllana, lloji më i zhvilluar i lirikës popullore janë këngët e dashurisë, qoftë për nga numri, por edhe nga llojllojshmëria dhe pasurimi me motive. Këto këngë shpesh duket se pavarësisht tonit dhe natyrës serioze shpesh gërshetohen dhe me ndjenja tragjike, por nuk mungon as humori e satira”, ka shtuar Gega-Musa.
Pika e dytë e tryezës qe si një kthesë, e cila theksin e vendosi te konkretizimi i veprimtarisë së Shefqet Pllanës, i lindur më 1930.
Liburn Jupolli, profesor dhe njohës i muzikës, ka shqyrtuar digjitalizimin e regjistrimeve audio në studimet folklorike, duke përdorur punën e Shefqet Pllanës si rast studimi. Nëpërmjet një analize të mundësive dokumentuese të materialeve audio analoge të Pllanës dhe aplikimit të saj në materialin muzikor të panjohur më parë, u përmend vazhdimisht se njohja dhe kuptimi i traditës muzikore në Kosovë është qenësore.
Qasja e Jupollit në këtë tryezë erdhi dhe si një thirrje sensibilizuese, por njëkohësisht edhe si një lloj draft-dokumenti udhëzues për mënyrat se si do të duhej të punohej së bashku si komunitet hulumtues dhe institucione drejt ruajtjes së materialeve audio në shirit. “Shpeshherë themi se është çështja te profesionistët, por sot në vitin 2024 kemi jo vetëm shkollë të audio-inxhinierisë, në bachelor dhe master, por kemi dhe njerëz të diplomuar, profesionistë dhe një plejadë të tërë të gjeneratave që dy dekada që njohin mirë pajisjet teknologjike. Pra, kapacitetet njerëzore janë, tash është radha të krijohet një politikë dhe një qasje e re më gjithëpërfshirëse dhe inklusive në dokumentim, ku aspekt kryesor i kësaj iniciative duhet të jetë digjitalizimi i materialeve”, ka thënë Jupolli. Materialeve të mbledhura nga Shefqet Pllana u është referuar si hap i parë për digjitalizim.
Gjatë diskutimit u prek edhe nevoja e librarive të folklorit dhe etnosit dhe sigurimi i qasjes në to, pasi që bashkë me neglizhencën e vonesën, kjo pasuri rrezikohet të humbet.
“Këtu po flasim për një pjesë të trashëgimisë tonë që nuk ka pasur asnjë formë tjetër të dokumentimit. Në rastin e fenomeneve më bashkëkohore, prapëseprapë burimet e materialit mund të gjinden disi, por një incizim si ai i Sali Ferizit i cili është vetëm në shiritin magnetik, i incizuar në vitin 1960 nga profesori është ekzemplar i artë dhe i vetëm, të cilin jo vetëm se duhet ta ruajmë, duhet ta digjitalizojmë, por edhe ta ekspozojmë si pjesë të zhvillimit tonë teknologjik”, ka thënë Jupolli.
Ka shtuar se vetë procesi i punës gjatë dokumentimit dhe regjistrimit të këtyre materialeve nga Shefqet Pllana përbën një mundësi studimi e cila do të hidhte dritë në praktikat e dijebërjes në Kosovën e shekullit XX.
Pjesë e panelit ka qenë dhe Vlorë Fetaj-Berisha, punonjëse shkencore në IAP, e cila në tryezë ka shpalosur kontributin e Pllanës në studimet mbi vajtimet shqiptare në Kosovë.
“Gjithnjë analizën në bazë të materialeve ai e ka fokusuar në katër lloje të vajtimeve shqiptare në Kosovë: gjamën e burrave, vajtimet e grave, vajtimet si këngë elegjiake dhe vajtimet në përbërje epike”, ka thënë Fetaj-Berisha, e cila njëherësh ka qenë studente e Shefqet Pllanës.
Në tryezë përmendja e kontributit të tij qe e vazhdueshme. Muzikologia Kristina Përkola ka potencuar vlerat historike të kontributit dhe veprimtarisë së Shefqet Pllanës në fushën e folkloristikës, duke e shtruar atë dhe në rrafshin e etnomuzikologjisë. Audioincizimet e realizuara nga Pllana gjatë hulumtimeve të tij ajo i konsideroi si resurse për fushën.
E, për rolin e Pllanës edhe si redaktor e autor të revistave të hershme shkencore në Kosovë ka folur Arbnora Dushi, udhëheqëse e Degës së Folklorit në IAP. Ka përmendur angazhimet e para të Pllanës në vitin 1962 si ndër redaktorët e parë të revistës shkencore “Gjurmime albanologjike”.
Në fund të prezantimeve, gjatë diskutimit i cili u trajtua si i hapur, u potencua vazhdimisht nevoja emergjente që të trajtohet me seriozitet dhe në mënyrë profesionale puna e Pllanës në folkloristikë, gjegjësisht materialet e tij audio. Iu bë thirrje dhe institucioneve që tash e sa vjet si shkas i neglizhencës dhe hendeqeve administrative kanë bërë që shumë materiale të tilla të jenë peng i kohës, duke mos u mundësuar as një databazë adekuate e ruajtjes së tyre.