Erën e furrës së bukës në Mitrovicën e viteve të “50 e kishte të thadruar thellë në kujtesë. Njësoj edhe tingujt e veçantitë e jetës shqiptare në shekullin e kaluar, larg maktheve që solli shekulli i ri dhe teknologjia depersonalizuese.
Për dhuntinë e tij si aktor dikush e cilësoi edhe si Chaplini ynë. Megjithëse nuk ka lënë një autobiografi të shkruar si ylli anglez, në dhjetëra intervista e rrëfime zemre, Adem Mikullovci do të sillte sharmin e një jete me plot ngjarje që nisi në një familje qytetëse të Vushtrrisë në fund të viteve ‘30.
Edhe si 80-vjeçar, kujtesa e tij ishte plot episode mnemonike për fëmijërinë që ruante ëmbëlsinë e saj me gjithfarë ngjarjesh. “Është si një oqean”, niste rrëfimin e tij kur cepat e buzëve harkoheshin lehtë për t’i dhënë çehres së tij vramuze një buzëqeshje. “Linda në një dhomë ku ka lindur gjyshi e pastaj edhe babai”.
Por, Vushtrria e fëmijërisë së tij tretej si e papërfillshme, për shkak se familja Mikullovci qysh herët do të shpërngulej në Mitrovicë, qyteti buzë Ibrit që po gjallërohej nga industria xehetarë, shkruan KOHA.
“Erdha në këtë botë në një varfëri teknike ku nuk dinim se çfarë është telefoni e makina. Po e lë këtë botë në një rrëmujë teknike me aq aparatura, internet e gjithfarë dreqnie sa nuk e di nëse është më i mirë fillimi apo mbarimi im”, shpaloste Mikullovci ecejaket e tij jetësore në intervistën dhënë për “oralhistorykosovo” më 16 maj 2018.
Një udhëtim sfidues i shtrirë në tetë dekada jetë, me prapavijat historike ku Kosovës shpesh i murrëtehej qielli, nuk e kishte gjunjëzuar. Për të rruga e lënë pas ishte gjithë gropa, hendeqe, baltovinë me breshër e shi dhe vetëm aty-këtu “ndonjë lule e dobët që plandosej për tokë edhe nga shiu më i lehtë”.
I drejtpërdrejtë
“Ndalem dhe shikohem në pasqyrë drejt në sy, dhe nuk di a me puth veten a me pshty”, ishin vargjet e Azem Shkrelit që i vinin të parat në mendje.
Me një deklamim të ftohtë e pa patetizëm, për pak çaste edhe foltorja e Kuvendit të Kosovës nuk do të ngjante si objekt burokrat. Aty buçitën ca vargje poetike kur në gusht të vitit 2017 ai drejtoi seancën e parë të legjislaturës së re.
12 mijë e 641 njerëz anekënd Kosovës kishin votuar për Mikullovcin që të ishte një nga 120 të zgjedhurit e popullit.