Kulturë

Shpresa dhe shkrepësja si letërsi dokumentare e luftës

Mbrëmjen e së enjtes, shkrimtari Ag Apolloni ka nënshkruar për lexuesit ekzeamplarë të romanit të tij më të ri “Një fije shprese, një fije shkrepëse”

Pashka dhe Ferdonija. Dy nëna, dy dhimbje të së njëjtës tragjedi. Ato kishin mbetur si titrat në fund të një filmi që ishte kryer në fund të shekullit të kaluar. Njëra ndali hapin përgjithmonë në një livadh midis varreve dhe shtëpisë. Tjetra rri në shtëpi dhe pret qe njëzet vjet.

Historia e luftës me pasojat e saj që vazhdojnë në paqe përbën kurrizin e romanit më të ri të shkrimtarit Ag Apolloni “Një fije shprese, një fije shkrepëse”.

Në vend të promovimit, pasditen e së enjtes, autori ka zgjedhur dhënien e nënshkrimeve për lexuesit në librarinë “Dukagjini” në kryeqytet.

Distanca kohore prej dy dekadash nga e përgjakshmja luftë e fundit në Kosovë kishte qenë një nga ngacmimet e Apollonit për t’iu rrekur në një mënyrë tjetër historisë së luftës me pafund rrëfimet e saj.

Si dokuroman që nuk rrëshqet në fiksion, “Një fije shprese, një fije shkrepëse” qysh në titull vjen si një tribut për dy gra që shpalosin tragjedinë e luftës së fundit.

Gjysma e parë e titullit që evokon shpresën ka si bosht historinë e nënës nga Gjakova, Ferdonije Qerkezi, që humbi gjatë luftës katër djemtë dhe bashkëshortin. Me shpresë e pritje i shtyn ditët qe njëzet vjet se mos do të mësojë për fatin e më të shtrenjtëve të saj.

“Ditët ndërrohen dhe përsëriten, vetëm e shtuna mbetet e njëjtë. Ajo nuk kalon. Ka njëzet vjet që është ndalur. Ju mund të shkoni edhe në ditë pune te shtëpia e Ferdonijes, por, sapo të hyni brenda, jeni në të shtunën e saj. Një ditë e saj është më e forte se çdo ditë e juaja. Ajo i gëlltit ditët e tjera, i transformon në një të shtunë të zezë”.

E gjysma tjetër e titullit që evokon një fije shkrepëse ngrihet mbi tragjizmin e nënës tjetër gjakovare, Pashke Markaj, që ia vuri flakën vetes kur më 24 maj 2003 iu kthyen trupat e pajetë të dy djemve të saj, Gjovalini dhe Milani.

“Pashka e dogji veten dhe e dogji vdekjen. Guri gjigand, i vënë për kujtim të saj në vendin e ngjarjes, do të thërrmohet një ditë, do të harrohet një ditë. Por vepra e saj do të jetojë sa të ketë qiell indiferent sipër. E, sa të kujtohet ajo, do të kujtohen edhe dy bijtë e saj. Ajo u fut në zjarr për t’i nxjerrë ata nga harrimi”, shkruhet në një nga faqet e romanit.

“Secila prej këtyre dy nënave përfaqëson tragjedinë e luftës së fundit”, ka thënë Apolloni për KOHËN. Për të, romani i sapobotuar është një kronikë e luftës dhe e paqes në Kosovë.

Madje personazheve të shumtë i është shtuar edhe një tjetër që nuk jeton më. Është fjala për shkrimtarin hebre Elie Wiesel. Por Apolloni nuk i ka ikur historicitetit të letrarit që e përkrahu kauzën e shqiptarëve në luftën e fundit dhe foli hapur kundër dhunës e mizorive serbe.

“Wiesel përfaqëson pjesën humanitare të ndërhyrjes së NATO-s, pasi shkrimet e tij janë përdorur si argument justifikues”, ka thënë Apolloni teksa ka bërë të ditur se ka shfrytëzuar ndër arkiva intervista, shkrime e letra të tij për Kosovën.

Vetë autori e kishte pasur të qartë se natyra dokumentare e romanit nuk kishte vend për fiksion, ndaj gjithçka duhej të shtjellohej nëpërmjet fakteve të siguruara ndër arkiva.

“Ato vepra për luftën që dolën menjëherë pas luftës janë të nivelit të gazetarisë”, ka thënë Apolloni teksa ka shtuar se për një histori të luftës është e nevojshme një distancë kohore prej së paku dy dekadash.

Romani, ndër të tjera, përfshin një vizitë të tre shokëve, njëri prej të cilëve, Apolloni, në shtëpinë e nënës Ferdonije. Në funksion të plotësimit të mozaikut të tragjedisë shqiptare janë përfshirë edhe përvojat personale të tre shokëve në raport me luftën.

Linjave të rrëfimit u shtohen edhe faqe të tëra që flasin për dhunën e Serbisë, për dëbimet dhe djegiet, spastrimet, ndërhyrjen e NATO-s, të pagjeturit e për peshën e pritjes dhe rëndësinë e shpresës.

Romani “Një fije shprese, një fije shkrepëse” është botuar nga shtëpia botuese “Bard Books”.