“A Place in the Sun” është titulli i veprës në Pavijonin e Shqipërisë në edicionin e 61-t të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Realizuar nga artisti Genti Korini, kuruar nga Małgorzata Ludwisiak, “A place...” është një teatër fiktiv që eksploron tensionin midis realitetit dhe fiksionit. Në inaugurimin e Pavijonit, të premten, në fjalën e tij, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja, ka theksuar se pjesëmarrja e Shqipërisë në Bienalen e Venecias përfaqëson një moment me peshë strategjike për afirmimin e identitetit kulturor të vendit në skenën ndërkombëtare. Ka vënë në dukje se Pavijoni Kombëtar është një hapësirë ku Shqipëria artikulon mënyrën se si e kupton veten dhe si dëshiron të dialogojë me botën përmes artit bashkëkohor dhe mendimit kritik.
Duke iu referuar veprës së Genti Korinit, ministri Gonxhja ka theksuar se “A Place in the Sun” sfidon kufijtë e komunikimit dhe perceptimit, duke e kthyer pavijonin në një hapësirë ku gjuha, historia dhe imagjinata bashkëjetojnë në mënyrë eksperimentale dhe reflektuese.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoArtisti Genti Korini ka thënë projekti i tij synon të hapë një hapësirë ku identiteti nuk paraqitet si një formë e mbyllur, por si një proces në vazhdim.
Sipas Korinit, përdorimi i gjuhës eksperimentale Zaum dhe strukturës së një “teatri fiktiv” e zhvendos shikuesin në një territor ku kuptimi nuk është i dhënë, por krijohet vazhdimisht përmes përplasjes së imazheve, tingujve dhe narrativave të fragmentuara.
“Shqipëria në këtë vepër nuk shfaqet si një imazh i fiksuar, por si një hapësirë e hapur interpretimi, e ndërtuar mbi projeksione historike dhe bashkëkohore”, citohet të ketë thënë ai.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës së ministrit Gonxhja iu kushtua rolit të artit si forcë transformuese në shoqëri. Ai u shpreh se Shqipëria po ndërton një model të ri të ndërveprimit kulturor, ku arti nuk shihet si dekor, por si një mjet i fuqishëm për zhvillim, reflektim dhe dialog ndërkombëtar.
Ka theksuar gjithashtu rihapjen e shumëpritur të Galerisë Kombëtare të Arteve, duke e cilësuar atë si një moment kyç institucional. Sipas tij, institucioni po transformohet nga një hapësirë ekspozimi në një platformë aktive prodhimi dhe bashkëkrijimi, duke krijuar mundësi të reja për artistët shqiptarë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Instalacioni “A Place in the Sun” ndërthur video me tre kanale, performancë live, animacion, teatër kukullash dhe kolonë zanore origjinale, duke krijuar një “teatër fiktiv” që eksploron tensionin midis realitetit dhe fiksionit. Vepra mbështetet në referenca historike dhe diskurse mbi përfaqësimin e Shqipërisë në fillim të shekullit XX, duke përfshirë mënyrat se si vendi është projektuar në narrativat kulturore dhe politike të kohës. Pavijoni shndërrohet kështu në një hapësirë kritike dhe poetike njëkohësisht, ku historia rishikohet përmes imagjinatës artistike.
Në përmbyllje të fjalës së tij, ministri Gonxhja ka falënderuar artistin, kuratoren dhe ekipet realizuese, duke theksuar se suksesi i këtij pavijoni dëshmon aftësinë e Shqipërisë për të komunikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të barabartë në skenat më të rëndësishme të artit bashkëkohor.
Pavijoni Kombëtar i Shqipërisë në Bienalen e Venecias 2026 do të qëndrojë i hapur për publikun nga 9 maji deri më 22 nëntor 2026, duke ofruar gjatë kësaj periudhe një hapësirë të vazhdueshme ekspozimi, reflektimi dhe dialogu me vizitorë nga e gjithë bota.
Pavijoni i Kosovës në Bienalen e sivjetme – e cila karakterizohet me një vlug polemikash sherri i lejimit të pjesëmarrjes së Rusisë dhe të Izraelit që u bë shkas edhe për dorëheqjen e Jurisë – u hap të mërkurën e 6 majit. Vepra e Brilant Milazimit titullohet “Dhëmbë të fortë” e curator ka meksikanin José Esparza Chong Cuy. Bazohet te pritja. Vargu aty ilustrohet në formate të ndryshme. Në kontekstin vendor ai ka shumë simbolika. Lidhet me luftën e para gati tri dekadave, pamjet e refugjatëve dhe të kuqen si ilustrim edhe të gjakut. Ngacmon edhe të sotmen ku pritja ilustron shumëçka, madje edhe qeverisjen.
Në kontekstin global vargu i Milazimit është njëfarë pasqyre refugjatësh e konfliktesh gjithandej botës.
“Jam duke u ndier tepër krenar dhe i lumtur me mundësinë që të prezantoj këtë punë që është prapa nesh që e trajton frikën. Punë e cila është shumë e lidhur ngushtë me Kosovën dhe po ashtu është universale”, kishte thënë Milazimi në inaugurimin e Pavijonit.
Për shtetin e Kosovës, përfaqësimi ka rëndësi të veçantë. Në edicionin e 61-të, është përfaqësimi i shtatë i Kosovës, e cila në Bienale debutoi në vitin 2013 me Petrit Halilajn.
“Është një ndjesi e veçantë të jem këtu sot, jo vetëm në rolin që e përfaqësoj por edhe të shoh veprën e jashtëzakonshme të artistit tonë në një vend ku merr pjesë e gjithë bota dhe gjithnjë vjen pyetja se çfarë të veçon ty nga të tjerët në raport me përfaqësimin që bën apo me punën e artistit”, ka thënë ministrja e Kulturës Saranda Bogujevci.
Sipas konceptit kuratorial, pritja nuk është formësuar vetëm nga zhvendosja dhe lufta, por edhe nga shtyrja e zgjatur e njohjes së plotë politike të Kosovës. Sovraniteti, në këtë kontekst, nuk ka qenë kurrë një parim abstrakt. Ai është përjetuar përmes dokumenteve që nuk vijnë, përmes kufijve që nuk hapen, përmes lejeve që mbeten provizore. Sipas konceptit, të presësh, në Kosovë, ka nënkuptuar të jetosh në një shtet që ekziston, por që vazhdimisht i kërkohet të justifikojë ekzistencën e tij.
Pavijoni i Kosovës zë vend në kishën “Santa Maria del Pianto”, ish-manastir përballë lagunës veriore të Venecias. Është hapësire rreth 1.5 kilometra larg “Arsenales”, një prej hapësirave kryesore ekspozuese ku Kosova zakonisht ka pasur Pavijonin.