Kulturë

Shtëpia e Kulturës në Runik – shembull i kujtesës dhe ringjalljes së monumentit

Rikthimi i projektit ideor për Shtëpinë e Kulturës në Runik

Rikthimi i projektit ideor për Shtëpinë e Kulturës në Runik – që u prezantua për herë të parë në gushtin e vjetëm – ka qenë kryefjalë e panelit “Runiku i riimagjinuar: Kultura, kujtesa, domethënia e atdheut”

Monumenti që falë aktivizmit e angazhimit të komunitetit i shpëtoi shembjes që ia mësynë institucionet lokale, është një rrëfim suksesi i cili pret të ringjallet me projektin e restaurimit. Por rrëfimi për të ka qenë temë diskutimi në panelin “Runiku i riimagjinuar: Kultura, kujtesa, domethënia e atdheut”, i mbajtur në “Grand Art Studios”, një tjetër hapësirë e transformuar me art

Në shikim të parë, nisma për restaurim të Shtëpisë së Kulturës në fshatin Runik të Skenderajt do të sjellë për komunitetin një hapësirë kreative për artistë. Megjithatë, ky projekt parasheh që përmes një ndërhyrjeje arkitektonike, kjo hapësirë të hapë edhe dritare të reja për mundësi të reja.  Ky restaurim dhe idetë mbi projektin i kanë dhanë mundësi fondacionit “Hajde!” që të mbledhë një panel diskutimi me disa anëtarë vendorë dhe të huaj, për të diskutuar dhe për të paraqitur para publikut projektin ideor. 

Në fakt, rikthimi i projektit ideor të realizuar nga “Ars Atelie” – që u prezantua për herë të parë në gushtin e vjetëm – ka qenë kryefjalë e panelit “Runiku i riimagjinuar: Kultura, kujtesa, domethënia e atdheut”, i mbajtur në “Grand Art Studios”, një hapësirë e transformuar me art e inauguruar në fund të muajit të kaluar, në katin e gjashtë të hotelit “Grand”. 

Biseda mes anëtarëve të panelit të martën pasdite nisi para një audience të konsiderueshme njerëzish që janë të interesuar për arkitekturë, art vizual, dhe pasion për trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Mbledhur brenda mureve të hapësirës së fondacionit “Hajde!”, teksa është prezantuar projekti ideor, domosdo është rikthyer edhe “rrëfimi” për Shtëpinë e Kulturës në Runik, si një shembull i angazhimit e aktivizmit në mbrojtje të trashëgimisë kulturore.  

Në gushtin e vitit 2023 Komuna e Skenderajt në emër të transformimit të zonës kishte nisur shembjen e ndërtesës. Kishte qenë artisti Petrit Halilaj në emër të fondacionit “Hajde”, që asokohe kishte zhvilluar takime me autoritetet qendrore dhe lokale. Kishte ndërmjetësuar që Shtëpia e Kulturës në Runik të jetë një qendër kulturore. Dhe ia kishte arritur. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, do të nënshkruanin marrëveshje për bashkëfinancim të projektit për gjithsej 850 mijë euro buxhet. Por kanë qenë qasjet e kundërta për monumentin që kishin përplasur Komunën me Ministrinë. E para ia mësyu me ekskavator kur i kishin mbetur dhjetë ditë që ta shënonte pesëvjetorin si monument, në korrikun e 2023-tës. Asokohe e prerë kishte qenë Ministria e Kulturës në reagim. Kishte konfirmuar se po bëhej fjalë për ndërhyrje të jashtëligjshme, njësoj siç kishte bërë edhe Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore e Mitrovicës. 

Por rrëfimi si ky nuk është rikthyer në panel. Tashmë, Shtëpia e Kulturës në Runik është histori suksesi. 
Në fjalën hapëse të panelit, drejtori ekzekutiv i fondacionit “Hajde”, Adrian Berisha, ka thënë se në qendër të vëmendjes së fondacionit gjithmonë ka qenë kjo shtëpi e kulturës edhe si hapësirë fizike, edhe simbolike. 

Kjo shtëpi, sipas tij, mbledh historinë e kujtesën kolektive dhe potencialin për një lloj ringjalljeje kulturore. Teksa ka treguar disa fotografi që ndërlidhen me shtëpinë e kulturës, monument i viteve ’50, funksionale në vitet ‘70, në kohën kur sistemi jugosllav ka punuar në krijimin e shtëpive të ndryshme të kulturës, ai ka rrëfyer se të gjitha këto shtëpi kanë pasur njëfarë funksioni multidisiplinor, kryesisht si kooperativa bujqësore, por në të njëjtën kohë edhe si shtëpi të kulturës me potencial për zhvillim të programeve që lidheshin me artin, si dhe kanë shërbyer si vendtakim për banorët e fshatrave.

Runiku, në këtë rast, ka një rëndësi të madhe jo vetëm për fondacionin, por edhe për historinë e shqiptarëve dhe të Ballkanit, sepse është një lokalitet ku është gjetur okarina dhe është një vendbanim me një pasuri të jashtëzakonshme, e cila daton prej periudhës së Neolitit.

Drejtori ka treguar se është kënaqësi e madhe që pas një periudhe të gjatë kohore ta kishte mundësinë ta prezantonte projektin, dhe tregon se prej kur e kanë menduar prezantimin e projektit, është menduar të kishte njëfarë lloj diskutimi. Ai tregoi bashkëpunimin me institucione të artit nga jashtë Kosovës, projektet bashkëpunuese dhe rëndësinë e punës së palodhshme nga artistë e arkitektë që, ndonëse nuk jetojnë dhe veprojnë në Kosovë, kanë marrë përsipër një projekt të tillë.
“Kjo është e jashtëzakonshme, sepse në bashkëpunim me ‘Storefront’, i cili është një institucion i arkitekturës dhe artit në New York, patëm mundësi të diskutojmë për Homeland, dhe rëndësinë e kulturës, të kujtesës kolektive, duke pasur parasysh që Petrit (Halilaj v.j) dhe vajzat që e kanë punuar projektin kryesisht nuk jetojnë në Kosovë, por zemra ndryshe fle në Kosovë. U gëzova shumë dhe mirë që morëm njëfarëlloj feedbacku prej njerëzve që po u pëlqen projekti dhe procesi e procedurat që i kemi ndjekur në përgjithësi si fondacion”, ka thënë Berisha në një përgjigje për KOHËN. 

Projekti detaj është hapi i radhës para hapjes së procedurës nga Ministria e Kulturës për kontraktim dhe, sipas Berishës, pretendohet që restaurimi të jetë i finalizuar në fillim të vitit 2027 dhe të fillohet me program.

“Ne jemi në fazë të finalizimit të projektit ideor, e kemi idenë, por është e rëndësishme edhe pjesa teknike, finalizimi i krejt kësaj, mendojmë që dikur nga gushti ta hapë procedurën Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për kontraktimin e kompanisë dhe ne mendojmë që dikur rreth pranverës së ardhshme të nisim punët e vrazhda të restaurimit. Nuk mund të japim kohë të saktë, por pretendojmë që rreth pranverës së vitit 2027 të jetë projekt i finalizuar dhe të fillojmë me program”, ka thënë Berisha.

Kishte qenë juria, në përbërje të sociologes Donjetë Murati, arkitektes Florina Jerliu, arkitektit Jürgen Mayer, që e kishte vlerësuar si më të mirin projektin ideor të “Ars Atelie” e të dytin atë të “Dieform”. Kur u prezantua projekti fitues, juria ndër të tjera kishte vlerësuar se “propozimi respekton kujtesën kolektive dhe strukturën origjinale historike që ka mbetur nga Shtëpia e Kulturës së Runikut, duke e plotësuar me dimensione të reja që lehtësojnë mënyra bashkëkohore të ndërveprimit”. 

Të martën, dyshja e “Ars Atelia” ka treguar se kur e kanë analizuar hapësirën, kanë vrojtuar çka ekziston dhe rri akoma në këmbë, dhe ideja fillestare ka qenë që të mbahet gjithçka që është në formë të mirë fizike dhe që nuk përbën rrezik.

“Ndërtesën e kemi trajtuar sikur të jetë eksponenti i parë, s’kemi dashur në asnjë mënyrë që asgjë që ne propozojmë të vijë e re, ta mbulojë atë që ekziston. Prej kësaj ka lindur ideja që projekti ynë të zhvillohet brenda mureve të ndërtesës ekzistuese”, ka thënë arkitektja Flakë Zeneli.

Me gjithë periudhat kohore nëpër të cilat ka kaluar kjo ngrehinë, i ka mbijetuar shkatërrimit total, andaj ajo shihet si një relikt që përfaqëson më shumë sesa thjesht një shtëpi kulture të asaj kohe.

“Kemi dashur ta lëmë strukturën ekzistuese, si një lloj relikti që tregon shtresa të historisë, sepse gjatë luftës ka qenë e dëmtuar, shihen disa shenja të plumbave, pastaj edhe prej reshjeve është dëmtuar struktura, andaj kjo është ideja: që ndër vite, transformimi i strukturës të ruhet dhe kjo reprezanton në njëfarë forme edhe transformimin e shoqërisë, është histori përmes një objekti, me gjithë shenjat dhe dëmtimet, të gjitha ato prezantojnë diçka”, ka rrëfyer për KOHËN arkitektja Krenare Juniku.

Fragmenti inovativ më i komentuar i projektit, mes atyre për panele solare dhe tubave ujëmbledhës të shiut për ta shfrytëzuar për ujitje të hapësirave të jashtme, ka qenë dhoma me qiell të hapur, një kthinë ku vizitorët do të kenë mundësinë të përjetojnë ndjesinë e gërshetimit të së vjetrës me të renë.
“Një hapësirë e ngushtë rreth 25 metra katrorë është mes mureve ekzistuese dhe strukturës së re. Ajo do të jetë hapësira e qiellit të hapur, hapësirë për relaksim e për lexim. Meqë i kemi trajtuar muret si eksponent të parë, dhoma e qiellit të hapur është ajo dhomë që të fton të bësh një lloj shëtitjeje përreth ndërtesës, mes murit ekzistues dhe strukturës së re, që ka një kulm të xhamit, transparent, ku mund ta përjetosh historinë, në njërën anë është muri i vjetër dhe në anën tjetër është shtresa e re dhe e ke mundësinë të ndodhesh në atë hapësirë në mes të dy shtresëzimeve historike”, kanë treguar arkitektet që janë realizatore të projektit.

Pjesë të panelit diskutues kanë qenë edhe Nol Binakaj nga “CHwB Kosova”, i cili ka folur për ruajtjen e objekteve të trashëgimisë dhe për domethënien e konceptit ‘Homeland’; profesoresha e asociuar nga Universiteti i Prishtinës, Florina Jerliu-Krasniqi, që ka diskutuar për rëndësinë e restaurimit të Shtëpisë së Kulturës dhe José Esparza Chong Cuy me origjinë nga Meksika, drejtor ekzekutiv në “StoreFront”.
Ky i fundit ka treguar se kishte dëgjuar për projektin nga Petrit Halilaj, me qëllimin për të restauruar “jetën” e asaj ngrehine për komunitetin e Runikut dhe për komunitetin e gjerë në Kosovë.

“Mendoj se si ‘Storefront’, në fokus kryesor e kemi mënyrën se si këto projekte realizohen dhe më mahnit fakti se diçka që është marrë si e mirëqenë për shumë vjet, mund të rijetësohet si qendër kulturore dhe si një hapësirë ku mund të mblidhen njerëzit dhe ta ndiejnë atë që i rrethon”, ka thënë drejtori i programit “Storefront”.

Gjatë periudhës së Jugosllavisë, Shtëpia e Kulturës në Runik funksiononte si bibliotekë me 7.000 libra, me teatër, si dhe kooperativë bujqësore. Qe aktive deri në vitet ’90, kur objekti u mbyll. Gjatë luftës ishte zhveshur nga përmbajtja e saj. Qe e harruar deri në vitin 2018, kur artisti me famë botërore Petrit Halilaj për disa ditë e ringjalli me projektin artistik “Shkrepëtimë”. Pak kohë më vonë, shteti i kujtua ta merrte në mbrojtje si objekt i mbrojtur i trashëgimisë kulturore. Tash, pret një kapitull të ri: atë të ringjalljes si monument tok me kujtimet dhe potencialin në ditët e sotme.