Kulturë

Sopranoja Jeta Çitaku bëhet udhërrëfyese në galerinë e arieve operistike

Prej repertorit të shekullit të 19-të e deri te veprat emblematike lirike në gjuhën shqipe, Jeta Çitaku nën shoqërim të tingujve të pianos nga Misbah Kaçamaku dhe në duet me Josif Gjipalin festoi punën e saj shumëvjeçare si soprano me një koncert recital. Ka qenë si një shëtitje në galerinë e arieve operistike të interpretuara me elegancë

E përshkuar nga ndriçimi i butë në skenë, sopranoja Jeta Çitaku i afrohej pianos para së cilës është pozicionuar Misbah Kaçamaku, për t’u nisur në një udhëtim harmonik tingujsh. Uvertura e recitalit të saj pasoi nga një breshëri duartrokitjesh, e cila u ndërpre me akordet e para në piano, të cilat e njoftuan publikun me kompozimet e Vincenzo Bellinit. “Ma rendi pur contento” qe pjesa e parë me të cilën u dëgjua zëri i sopranos. “Malinconia, Ninfa Gentile”, njësoj sikurse titulli e zhyti sallën nën petkun e melankolisë. Ndërkaq me “Quando verrà quel dì”, Çitaku solli për të pranishmit një lëngim dashurie të shprehur mjeshtërisht nëpërmjet vokalit të saj.

Sopranoja hapin e parë drejt këtij koncerti recital e kishte bërë që në zgjedhjen e repertorit. Programi i ka ngjarë një kombinimi të kuruar mirë nga vepra të ndryshme, që shtrihen nëpër epoka të ndryshme të muzikës klasike. Por, vend i bëri edhe një vepre shqiptare. “Agimet Shqiptare” nga Avni Mula, kompozitorit legjendar shqiptar, qe shigjeta që shtiu drejt zemrave të të pranishmëve. Nën lojën e Kaçamakut mes tasteve të pianos, vokali i Çitakut jetësonte vargjet e kësaj arie emblematike për lirikën shqipe.

Përkujdesja në sjelljen e veprave të njohura për publikun e muzikës klasike në vend, asaj ia dha epitetin e një kuratoreje të një ekspozite ariesh e në repertor nuk munguan as veprat e Mozartit, Verdit e Puccinit.

“Parigi o cara” erdhi si një arie plot ndjeshmëri, nga opera “La Traviata” e Giuseppe Verdit. E ngarkuar me plot emocion, personazhin e quajtur “Alfredo”, krah Çitakut si Violetta e luajti tenori i mirënjohur shqiptar, Josif Gjipali. Me ekspresivitet melodioz të qartë dhe bukuri të cilat rëndom paraqiten vetëm kur interpretohen lirikat, dyshja e transportoi publikun në Parisin e shekullit të 19-të. Mungonin vetëm kostumet e asaj kohe.

Josif Gjipali, veç duetit me Çitakun, për publikun prishtinas me të cilin ka kohë pa u takuar, u kthye në skenë me “Nessun Dorma”, një arie e fuqishme nga opera e Giacomo Puccinit, “Turandot”. Interpretim që rikrijoi aktin e fundit të veprës, e rëndoi sallën me vokalin kumbues i cili transmeton ndjenjat origjinale të personazhit Calaf tek Turandot. Dramë dhe konflikt emocional kishte dhe te “Vissi d’arte”, e cila e riktheu Jeta Çitakun të vetme në skenë. Në këtë pjesë duket sikur çdo notë priste tjetrën. Arie karakterizohet nga thellësia emocionale, bëhet dhe një herë dëshmi e fuqishme për rolin e artit si një burim ngushëllimi dhe kuptimi përballë sfidave.

Image
Në duet, sopranos Çitaku i është bashkuar tenori Josif Gjipali (Foto: Arben Llapashtica)

Ambienti u ç’dramatizua në fund me një zgjedhje të duhur për ta përmbyllur këtë festë, e cila shërbeu si kurorëzim i një periudhe të veprimtarisë së Çitakut.

“Brindisi” qe pjesa që risolli Çitakun dhe Gjipalin në duet si përshëndetje me publikun. Nga “La Traviata” e Giuseppe Verdit, ky duet ktheu personazhet kryesore, Violetta dhe Alfredo, por këtë radhë në një atmosferë feste nën sinkron me duartrokitjet e publikut si detaj që e karakterizon këtë vepër. Meloditë e hareshme dhe ritmi alegro, dhuruan atmosferë festive teksa inkurajonin të pranishmit në shijimin e çastit pas veprave pararendëse emocionale që karakterizuan mbrëmjen.

Pas përmbylljes së këtij programi dyshja u përcoll me duartrokitje frenetike, të cilat detyruan Çitakun të kthehej në skenë për t’u vërshuar nga buqetat me lule si shenjë urate e admirimi për performancën e saj të arrirë.

Koncertin recital të Çitakut e vlerësoi Pranvera Hoxha, e pranishme në publik, krahas shumë profesionistëve të tjerë të muzikës klasike që ishin ardhur në mbështetje të sopranos.

“Mbrëmja ishte shumë e veçantë duke filluar nga përzgjedhja e programit dhe mënyra se si kolegët e mi, Jeta dhe Misbahu, e sollën atë. Ishte shumë bukur. Jashtëzakonisht jam e lumtur për Jetën, sepse kishte kohë të gjatë që s’e kam dëgjuar me atë muzikalitetin e bukur, frazat e gjata, pianissimon. Jam mrekulluar dhe e përgëzoj për punën që e ka bërë, ka marrë iniciativën me sjellë para publikut tonë një program kaq të bukur me arie italiane”, ka thënë Hoxha teksa ka vlerësuar dhe performancën e kolegut të saj, Misbah Kaçamaku.

Vetë Çitaku, pas performancës u shpreh e përmbushur dhe e konsideroi këtë mbrëmje si festë për të.

“Koncerti është moment feste pas çdo pune që bën artisti, edhe pse e ka mënyrë jetese. Reflekton në momentet e punës, momentet e bukura që vetëm në skenë mund t’i përjetosh vërtet”, ka thënë Çitaku.

Bashkëpunimi me Josif Gjipalin ka thënë se e nderon teksa periudha e bashkëpunimit me të duket të ketë qenë edhe inspiruese.

“Për mua është gjithmonë nder të punosh me maestro Gjipalin. Unë punoj vazhdimisht dhe në çdo orë në çdo vajtje timen në Tiranë frymëzohem ngaqë çdoherë mësoj diçka të re dhe në fakt kjo më përmbush shpirtërisht e profesionalisht dhe kur po e shikoja krah meje teksa këndonte u ndjeva krenare”, ka shtuar ajo.

Jeta Çitaku, për Josif Gjipalin, është një soprano e arrirë. Ka thënë se është i kënaqur me performancën e saj.

“Ishte një kënaqësi, unë e njoh Jetën gati një vit, kemi shkëmbyer bashkë mendime teknike edhe për gustot muzikore, jam shumë i kënaqur nga performanca e saj dhe vërtet ishte një kënaqësi t’i bashkohesha koncertit të saj dhe ta mbështesja”, ka thënë Gjipali.

Fakti se publiku e priti shumë mirë tenorin nga Shqipëria, për të nuk përbën një veçanti pasi që ai është i afërt me të tashmë.

“Publiku i Prishtinës nuk më befason më. Më kënaq, duket si një publik tashmë i kultivuar, di ku duhet të duartrokasë, di si ta respektojë performuesin, vërtet shumë i ngrohtë”, ka shtuar Gjipali.